Në prag të vitit të ri shkollor, kryebashkiaku i Tiranës po inspekton ditë pas dite punimet e fundit në shkollat që pritet të hapen këtë shtator.
Po ashtu, Shkolla e re “Kiço Blushi” që përfshin të gjithë ciklin e sistemit parauniversitar, nga parashkollori deri në gjimnaz, do t’i bashkëngjitet 12 shkollave të reja.
Kreu i Bashkisë, Erion Veliaj, tha se kjo shkollë bashkon zonën e vjetër të Tiranës në Njësinë 8 me lagjen e re të “5 Majit” duke i dhënë fund amullisë dhe ngarkesës që impononte mësimin me dy turne të nxënësve.
“Është një ditë shumë e mirë për të gjithë zonën e Pazarit të Ri, gjithë transformimet që janë aty, por dhe për pjesën e Njësisë 8 që është pjesa e shtuar poshtë Unazës deri tek Bregu i Lumit, sidomos kjo e fundit, e cila ka qenë pjesa ndoshta më e degraduar dhe e lënë pas dore e qytetit”, tha Veliaj.
Sipas tij, fakti që shkolla është realisht pjesa lidhëse, pra e Tiranës së vjetër me Tiranën e re, e këtyre dy realiteteve, të atyre që janë “dem baba dem” me ata që kanë ardhur nga çdo cep i Shqipërisë, jep një zgjidhje të jashtëzakonshme.