Kryetari i komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj, ankimoi në Gjykatën e Apelit vendimin që njeh statutin e Berishës dhe Grupin e Rithemelimit. Reagon grupi i Berishës: Alebeaj është i shkarkuar, nuk ka legjitimitet. Përplasjet vijojnë edhe pse shumë flasin për bashkim.
Nuk ka të ndalur “presioni” brenda demokratëve dhe përplasja mes Sali Berishës dhe kryetarit të komanduar Ekelejd Alibeaj. Duket se Partia Demokratike ende nuk ka gjetur paqen e saj për të shkuar në zgjedhje për kryetar partie dhe më tej akoma të përgatit në terren për zgjedhjet lokale. Tashmë “ngërçi” i krijuar është vendimi i Gjykatës së Tiranës për njohjen e Kuvendit Kombëtar të thirrur nga Sali Berisha. Dje, kreu i grupit parlamentar demokrat, Enkelejd Alibeaj ka depozituar në Gjykatën e Apelit një padi për prishjen e vendimit të shkallës së parë, lidhur me njohjen e ndryshimeve statutore të iniciuara nga ish kryeministri Berisha në 11 Dhjetor. Në kërkesën drejtuar gjykatës kërkohet prishja e atij vendimi. Kujtojmë se ishte ai vendim i gjykatës bëri që ligjërisht në krye të PD-së, të njihej që prej 25 marsit Komisioni i Rithemelimit si organi drejtues i partisë. Me ketë padi PD kërkon nga Apeli prishjen e vendimit të 25 marsit si dhe pushimin ose kthimin në hetim me trupë tjetër gjykuese.
Reagimi i PD
Partia Demokratike ka reaguar pasi kreu i grupit parlamentar demokrat, Enkelejd Alibeaj depozitoi në Gjykatën e Apelit një padi për prishjen e vendimit të shkallës së parë, lidhur me njohjen e ndryshimeve statutore të iniciuara nga ish kryeministri Berisha në 11 Dhjetor. Në një deklaratë të saj PD shkruan, se Alibeaj si nënkryetar i Partisë Demokratike nuk përfaqëson PD në asnjë marrëdhënie me të tretët. Sipas PD kërkesa ajo është paraqitur nga persona të palegjitimuar të bëjnë ankim kundër vendimit të mësipërm të gjykatës. “Së pari, sqarojmë se askush nuk mund të ndërmarrë veprime në emër të Partisë Demokratike. Kuvendi Kombëtar i PD dt.11 dhjetor 2021, ka mandatuar si të vetmin organ drejtues të Partisë Demokratike Komisionin e Rithemelimit të Partisë. Gjithashtu, Kuvendi ka shkarkuar Z. Alibeaj si nënkryetar i Partisë Demokratike. Pra, nuk përfaqëson PD në asnjë marrëdhënie me të tretët. Së dyti, përsa i takon kërkesës ankimore, ajo është paraqitur nga persona të palegjitimuar të bëjnë ankim kundër vendimit të mësipërm të gjykatës”, thuhet në ragimin e Partisë Demokratike, pra ajo e Rithemelimit. Selia blu i është referuar edhe Kodit të Procedurës Civile e cila në nenin 442/a përcakton pjesën ku flitet mbi ankimimin. “Ankimi është akti me të cilin palët ose pjesëmarrësit e tjerë në proces parashtrojnë kundërshtimet e tyre ndaj vendimit të gjykatës dhe veprimeve të përmbaruesit gjyqësor, për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e tyre” Pra, vetëm palët ose pjesëmarrësit e tjerë në proçes mund të bëjnë ankim. Askush tjetër. Me “palë“ kuptohet i padituri dhe personi i tretë”, thuhet në reagimin e PD -së. Selia blu këkron nga Sekretaria e Gjykatës ku është paraqitur kërkesa nga Alibeaj tua kthejë mbrapsht atë komform kritereve të Kodit të Proçedurës Civile. Së fundmi, PD denoncon aktin Basha – Alibeaj si përpjekje e dëshpëruar e Edi Ramës për të mbajtur peng vulën e PD kundër vullnetit të shumicës së demokratëve të shprehur qartë në kuvendin e tyre më 11 Dhjetor 2021 dhe të çertifikuar në kutitë e votimit më dt. 6 mars 2022.
Berisha takon diplomatin e parë të huaj pas vendimit të gjykatës
Ish-kryeministri Sali Berisha është takuar me ambasadorin e ri të Çekisë në vendin tonë Karel Urban, takimi i parë me një diplomat të huaj pas shpalljes pas vendimit të gjykatës që njohu vendimet e Kuvendit të 11 dhjetorit. Berisha shkruan se e ka falënderuar vendin dhe kombin e tij mik për ndihmën e çmuar dhënë Shqipërisë në dekada. Zhvillimet në Shqipëri dhe në rajon kanë qenë në fokus të diskutimit, teksa Berisha ka theksuar se PD mbetet parti e vlerave europiane. “Takim me ambasadorin e ri të Republikës së Çekisë në Tiranë, z Karel Urban! Të dashur miq, sot prita në një takim ambasadorin e ri të Republikës së Çekisë në Tiranë. Përfitova nga rasti të falënderoj vendin dhe kombin e tij mik për ndihmën e çmuar dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve në dekada. Gjatë këtij takimi diskutuam gjerësisht mbi zhvillimet në Shqipëri dhe në rajon. Theksova në këtë takim se Partia Demokratike ka qenë dhe mbetet parti e vlerave dhe integrimeve europiane dhe euroatlantike. Takimi ishte i hapur”, shkruan Berisha.
Arrestimi i Alqi Bllakos, Pandeli Majko pranon mandatin
Mbështetësit e Pandeli Majkos nuk ishin aq të shumtë në numër sa t’i jepnin mandatin në zgjedhjet e 25 prillit të vitit të shkuar, por fati i buzëqeshi me disa muaj vonesë. Pas çdo të keqe është një e mirë, thotë shprehja popullore. Prangat e SPAK për Alqi Bllakon i hapën Majkos portën e parlamentit për herë të shtatë për t’u ulur si deputet. Që përpara zgjedhjeve parlamentare dy herë kryeministri i socialistëve e kishte të qartë se renditja në pozicionin e 19-të të listës së kandidatëve për deputetë ia rrezikonte fitoren. Numërimi i votave nuk solli lajme të mira për të, pasi 8780 votues e kishin zgjedhur si të preferuarin e tyre, 1220 vota larg pragut për kapërcimin e herësit. Fjalët për largimin nga parlamenti zgjodhi t’i thoshte me disa rreshta në Facebook, duke cituar të atin ish-ushtarak: “Siç thoshte edhe im atë, ndjesë pastë, 19-ta kërkon leje për t’u ulur”. Një tjetër leje duhet t’i japë tani Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i cili do të bëjë verifikimin rutinor të formularit të dekriminalizimit dhe më pas t’ia japë zyrtarisht mandatin si deputet i Kuvendit të Shqipërisë edhe në legjislaturën e dhjetë.