Në Konferencën e parë Kombëtare të Antikorrupsionit, kryeministri Edi Rama tha se nuk ka ndodhur kurrë më parë, në asnjë qeverisje, që të luftohet korrupsioni si tani.
Sipas tij, kjo konferencë është një moment historik dhe ky është një proces, ku ndahet kushëriri i ndershëm nga i fajshmi. Kryeministri Rama sulmoi qeverisjen e mëparshme, që sipas tij, i bënte emërimet në punë me lekë ose me njohje.
Duke mos përmendur emra, Rama theksoi mes të tjerash se “Rekrutimi i policëve bëhej me letra bakalli, që deputetët ja dorëzonin Ministrit të Brendshëm, që ishte një nga anëtarët e grupit parlamentar të partisë në pushtet, dhe niveli i trupës së policisë përcaktohej nga cilësia e burimeve njerëzore, që dilnin nga xhepat e deputetëve ët zonave për vite me radhë. Kjo sot është e paimagjinueshme”.
“Ky është një moment historik, përtej mangësive që ka një proces. Ky është një proces ende në hapat e parë, ku ndahet kushëriri i ndershëm nga i fajshmi. Është jashtëzakonisht një sfidë e madhe dhe nuk ka ndodhur kurrë. S’ka pasur Shqipëria drejtësi të drejtë apo të pavarur nga politika, në asnjë prej momenteve të qeverisjes së saj, qoftë në mbretëri, qoftë në komunizëm, qoftë në periudhat përpara, as në periudhën përpara reformës në drejtësi. Ky është një fakt, pavarësisht se ky është një proces. Është një proces që ka ulje e ngritje, që ka rëniet dhe zhgënjimet e veta, por që është procesi i duhur në drejtimin e duhur.
Shumë herë gabimisht korrupsioni dhe lufta kundër korrupsionit identifikohet me thjesht çfarë bën drejtësia dhe kush u fut në burg, apo kush u akuzua përpara gjykatës. Ndërkohë që kjo është vetëm njëra anë. Ana tjetër është ana që ka të bëjë me marrëdhëniet mes qytetarit dhe shtetit në jetën e përditshme, ka të bëjë me drejtësinë e jetës së përditshme, ku jo domosdoshmërisht bëhet fjalë për një vepër penale, por ku e drejta shkelet dhe shkelet në mënyrë flagrante.
T’i marr me radhë disa prej aspekteve të përditshme të jetës. Kush ka qenë prind që ka çuar fëmijë në universitet, deri para pak vitesh e di shumë mirë si futeshe në universitet. E di që vendet në universitet ziheshin jo sipas meritës, pra nuk kishte drejtësi. Që me reformën që bëri Lindita Nikolla, si ministre në atë kohë, u kalua në platformën tërësisht digjitale, një platformë tërësisht transparente. Të vijmë te mësuesit. Sa shanse kishte deri para pak vitesh të bëheshe mësues, nëse nuk ishe i lidhur me partinë në pushtet, dhe sa mësues janë sot në vendet e punës falë platformës digjitale të rekrutimit të mësuesve, pasi prisnin me vite e vite në radhë për t’iu hapur dera e rekrutimit në punë. Çuditërisht platforma e rekrutimit të mësuesve tregoi se mësuesit që ishin në radhë merrnin më shumë pikë se tjerët, por nuk bëheshin pjesë e sistemit. Marrim infermierët, ishte e pamundur të bëheshe infermiere pa një tesere partie. Gjithë sistemi i rekrutimit të infermierëve kthehej në një sistem rekrutimi partiak, gjë që sot është e paimagjinueshme, sepse të gjithë sot rekrutohen përmes sistemit digjital.
Rekrutimi i policëve bëhej me letra bakalli, që deputetët ja dorëzonin Ministrit të Brendshëm, që ishte një nga anëtarët e grupit parlamentar të partisë në pushtet, dhe niveli i trupës së policisë përcaktohej nga cilësia e burimeve njerëzore, që dilnin nga xhepat e deputetëve të zonave për vite me radhë. Kjo sot është e paimagjinueshme. Nuk futesh dot në Akademinë e Policisë pa kaluar nëpër filtra. Futej kush paguante para apo kush kishte lidhje farefisnore apo krahinore, por asnjëherë nuk ishte e garantuar të futej ai që e meritonte. Kishte shumë pak vajza në polici, për shkak se rekomandimet që bëheshin, bëheshin nga mitingjet te tryeza e ministrit, dhe sigurisht që në mitingje shumica ishin burra”, u shpreh kryeministri Rama.