Një ditë pas shkarkimit, ish-kreu i Policisë së Shtetit Gledis Nano bëri publike letrën e “lamtumirës policore” ku nën rreshta përmend fjalën si “guxim dhe moral”. Nano i falënderoi të gjithë përveç Ramës dhe Çuçit dhe kjo tregoi një përplasje të mënyrës së drejtimit të strukturave policore por edhe ngjarjeve madhore që shkaktuan debate deri në shkarkimin e tij.
Qëndroi vetëm për 11 muaj në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, por Gledis Nano i është drejtuar kolegëve, drejtuesve dhe ekspertëve të organizmave partnere ndërkombëtare, përfaqësuesve të mediave dhe anëtarëve të komunitetit me një letër të gjatë falënderuese. Në këtë letër ai nuk ka prekur në asnjë rresht ata që i besuan detyrën, ministrit Çuçi dhe kryeministrit Edi Rama. Përkundrazi ai ka sjellë në vëmendje një shprehje të ish- kryeministrit të Izraelit, për të treguar moralin në punë dhe në profesion.
“Në punën time, nuk më ka mjaftuar vetëm përvoja e fituar nga vitet, por edhe modelet e ndërtuara nga shumë prej personaliteteve madhore të marrëdhënieve ndërkombëtare, ku njëri prej tyre mbetet edhe një nga mendjet më të ndritura të politikës botërore; Shimon Peres. Prej tij kam mësuar dhe nuk e kam harruar për asnjë çast thënien se: “Gjëja më e rëndësishme në jetë është të guxosh. Gjëja më e ndërlikuar në jetë është të kesh frikë. Por, më e zgjuara në botë është përpjekja për të qenë një person me moral”, shprehet Nano, për të vijuar me shprehjen e një tjetër filozofi. “Ashtu siç thotë edhe Konfuci i madh se “Fitorja jonë më e madhe nuk është të mos biem kurrë, por të ngrihemi sa herë që biem”! Ndërsa jo me fjalë të drejtpërdrejta, Nano ka shprehur pakënaqësi për shkarkimin e tij në një kohë të qetë, pra disa ditë pasi ndodhen të paktën pesë ngjarjet e tmerrshme. Ai nuk ka bërë asnjë analizë të punës së tij, por duke përmendur kolegët që i ka pasur mbështetje në arritjen e objektivave, tregoi se policia e Shtetit e ka bërë detyrën e saj. “Pikërisht në ditën e sotme, në fjalën time falënderuese për gjithsecilin prej jush, nuk kam ndërmend aspak të bëj një analizë të punës sime si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, përkundrazi atë mund ta bëjë fare mirë dhe lehtësisht secili prej jush, çdo profesionist me përvojë brenda apo jashtë radhëve të policisë si edhe çdo qytetar i thjeshtë, i cili beson tek autoriteti i policisë, sikurse Policia e Shtetit, beson dhe mbështetet tek integriteti i gjithsecilit prej anëtarëve të komunitetit”, tha Nano. Ai tha se çdo punë që bëhet, sidomos në komunitet është një provë për karakterin, i cili sipas tij nuk ka ndryshuar për shkak “të interesave”. “Në mënyrë të veçantë, postet drejtuese janë dhe do të mbeten një provë karakteri për të gjithë ata që marrin përsipër detyrat e vështira dhe me përgjegjësi të lartë shoqërore. Ajo që ka një rëndësi parësore në këtë aspekt është ruajtja e tipareve identitare, thënë më qartë, mos tjetërsimi dhe qëndrueshmëria mbi parimet me të cilat jemi mbrujtur qysh në bankat e shkollës deri në ditën kur kemi bërë betimin përpara flamurit kombëtar, besnikëria ndaj të cilit mbetet akti më i vështirë por edhe më i çmuari!”, shkruan Nano në letrën e tij. Ai shton se njeriu do të mund të mbahet mend, për gjurmët që ka lënë pas, si edhe për ndihmën që ka mundur të përçojë në dobi të komunitetit ku bëjmë pjesë. “Të gjitha këto arritje ne i realizuam së bashku, pasi asnjëherë nuk e kam menduar forcën e armës që drejtoja për ta renditur karshi jush por gjithmonë të ishte përkrah jush, duke hedhur hapa të matur dhe pa u ndalur për asnjë çast, qoftë edhe kur përballej me realitete që preknin dhe kërcënonin sigurinë publike dhe atë institucionale. Sot, ashtu siç edhe mund ta keni vënë re, kemi një situatë ku polici nuk përqeshet ose të shndërrohet më në objekt humori. Tanimë çdo përkushtim e sakrificë deri në dhënien e jetës në emër të detyrës, zë vend në panteonin e vlerave më të patjetërsueshme të armës sonë”, tha Nano.
Vështirësitë
Gledis Nano në letrën e tij falënderuese, ka shkruar se vështirësitë e kanë rritur profesionalisht, pasi siç e thotë vetë “askush nuk mund të përsoset pa kaluar në tehun e vështirësive. “Situatat e vështira janë ato që na kanë rritur dhe stërvitur, me qëllim për t’i parandaluar dhe kapërcyer ato, sepse gjatë jetës së tij profesionale askush nuk mundet të përsoset pa kaluar nëpër tehun e vështirësive. Pikërisht kjo është dhe mbetet shkolla më e madhe të cilën na e shpalos jeta dhe çdo aspekt i saj. Të mos harrojmë për asnjë çast se ne jemi jo vetëm pasardhës por edhe bij e bija të atyre brezave që me mund e vetëmohim arritën ta bëjnë këtë vend dhe besuan në ardhmërinë e tij. E kaluara është ajo dritare që na përcjell vetëm të vërtetën, atë të vërtetë për të cilën na del të gjithëve si detyrë të punojmë e të sakrifikojmë jo pak nga jeta jonë, ashtu siç thotë edhe Konfuçi i madh se “Fitorja jonë më e madhe nuk është të mos biem kurrë, por të ngrihemi sa herë që biem!””, shkruan Nano, duke uruar dhe pasardhësin. “Falënderoj në mënyrë të veçantë të gjithë kolegët dhe çdo punonjës të Policisë së Shtetit që me përgjegjësi, devotshmëri e profesionalizëm përmbushin dhe i përgjigjen në kohë çdo situate apo detyrimi ndaj shoqërisë dhe institucioneve. Shpreh mirënjohjen dhe falënderimin për të gjithë agjencitë ligj zbatuese dhe partnerët ndërkombëtarë, për frymën e bashkëpunimit dhe mbështetjen që i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin Policisë së Shtetit, në dobi të përvetësimin të modeleve më të përparuara që aplikohen sot në vendet e zhvilluara”, shkruan Nano. Ai nuk ka lënë pa përmendur edhe punën e medias sa i takon punës së policisë. “Kam një vlerësim dhe falënderim të veçantë për median dhe përfaqësuesit e saj, të cilët kanë përcjellë me transparencë të plotë dhe kanë analizuar në mënyrë të paanshme dhe tejet profesionale çdo etapë të punës së Policisë së Shtetit, në përmbushjeve të detyrimeve dhe interesave ndaj qytetarëve. Nuk mundem të rri, pa i kushtuar një vëmendje dhe një falënderim të veçantë mbarë komunitetit sepse falë marrëdhënies së ndërsjellë që krijuam, ky i fundit mbetet mbështetësi dhe motivi më i fortë e i qëndrueshëm në krejt veprimtarinë e Policisë së Shtetit”, shkruan Gledis Nano.