Nga ROLAND QAFOKU
Teksa më shumë se 2 dekada më parë ndodhesha në Boston i angazhuar në një projekt, një ditë pothuajse u shashtisa nga diçka që po e kuptoja vetëm kur dola në rrugë nga hoteli. Nuk po shikoja askënd në rrugë. As njeri, e as makina. Hiç fare, për be. Ishte që qetësi e frikshme. Në minutat e para e mora si rastësi, por teksa vijoja të ecja i vetëm në një qytet të huaj, në mendje po vërititeshin sa e sa versione.
Ç’kishte ndodhur? Përse qyteti rinor aq i zhurmshëm universitar i SHBA-së atë ditë ishte bosh? Ditë pushim nuk ishte. Ditë feste nuk ishte. Atëherë, çfarë ishte?
Më qetësoi një kalimtar i rrallë fare që hasa në rrugë të cilit i kërkova “ndihmë” sikur unë të isha Robinson Kruzo. “Është duke u luajtur finalja e baseball-it” tha dhe nxitoi për ta ndjekur edhe ai. Të gjithë shikonin ndeshjen, përveç ne të huajve. Kush në stadium e kush në televizor në shtëpi, i gjithë qyteti e kishte lidhur ditën me ndeshjen. U lehtësova, por nuk ia fala vetes që isha treguar aq i pavëmendshëm dhe u përballa me një situatë të tillë.
Shikoni këtë foto! Është e vitit 1932. Pesë tifozë po ndjekin finalen e baseball-it nga jashtë stadiumit Wirgley Field të Chicagos hipur në një pemë, brenda të cilit luan skuadra e tyre e zemrës Chicago Cubs. Futbolli jo e jo, por as basketbolli nuk i mbledh kaq shumë amerikanët sa baseball-i. Një lojë që falë atij incidenti nisa ta ndjek sado pak.
Por duhet thënë se asnjëherë nuk më ngjiti. As rregullat nuk i kuptova kurrë e as tifoz nuk u bëra kurrë. Më duket lojë aq e ngatërruar, me rregulla idiotë dhe pothuajse e denjë për një planet tjetër. Planeti Tokë ka tjetër mbret të sporteve. Nuk është atletika. Është vetëm footbolli. Një magji që amerikanët nuk arritën dot t’ia merrnin mëmës Angli. Edhe emrin ia ndryshuan në soccer. Tani unë e kuptoj shumë mirë këtë foto.