21 shkurt 1431/ Zhan d’Ark, gjyqi historik që e dogji luftëtaren franceze në turrën e druve

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

21 shkurtin e vitit 1431 në selinë ushtarake të mbretit anglez në Paris, fillon një gjyq i cilësuar si më i rëndësishmi në histori që nga koha e gjyqit të Krishtit në Jeruzalem. Gjykohej Zhan d’Ark, një vajzë fshatare në Francën mesjetare; me besim se Perëndia e kishte zgjedhur për të udhëhequr vendin në luftën për çlirim nga Anglia.

Lufta, që do të zgjaste 100 vjet, filloi kur Henri V i Anglisë sulmoi Francën pasi mendonte se princi francez i kurorës, Çarles, ishte i paligjshëm. Zhan d’Ark ishte 17 vjeç, analfabete, pa asnjë përgatitje ushtarake, kur e bindi princin Charles ta lejonte të udhëhiqte sulmin për çlirimin e Orleansit. Nga dëshpërimi, pa asnjë shpresë për fitore, princi nuk kishte ç’të humbiste dhe ia dha komandën:  Zhan d’Ark, për habinë e të gjithëve, fitoi betejën. Çarls u bë mbret i Francës. Pastaj ajo kërkoi që ofensiva të vazhdonte, por gjeneralët nuk donin, dhe për ta hequr qafe, ia dorëzuan pabesisht forcave kundërshtare, që e gjykuan për magji, e dënuan për herezi, dhe më 1431 e dogjën në turrën e druve. Më vonë, Kisha Katolike do ta shpallte Zhan d’Arkën martire dhe shenjtore, ndërsa Shekspiri, Volteri, Michelet, Schiller, Mark Twain, Anatole France, George Bernard Shaw dhe të tjerë demostruan heroizmat dhe fatin e saj fatal me shkrimet e tyre.

Gjyqi

Procesi ndaj Zhan d’Ark, mbetet një nga precedentet emblematik jo vetëm të mesjetës kur daton. Gjyqi ndaj vajzës fshatare që ndryshoi historinë e Francës, përfundoi me një vendim absurd më 23 maj 1431. Gjatë procesit ajo u akuzua për herezi dhe u mor në pyetje pa ndonjë qëllim të posaçëm në kështjellën e Ruenit. Prej kësaj ngrehine që mban vulën e turpit të një gjykimi sot ka mbetur në këmbë vetëm një kullë e kështjellës ku qe burgosur. Nëse flitet për kushtet e vështira të burgosjes, ajo nuk u vu nën torturë, që ishte një etapë e pashmangshme për të pohuar. Kjo ndodhi thjesht se ata që e kishin në mbikëqyrje dhe që mund ta “trajtonin” që të ishte më e sinqertë ndaj akuzës patën frikë të vinin dorë në të për origjinën e saj “hyjnore”. Këtë gjë e pohuan disa persona gjatë procesit të dytë që u bë për rehabilitimin e Zhan d’Ark, disa vjet pas vdekjes. Në gjyq nuk u arrit në një akuzë të vlershme, të fortë. Zhana “dukej një krishtere e mirë, e bindur për misionin e saj, e ndryshme nga heretikët që gëlojnë në një klimë mosbesimi ndaj Kishës në kohë të turbullta”. Meqë nuk ka akuzë tjetër hetuesit e qortojnë që vishet si djalë, që ka ikur pa leje nga prindërit e që i falet gjykimit të Zotit dhe jo atij të Kishës.

Gjyqtarët përkundrazi mendojnë se “zërat”, të cilëve ajo u referohet, janë të frymëzuar nga demoni dhe e shpallin fajtore. Më 24 maj, në varrezën Shën-Ouen të Ruenit, gjyqtarët vënë në skenë një parodi me një turrë drush që ta trembin Zhanën dhe ta detyrojnë të njohë gabimet. Thuhet se Zhana në këto kushte i njohu gabimet për zërat dhe premtoi të vihej nën autoritetin e Kishës. Ajo u dërgua prapë në burg, në duart e Anglezëve. Duke e kuptuar se qe mashtruar, dy ditë më vonë, ajo i tërheq fjalët dhe vishet sërish si djalë. Gjyqi e deklaron fajtore e që ka rënë në gabimet e mëparshme. E dënon, pra, me djegie në turrën e druve. Më 30 maj 1431 ajo digjet e gjallë në sheshin e Tregut të Vjetër në Ruen, pa i mbushur ende 19 vjeç.

Mistika

Në kohën e Zhanë d’Ark, Franca jetonte pasojat e një lufte 100-vjeçare me Anglinë. Vajza pohonte se që në moshën 13 vjeçare kishte dëgjuar në kopshtin e të atit disa zëra misteriozë që i kërkonin të ishte e dhembshur, të çlironte mbretërinë e Francës nga pushtuesit dhe ta shoqëronte pasardhësin e mbretit drejt kurorëzimit në fron. Që atëherë ajo nisi të veçohej dhe largohej nga moshatarët e vet që nuk ngurronin ta vinin në lojë zellin e saj të madh fetar. Zhan u trembej plaçkitjes dhe vrasjeve në fshatin e saj. Në të vërtetë sulmet anglo-burginjone kërcënojnë gjithë Lorenën. Përvojat mistike të Zhan d’Ark shumëfishohen po aq sa shtohen edhe turbullirat në krahinë. Ajo sa ka mbushur të shtatëmbëdhjetat, kur i tregon e llahtarisur një kushëriri shumë të afërt për halucinacionet që nuk e lënë të qetë. Pas disa ngurrimeve kushëriri e shoqëron të takojë kapitenin e Vaucouleurs (Vokulërs), një fortesë jo larg nga fshati i saj.

Ajo i kërkon kapitenit një letër që do t’i hapte dyert e oborrit, por i kushëriri këshillohet ta shpjerë vajzën te prindërit dhe t’i jepte një pëllëmbë të mirë. Vitin që pasoi, 1429 Domremia në fakt u pushtua. Ajo strehohet fillimisht në Neufchâteau me familjen e vet, por pastaj si këmbëngulëse që është shkon dhe vendoset në Vaucouleurs për tri javë. Zhan rregullohet të flejë te një familje e shtresës së lartë. Njerëzit të etur për profeci të atilla që japin zemër në kohë të turbullta, e përkrahin. E pajisur me një cilësi të madhe komunikimi, fshatarja e re e pashkollë bëhet e famshme kur duka II i Lorenës, i sëmurë, i dërgon një leje për t’i bërë vizitë. Vajza i premton shërimin në shkëmbim të një shpure me ushtarë. Ajo nis të vështrohet kështu në mënyrë serioze dhe i lihen gjashtë ushtarë në komandë; dy kalorës dhe një korrier i qëndruan besnikë gjatë tërë aventurës së saj trimërore. E veshur si djalë, me flokë që i preu shkurt, ajo përshkon tokat burginjone dhe shkon në Chinon, ku përfundimisht merr të drejtën të takohej me përfaqësuesin e fronit mbretëror. Në takim Zhan d’Ark njofton qartë katër ngjarje: çlirimin e Orleanit, kurorëzimin e mbretit në Reims, çlirimin e Parisit dhe çlirimin e dukës së Orleanit që e mbajnë anglezët në burg. Pas një hetimi në fshatin Domremi për origjinën e saj, Charles jep pëlqimin që ta nisin drejt Orleanit të pushtuar, jo në krye të një ushtrie, por me një karvan ndihmash ushqimore. I mbetej asaj të tregonte veten. Me këtë rast, me Zhan u bashkuan edhe dy vëllezërit e saj. Atë e pajisën me një mburojë dhe një flamur të bardhë qëndisur me zambak, që është parulla moto e dominikanëve dhe françeskanëve.

Lexo edhe :  Xheneta dhe Egli njihen që jashtë? Ish-konkurrentja e "BB VIP" zbulon lidhjen mes tyre

Datimet

Me të mbërritur në Orlean, më 29 prill 1429, ajo u jep ndihma ushtarëve, pritet me entuziazëm nga popullata, por prijësit e luftës tregohen të përmbajtur. Me besimin, vetëdijen dhe entuziazmin e saj, ajo ia doli të frymëzonte me energji të reja ushtarët francezë shpresëhumbur dhe t’i detyronte Anglezët ta hiqnin rrethimin nga qyteti natën e 8 majit 1429. Për shkak të kësaj fitoreje atë do ta quajnë herë “Virgjëresha e Orleanit”, shprehje që u përdorën për herë të parë më 1555 më pas.

Në 18 qershor 1429, Zhan shkon në Loshë për të bindur pasardhësin e fronit të mbetur bosh të kurorëzohet mbret i Francës. Për të mbërritur në Reims, shpura duhet të kalonte nëpër qytete nën zotërimin burgonjez. Shpura nuk ka mjete t’i detyrojë ushtarakisht të hapen portat e qytetit, por të gjitha portat hapen.

Më 17 korrik 1429, Charles VII kurorëzohet mbret në praninë e Zhan d’Arkës nga kryepeshkopi i Shartrës. Ky kurorëzim pati një ndikim të madh politik dhe psikologjik. Në të njëjtën kohë ajo i dërgon një letër dukës së Burgonjës dhe i kërkon paqe. Duke qenë në zemër të territorit që kontrollohej nga Borgonjët, Reims u bë në të vërtetë një vend tepër simbolik.

Pas kurorëzimit, Zhan përpiqet ta bindë mbretin që t’ua marrë Parisin burginjonëve, por ai ngurron. Ajo e nis vetë sulmin për Parisin. Në portën Shën Honore mbetet e braktisur, por edhe e plagosur. Mbreti ndalon çdo sulm të ri, sepse mungojnë ushqimet dhe lekët. Sidoqoftë grindja mes anëtarëve të Këshillit të luftës pengon që të merren vendime të qarta. Tërheqja bëhet drejt Luarës, ushtria shpërndahet. Sidoqoftë Zhan D’Ark niset në betejë për liri. Që sot e tutje ajo udhëheq ushtrinë e vet dhe konsiderohet si komandante lufte e pavarur, ajo nuk përfaqëson më mbretin. E çelikosur nga një forcë tërheqëse e jashtëzakonshme dhe nga një guxim i veçantë (është plagosur disa herë dhe qëndron), ajo ka një repart, disa kuaj lufte, një shqytar dhe disa kalorës. Zhan lufton, arrin disa suksese dhe pëson disa humbje. Në çastin kur është duke iu përgjigjur thirrjes së Kompienjit, të rrethuar nga burginjonët, Zhan d’Ark kapet e gjallë. Dy herë që do të shpëtojë, dy herë ajo dështon, madje plagoset seriozisht duke u hedhur nga dritarja e një kështjelle. Në këto kushte më 21 nëntor 1430 Zhan u shitet anglezëve nga burginjonët, si aleatë të tyre.

Epilogu

Shumë vite a shekuj më vonë, Kisha Katolike do ta shpallte Zhan d’Arkën martire dhe shenjtore, ndërsa Shekspiri, Volteri, Michelet, Schiller, Mark Tëain, Anatole France, George Bernard Shaw dhe të tjerë të shumtë për t’u përmendur demostruan heroizmat dhe fatin e saj fatal me shkrimet e tyre.

Zhan D’Ark u bë një figurë gjysmë legjendare për katër shekujt e mëvonshëm. Në vendlindjen e D’Ark është hapur një muzeum për nder të saj.

 

Të fundit

Ndeshje e jashtëzakonshme, Real Madrid përmbys Cityn në minutën e fundit të sfidë

Champions League dhuron emocione të forta në duelet e para të fazës Play Off. Akti i parë i finales...

Nuk dorëzohen dhe në ditët më e vështira, zbuloni shenjat më luftarake të horoskopit

Tre shenja të zodiakut janë të njohura për shpirtin e tyre luftarak dhe qëndrueshmërinë, ku pavarësisht pengesave, ato nuk dorëzohen kurrë. Dashi është një shenjë...

Trump nuk përjashton Shqipërinë si vend për të strehuar palestinezët e zhvendosur nga …

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump, ka pohuar se do të marrë parasysh edhe Shqipërinë, si vend për të sjellë palestinezët e zhvendosur...

Vendet e Ballkanit në ankth për dëbimin e planifikuar të emigrantëve nga Trump

Vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë bërë ende të ditur se si planifikojnë të përballen me një fluks kriminelësh të dënuar që do të...

Trump paralajmëron Kievin se ‘Ukraina mund të bëhet ruse një ditë’

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se kërkon minerale të rralla në vlerë qindra miliarda dollarë nga Ukraina, në këmbim të...

Lajme të tjera

Web TV