Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, tha në një deklaratë për media se Shqipëria është ndër vendet më përfituese të nismës “Ballkani i Hapur”.
Sipas Ballës, kjo nismë duhet implementuar, ndërsa shtoi se në seancën e radhës plenare do të votohet edhe Konventa që sanksionon ndëshkimin e atyre që bëjnë ngacmime seksuale në vendin e punës.
“Kemi kaluar në seancën e fundit edhe disa pr.ligje, që kanë të bëjnë me implementimin e marrëveshjeve, në kuadër të Ballkanit të Hapur, që krijon më shumë mundësi për biznesin dhe qytetarët. Unë bëj pjesë në ata që mendojnë se Shqipëria është një ndër vendet më përfituese të kësaj nisme. Po ashtu edhe sipërmarrja, fermerët, janë përfitues të drejtpërdrejtë. Ne do të vazhdojmë punën e Kuvendit këtë javë më miratimin e një sërë pr.ligjesh. Do të votojmë në seancën plenare edhe aderimin e Shqipërisë në Konventën, që sanksionon ndëshkimin e atyre që bëjnë ngacmime seksuale në vendet e punës, një fenomen shumë i përhapur ky në gjithë Evropën. Kemi edhe çështje të tjera, mes të cilave edhe krijimin e një njësie të përbashkët me Greqinë, në kuadër të luftës kundër krimit”, tha Balla.
Sa i përket zgjatjes së mandatit të organeve të Vettingut, Balla deklaroi se kjo nuk është një iniciativë që i shërben Partisë Socialiste, por është një domosdoshmëri.
“Mendoj që zgjatja e mandatit të organeve të Vettingut nuk është një çështje e bindjeve politike, por një çështje që ka të bëjë me çuarjen përpara të një prej shtyllave kryesorë të Reformës në Drejtësi. Pa Vettingun nuk do të kishim sot një drejtësi të pastruar. Kështu që iniciativa për shtyrjen e mandatit të organeve të Vettingut nuk është për PS, por është një domosdoshmëri, ndaj dhe të gjithë duhet të jemi në sallën e Kuvendit dhe ta votojmë. Kaq”, u shpreh socialisti.