Ekonomistët shqiptarë të “panjohur” të viteve ’20-’30 !

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Kreshnik Kuçaj

Për rreth 50 vite me radhë, regjimi komunist refuzoi të njohë ndonjë arritje të periudhës para luftës, edhe në fushën ekonomike. E ky refuzim, solli në fakt edhe lënien në harresë të ekonomistëve të atyre viteve. Mëposhtë janë profilet e shkurtuara të disa prej ekonomistëve që kanë lënë gjurmë në ekonominë shqiptare të atyre viteve. 

Kuteli, profili si bankier i Doktorit të Shkencave Ekonomike

Mitrush Kuteli - Wikipedia

Dhimitër Paskon apo siç njihet ndryshe Mitrush Kutelin e njohim më së shumti për veprat e tij artistike, si themelues të prozës moderne shqiptare, si përkthyes, si autor të dhjetëra analizave, kritkave, tregimeve apo vjershave. E megjithatë, profesioni i tij ishte ekonomist dhe bankier, duke qenë ndër të parët shqiptarë që mori titullin Doktor i Shkencave Ekonomike.

Kuteli lindi në Pogradec në shtatorin e vitit 1907 ku kreu edhe shkollën fillore. Në vitin 1921, ai shkoi në Selanik për të ndjekur shkollën tregtare. Në vitin 1928, shkoi në Bukuresht ku vijoi studimet në Akademinë e Shkencave të Larta Ekonomike ndërsa në vitin 1934 mori doktoratën në shkencat monetare e bankare me rezultatet më të larta.

Gjatë periudhës së studimeve për shkencat ekonomike, ai nuk e la pas aktivizmin kombëtar e as kultivimin e talentit të tij letrar.

Sipas Akademik Anastas Angjeli « Dhimitër Pasko (Mitrosh Kuteli) u diplomua më 1931 dhe në shkurt 1934 mori Doktoratën në Shkencat Bankare dhe Monetare, me vlerësimin më të lartë “Diplomam Magnam cum Laudæ”. Një nga shokët e tij të shkollës, Ionel Zeana, ka shkruajtur pas mëse gjashtëdhjetë vjetësh : Dhimitër Pasku kreu studime të shkëlqyera, duke u dalluar qysh në fillim si një element i jashtëzakonshëm, jo vetëm përmes kapacitetit të tij intelektual të veçantë, po edhe përmes seriozitetit, maturisë, ndërgjegjshmërisë, forcës për punë dhe krejt qëndrimit të tij moral, cilësi këto që tërhoqën vëmendjen, vlerësimin dhe mbrojtjen e profesorit të tij të madh të financave, Viktor Slëvescu, prijësi liberal, ish-ministër dhe Guvernator i Bankës Kombëtare. Duke e marrë doktoratën në Financa, me një tezë të vlerësuar në superlativitet, Dhimitër Paskos iu hapën perspektiva nga më të bukurat, për realizimin e një karriere të shkëlqyer. I angazhuar më së pari si funksionar, ai arriti brenda një kohe të shkurtër të bëhet drejtor i Bankës Kombëtare, duke iu përkushtuar ekskluzivisht ekzigjencave të një profesionaliteti të ngushtë, pa u regjistruar në ndonjë parti politike”.

Pasi përfundoi doktoratën, ai punoi në periudhën 1934 deri në vitin 1942 si nëpunës i lartë në Ministrinë e Financave të Rumanisë dhe më tej drejtor i Bankës Kombëtare të Bukureshtit.

Ai u mobilizua në vitin 1942 për të shkuar drejt Stalingradit për të luftuar në front megfjithatë u detyrua të ikë nga atje për shkaqe familjare. Në këtë mënyrë, ai u rikthye në Shqipëri, ku për disa muaj në vitin 1942 punoi në shoqërinë SASTEB që merrej me shpërndarjen e drithërave dhe më pas në Bankën Kombëtare të Shqipërisë si këshilltar në fushën e monedhës.

Gjatë periudhës së pushtimit gjerman, ai pati konflikte dhe përplasje të forta me administratën gjermane të bankës. Ai kundërshtoi emetimin e monedhës së re që kishte si synim që të financonte ushtrinë gjermane e kjo i kushtoi shtrenjtë pasi rrezikonte të humbiste dhe jetën.

Ditari i Direzione Centrale, në mënyrë skrupuloze sjell shënime dokumentative të periudhës, sjell opinine të drejtuesve të saj mbi situatat monetare, sjell qëndrimet e Qeverisë së Rexhep Mitrovicës, në lidhje me bankën dhe situatat monetare të kohës. Rroli dhe kontributi i Dr. Dhimitër Paskos, është i qartë dhe i admirueshëm në lidhje me politikat monetare që duhet të ndiqen, duke rezistuar presioneve të shumta që vinin nga gjithë aktorët ushtarakë, politikë, diplomatikë. Rruajtja e pavarësisë së Bankës Nazionale, nga këto ndikime shpesh dukej një mision i pamundur duke vënë në provë edhe qëndrimin apo jo në detyre të drejtuesve të saj për të mos marrë vendime në dëm të interesave të Bankës dhe të Shtetit të brishtë Shqiptar.

Më herët, ai kishte publikuar analiza të shumta ekonomike për Bankën e Shqipërisë, rolin e saj në ekonominë shqiptare dhe përfitimet e munguara të shqiptarëve në vitet ’30 ai u bë pjesë e debatit publik në të cilin merrnin pjesë Mehdi Frashëri e Mark Kakarriqi për kombëtarizimin e Bankës qendrore të Shqipërisë.

Në këtë kontekst, Doktor Pass analizonte problemin e fitimeve të munguara nga ana e shqiptarëve, drejtimin e huaj të bankës, pamundësinë e vendimmarrjes dhe problemin e kostos së printimit të parave të vogla. Ai shfaqet radikal në propozimet e tij duke kërkuar që kapitali i bankës kombëtare të ishte shqiptar dhe jo i huaj, në mënyrë që më pas banka të vihej në funksion të ekonomisë shqiptare. Por propozimet e tij mbeten në letër pasi nuk u morën parasysh.

Pas ikjes së gjermanëve dhe ardhjes në pushtet të komunistëve, doktor Pass rikthehet në Bankën Kombëtare tashmë të emërtuar Banka e Shtetit Shqiptar, pas shtetëzimit.

Në vitin 1945 ai ideoi dhe zbatoi operacionet e rëndësishme të kësaj periudhe si vulosja e parave që njihet ndryshe si procesi i syrzharzhimit, emetoi çeqet monedhë për plotësimin e nevojave të para financiare që kishte arka e shtetit por ashtu si me gjermanët, ai u përplas me autoritetet në vitin  1946 pasi kundërshtonte raportin që ishte vendosur mes lekut shqiptar dhe dinarit jugosllav, në dy vitet që njihen ‘pranvera’ e parë e marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave, e ku u nënshkruan konventa bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve.

Në vitin 1947 ai u arrestua dhe u dënua me 5 vite heqje liri por u fal pas prishjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë në vitin 1949. Pas kësaj ngjarje, ai nuk u përfshi më në ekonomi dhe u mor vetëm me përkthime; veprimtari që i siguroi jetesën deri në vitin 1967, kur edhe u nda nga jeta.

Mehdi Frashëri-Profil ekonomisti i një kryeministri liberal

Mehdi Frashëri, Rrëfimet e njeriut-çelës të kufijve tanë - Redaktori.net -  Informohu qartësisht!

Mehdi Frashëri lindi në vitin 1872 në Frashër të Përmetit. ai u shkollua në Janinë dhe më pas në Manastir. Arsimin e lartë e kreu në Stamboll për shkenca politike administrative. U aktivizua që herët në shtypin shqiptar, me Albanian e Faik Konicës. Frashëri pati një karrierë të gjatë dhe në nivele të larta gjatë periudhës së Perandorisë Osmane. Me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, ai u kthye në vendlindje në cilësinë e prefektit të Beratit dhe më pas në vitin 1913 si përfaqësues i qeverisë shqiptare në Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit.

Me ardhjen e Princ Vidit, emërohet kryebashkiak i Durrësit. Në përfundim të Luftës së Parë Botërore, ai rikthehet në Shqipëri ku mban detyra të rëndësishme në qeveritë e para të pasluftës, si ministër i Brendshëm e më pas si përfaqësues i Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris.

Gjatë kësaj kohe, ai është pjesë e delegacionit shqiptar në Lozanë të Zvicrës ku u diskutua borxhi që Shqipëria do të paguante në kuadër të shpërbërjes së Perandorisë Osmane.

Në këto bisedime, sëbashku me përfaqësuesitn tjetër Benedikt Blinishtin, ai shkëlqen në arsyetime dhe argumente, duke arritur në fund që jo vetëm ta ndante Shqipërinë nga Perandoria Osmane pa borxhe, por edhe të krijonte një precedent që më pas do të përdorej edhe nga vendet e tjera të ish perandorisë në përllogaritjen e borxhit që duhej paguar. Në këto diskutime, Shqipëria arriti të shmangë një faturë prej 7 miliardë dollarësh që duhej paguar.

Pas Kongresit të Lushnjes, ai mbante detyrën e ministrit nga Brendshëm dhe arrin të zgjidhet edhe deputet.

Në këtë periudhë, ai luan një rol të rëndësishëm në orientimin e legjislacionit shqiptar nga lindja drejt perëndimit. Ai drejton komisionet për ligjet e reja, kryesisht ekonomike, që duhej të shkëputeshin nga ato të Perandorisë Ismane dhe të orientoheshin sipas modelit të vendeve perëndimore si Italia, Franca, Gjermania apo Britania.

Frashëri është nismëtar i Reformës së parë Agrare në Shqipëri, Kodit të parë Tregtar, Kodit Civil dhe përfshihet në diskutime intensive për krijimin e Bankës shqiptare.

Në vitet 1929-1930 ai zgjidhet kryetar i Këshillit të Shtetit ndërsa në vitin 1935 emërohet kryeministër i Shqipërisë. Në detyrën e kryeministrit, ai spikat për frymën perëndimore që sjell në politikë duke u konsideruar si një ndër qeveritë me frymën më liberale që kishte pasur ndonjëherë Shqipëria.

Programi i tij qeveritar konsiderohet si një ndër programet më të mirëstudiuara dhe të mirëpërgatitura që ndonjë kryeministër ka realizuar ndonjëherë.

Lexo edhe :  Rrëfimi mbi vizitën misterioze të oficerit të SHIK/ Si humbën jetën kapiteni dhe togeri

Po ashtu, ai vendosi në Shqipëri një mënyrë krejtësisht të re të komunikimit me publikun, për faktin se preferonte të përfshihej në diskutime direkte me popullsinë. Në këtë periudhë, ai hartoi 16 projekte për përmirësimin e ekonomisë dhe të financave të vendit, së bashku me arsyet dhe analizat përkatëse të cilat u publikuan në një vëllim të posaçëm.

Këto projekte formonin kategorinë e parë të reformave dhe pasi të viheshin në praktikë parashikohej të fillonte edhe një seri e dytë e projekteve rreth reformave më të domosdoshme në Shqipëri.

Për fat të keq, klika e hajdutëve e të pashkollëve që duke përfituar nga vobekësia e popullit kishte marrë frenat e qeverisë në dorë, bëri ç’qe e mundur për të më rrezuar nga fuqia që të kishte fushë të lirë në vazhdimin e kusarisë së tyre.

Rrafshi intelektual i kombit shqiptar përsa u përket shkencave shtetnore ishte kaq i ulët sa nuk u gjet një njeri që t’i studionte metodikisht këto projekte dhe të çfaqte mendimin e vet.

 Organet e cubave, që diçka botuan rreth këtyre projekteve, formojnë objekt për të qeshur e për të qarë”  shkruante Mehdi Frashëri te ‘Probleme Shqiptare’ ku shpalosen këto projekte.

Qeveria e tij liberale në fakt pati jetëgjatësi të shkurtër dhe u rrëzua, duke mos mundësuar vendosjen në jetë të projekteve për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.

Ai aktivizohet gjerësisht në shtypin e kohës ku janë të njohura analizat e tij për ekonominë shqiptare, ku nuk mungojnë as ciklet e njëpasnjëshme të propozimeve për çështjet më të rëndësishme të Shëqipërisë si për zhvilliin e pasurive të paluajtshme, monopolin e duhanit apo rolin e Bankës Kombëtare.

Kur Italia nisi pushtimin e Shqipërisë në prillin e vitit 1939, ai kërkoi që të nisë rezistenca e armatosur nga ana e popullit shqiptar. Nga ana tjetër ai bëri një serë përpjekjesh me selitë diplomatike për të frenuar sulmin e armatosur të Italisë e në fund kur anijet ushtarake mbërritën në Durrës ai shkoi në zyrat e Radio Tiranës ku mbajti një fjalim motivues dhe bënte thirrje që populli t’i përgjigjej me armë sulmit.

Pas pushtimit italian, ai zgjodhi të mos emigrojë jashtë vendit, e si pasojë u arrestua nga forcat italiane dhe u internua në Itali, deri në momentin e kapitullimit të Italisë. Me futjen e trupave gjermane në Shqipëri, ai rikthehet dhe merr rolin e drejtuesit të Këshillit të Lartë të Regjencës, një organizëm në të cilin bënin pjesë edhe Lef Nosi, atë Anton Harapi dhe Fuat Dibra.

Pas çlirimit ai emigroi me familjen në Itali ku jetoi deri në vitin 1963. Pjesëmarrja e tij në Këshillin e Regjencës u sulmua nga regjimi komunist, duke bërë që të mos njihej as kontributi i mëparshëm i tij. Nga ana tjetër, familjarët e tij u persekutuan.  Frashëri u nda nga jeta në vitin 1963 në Itali, në moshën 91 vjeçare.

Stefan Curani-Ministri që futi Shqipërinë në “Unionin Monetar Latin”

Stefan Curani lindi në Shkodër me 5 gusht të vitit 1865, në një familje tregtare. Babai i tij ishte tregtar dhe prodhues me lidhje me Venedikun por që e humbi jetën në vitin 1872, duke e lënë të birin jetim në moshë të mitur.

Ai ndjek Kolegjin Saverian të Shkodrës ku del me rezultate të larta. Në Kolegj mëson italisht, frëngjisht dhe latinisht pasi bie në sy talenti i tij për gjuhët e huaja. Pasi përfundon shkollimin, ai nis punën si mësues në Durrës por vetëm për pak kohë, pasi në vitin 1880 shkon për studime të larta në Vjenë. Atje shkollohet për shkencat ekonomike dhe juridike e njëkohësisht pasuron listën e gjuhëve të huaja që zotëron, me gjermanishten, anglishten, turqishten, persishten dhe arabishten.

Në Vjenë ai ndjek leksionet e historisë nga profesor Ludevig von Thaloczy, i cili menjëherë pas përfundimit të studimeve universitare i krijon mundësinë e punësimit në sektorin e Ballkanit të Ministrisë së Jashtme të Austro Hungarisë ku shef sektori ishte vetë ai.

Në këtë mënyrë, Curani nis aktivitetin patriotik ku publikon librin e historisë “Ndodhjet e Shqipnis – shkrue prej një gegu që don vendin e tij”.

Në Shkodër rikthehet në vitin 1908 ku përfshihet në aktivitetin politik për Pavarësinë e Vendit. Në vitin 1912, ai ndodhej në Trieste nga ku mbante prej kohësh marrëdhënie me aktivistët e tjerë të çështjes shqiptare, e sidomos me Luigj Gurakuqin.

Në këtë kohë mblidhet Kongresi i Triestes, ku Stefan Curani ka rolin më kryesor.

Pas kthimit të tij në Shkodër në vitin 1908, Stefan Curani u përfshi gjerësisht në transportin detar. Në Trieste ai kishte shërbyer si Inspektor i Përgjithshëm në Shoqërinë e Lundrimit “Llojd” që ishte e perandorisë Austro-Hungareze. Në vitin 1908 ai në marrëveshje ” Llojdin ” austriak  krijoi në Shkodër shoqërinë e lundrimit “Stefan Zurani”, që ishte e para ndërmarrje e kësaj natyre në Shqipëri Kjo shoqëri lundrimi kishte tre anije; anijen “Skënderbeg” që lundronte nëpër Liqenin e Shkodrës deri në Vir-Pazar të Malit të Zi, anijen “Buna” që lundronte përgjatë detit Adriatik dhe anijen “Liqeni”.  Aktiviteti i shoqërisë që krijoi Curani zgjati disa vite. Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore marrëdhëniet me “Llojdin Triestin ” u ndërprenë dhe më pas një anije iu mbyt ndërsa të tjerat i shet.

Në përfundim të Luftës së parë Botërore, në fillimin e viteve ’20 Shqipëria nis të riorganizojë shtetin dhe financat. E Stefan Curani merr detyrën e ministrit të Financave në korrikun e 1921 me kryeministër Iliaz Vrionin. Pavarësisht se nuk qendroi shumë kohë në këtë detyrë, ai la gjurmë të pashlyeshme në historinë ekonomike të vendit. Në cilësinë e ministrit të financave, Stefan Curani firmosi përcaktimin e një njësie monetare bazë për të llogaritur si të ardhurat ashtu edhe shpenzimet buxhetore. Stefan Curani e konkretizon këtë zhvillim duke bërë bazë të njësisë monetare për efekt të llogaritjes ‘Frangun Ar”, si edhe duke caktuar kurset e këmbimit me shumëllojshmërinë e monedhave të huaja që qarkullonin në vend në atë kohë.

Por aktiviteti si shtetar i Stefan Curanit në atë kohë,  ka qenë shumë më i gjerë. Si njohës shumë i mirë i pasurive natyrore por edhe i nevojave të mëdha që kishte vendi, ai spikat në ato vite për tërheqjen në Shqipëri të specialistëve të shquar, të cilët patën ndikim në zhvillimin ekonomik të vendit.

Ndërkohë që përpjekjet për të krijuar Bankën e Shqipërisë vijonin, roli i Stefan Curanit ka qenë përsëri I rëndësishëm. Ai besohet se ka qenë ndërlidhësi mes palës shqiptare dhe grupit financiar italian të kryesuar nga Mario Alberti; kjo edhe për vetë faktin se Curani dhe Alberti njiheshin që nga koha e studimeve të përbashkëta në Universitetin e Ekonomisë në Vjenë.

Marrëveshja për krijimin e Bankës u nënshkruar me 15 mars të vitit 1925, dhe në fund u krijua Banka Kombëtare e Shqipërisë ku 96% e aksioneve i përkisnin grupeve financiare të huaja (kryesisht italiane) dhe 3,03% palës shqiptare, që përfaqësohej nga Ajet Libohova, Eqerem bej Vlora dhe Neshat pashë Vlora. Në fillim, Stefan Curani është anëtar i Këshillit Administrativ të bankës, e më pas Komisar i Shtetit shqiptar në bankën që e kishte selinë në Romë.

Tre vjet më vonë, më 1928 pala shqiptare përfaqësohet si aksioner i vetëm në bankë nga Stefan Curani me 3,1% të totalit të aksioneve, të cilat ai do t’i mbajë deri më 1932.

Funksionet e tij në Bankën Kombëtare të Shqipërisë i mbajti deri në vitin 1939, deri pak kohë pas  pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Në këtë vit, në mbledhjen e parë të Këshillit Administrativ, ai kryen një akt të fortë duke refuzuar që të jepte pëlqimin e tij që baza e arit, e cila garantonte monedhën shqiptare të zëvendësohej me liretën italiane që mbështetej në konventën ekonomike – doganore valutore midis qeverisë shqiptare dhe qeverisë italiane të 20 prillit 1939.

Megjithëse e dinte që protesta e tij nuk kishte vlerë praktike, sepse aksionet e bankës zotëroheshin plotësisht nga italianët, ai e kreu atë akt dhe kjo do t’i kushtonte gjatë periudhës së shkurtër të jetës që i kishte mbetur. Ai ndërroi jetë më 14 prill 1941, në vilën e tij në fshatin Rrenc të Shkodrës.

 

 


Të fundit

Republika Islamike nuk mund t’i mbijetojë këtij revolucioni

Pa shenja të dukshme të lodhjes revolucionare - pavarësisht dhunës së plotë me të cilën protestuesit u ndeshën nga...

Berisha: Do të thërrasim popullin për protesta

Në një tryezë të mbajtur këtë të mërkurë me përfaqësues të sindikatave në vend, Berisha u shpreh së do të vendoset së shpejti për...

Berisha kujton se është viti ‘91

Nga Plator Nesturi Një skemë e vjetër me fytyra të vjetra u servir si gjetje e re e opozitarizmit. Skena u luajt dje ndërsa kryetari...

Meta nis fushatën: Ligj në Kuvend për legalizimet falas

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka thënë se është bërë gati projektligji për legalizimin falas të objekteve informale. Kreu i PL ka...

Amnistia fiskale/ Rama takohet sot me ambasadorët e akredituar në Shqipëri

Kryeministri Edi Rama do të takohet sot me ambasadorët e huaj në vendin tonë. Mësohet se në fokus të bisedës do të jetë projekti...

Lajme të tjera

Web TV