Hapjet e mediave sportive për ditën e sotme iu kushtuan faqet e para ndeshjeve të Champions League mbrëmë.
Në Itali, Juve zhgënjen duke u mundur nga PSG.
Në Spanjë, Real Madrid vazhdon me hapa të mëdha duke dominuar ndaj Celtic.
Ndjekim disa nga titujt kryesorë të mediave sportive:
La Gazzetta dello Sport hapet me ndeshjen e Juves në Champions: “Sa keq zonja”. PSG nokauton ‘Zonjën’ me rezultat 2-1, nga parizienët shënoi dopietë Kylian Mbappe, kurse nga bardhezinjtë shënoi McKennie.
“Makthi Mbappe” ka shkruar gazeta italiane Corriere dello Sport. Kylian Mbappe magjeps Juven në ‘Parc des Princes’.
Tuttosport vendos si titull kryesor “Guxim Juve”. PSG fiton 2-1, por Juve mund ta shikojë të ardhmen me besim.
“Hazard i bashkohet festës” është titulli i madrilenes AS. Belgu rikthehet te goli pasi zëvendësoi të dëmtuarin Benzema.
Mundo Deportivo hapet me katalanasit: “Ëndrra fillon”. Barça e re e Lewandowskit debuton në Champions League dhe Xavi shpreh ambicien maksimale për të fituar.
“Kampioni vazhdon të bëjë gjënë e tij” ka shkruar prestigjozja Marca. Real Madridi rikthehet në Champions League duke fituar pa vështirësi ndaj Celtic.
Edhe gazeta tjetër katalanase Sport fokusohet tek nisja e rrugëtimit të Barçës në Champions League: “Le të ëndërrojmë!”
Në Britaninë e Madhe, Mirror ia kushton faqen e parë bomberit norvegjez dhe fitoren fantastike të Manchester City me rezultat 4-0: “I pandalshëm”. Haaland tani ka 12 gola këtë sezon në 7 ndeshje.