Nga Sebi Alla
Edhe socialisti më i thekur, i mësuar me tregim gishti për ta gjetur të keqen gjithnjë tek kundërshtari politik, nuk e beson se PD ka rënë në batakun e financimeve nga Rusia. Një rus i kamufluar si biznesmen në Skoci, që kishte marrë para nga Putini për të destabilizuar Shqipërinë e mandej Ballkanin, e pas Ballkanit tërë Evropën, kontaktoi Lulzim Bashën për t’i dhënë 500 mijë dollarë, me qëllim që rusi të ndikonte te lobistët amerikanë, që Basha të bënte një foto me Trumpin… Kjo është historia që të kujton humorin e zi, që një partizan i veshur si ballist, u fut si infiltruar në radhët e gjermanëve dhe aty e vranë partizanët pa dashje, sepse mendonin që ishte gjerman i veshur si ballist… Tallava me çmim badihava më të madh se kaq nuk ishte parë e dëgjuar. Por, vallen është i detyruar që ta heqë Lulzim Basha dhe Partia Demokratike… Po si ia rrasën 500 mijë dollarë, pa e ditur burimin e të ardhurave? Basha e ka treguar veten se ka zgjuarsi të madhe për të qenë naiv i pandreqshëm. Humbi tetë herë rresht e sërish thonte jam fitimtar. “Beteja sapo ka nisur” – kërcënonte Basha, por kur pritej të shpërthente “lufta politike”, ai shihej shpesh në aeroport duke tërhequr valixhet me rroba dhe zënë vend në Holandë, aty ku u shkollua si yll në ngritje dhe shkelqeu tek ne vetëm për gafa politike, kryesisht në krye të opozitës që drejtoi për tetë vite me përkedheljen e vazhdueshme të Berishës. Kaq e varfër ishte PD sa të zgjaste dorën e lëmoshës për të pranuar në naivitet fondet ruse? Zyrtarisht PD-së i janë dhënë nga taksat tona për fushatë rreth 980 mijë dollarë në zgjedhjet Parlamentare 2017, ama në mënyrë të çuditshme i vijnë gjysmë milioni dollarë të cilët thuhet se rusët ia dhanë një kompanie lobiste amerikane, me qëllim që Basha të takonte Trumpin dhe atë foto ta shëtiste fshat më fshat e qytet më qytet, si bonus të madh për të marrë pushtet. E të mendohet se në vitin 2017, PD e drejtuar nga Basha pësoi humbjen më të mëdhe që nga krijimi i kësaj force politike. Po nëse rusët kishin për qëllim të financonin Bashën, që ky të merrte pushtetin, si është e mundur që ai humbi aq thellë? Po mos ndoshta Rama u kërkoi rusëve që të jepnin gjysmë milioni dollarë për Bashën, me qëllim që ta “zbulonin amerikanët” dhe Rama të shantazhonte Bashën me dijeninë e rusëve? Po, po, edhe mundet… Të qeshësh është pak. Duhet qarë me mjerimin tonë dhe malinjitetin politik të çdo kahu që na ushqen me propagandë, histori konspirative spiunazhi e me rusë që paguakan Bashën. Vetë amerikanët e dinin dhe e mbështetën fort Bashën kundër Berishës, por kur ai nuk ia doli të largonte Berishën nga politika, amerikanët u zemëruan dhe tani po e gozhdojnë Bashën, pse jo mos e shpallin edhe “non grata”. Sikur nuk shkon çdo teori konspirative dhe iluzive. Ndoshta në PD njeriu më i “lumtur” është Sali Berisha, që ka një arsye më shumë për të sulmuar ish-kryedemokratin dhe i treguar atij se nuk mund të pranojë një person “pro rus”, as si deputet të PD-së. Madje, ish-LSI-stja Monika Kryemadhi tha se djegia e mandateve nga Basha dhe mosmarrja pjesë në zgjedhjet lokale 2019, ishin lobime të errëta ruse që kërkonin të mbanin në pushtet Ramën, duke përdorur Bashën. “Ah sa të thella paskan qenë këto punë” – dhe Kryemadhi i besoi moj e shkreta i besoi “poli-agjentit” me pseudonimin “naivi qejfli i lekut”. Basha mund të akuzohet për çdo gjë, por të jetë aq “grykës” dhe i paditur sa të pranojë finacime nga fondet ruse kjo mbetet e dyshimtë. Ai edhe më nje telefonatë të shkurtër, as 30 sekondashe mund të siguronte 500 mijë dollarë për lobim, duke “detyruar” ndonjë biznesmen që ta doroviste pak partinë sepse kur të vijnë në pushtet nuk do ja harrojnë këtë të mirë. Një pjesë e biznesit, madje edhe krimi i veshur me biznes, vetëofrohet në çdo subjekt politik, ku vetëm birrë e ujë pa gaz harxhohet mbi 500 mijë dollarë në kohë fushate nga këta “partitë e varfra” tonat. Po si u rikthye Basha i harruar? Këtë histori që është “zbuluar” katër vite më parë na e hodhën sërish amerikanët, të cilët sipas burimeve të tyre dyshojnë se Basha është paguar nga rusët që të bëjë lobim në Amerikë.
E shkreta PD
“Humbje që s’kapërdihet qenka o vlla mjerimi i mendjes”… Sot tregohet me gisht pa të drejtë e gjithë PD-ja, për këtë “sallatë ruse” me gjizë katundi që e gatuan këtu e pesë vite më parë, me kuzhinier “perëndimorin në formim”, Lulzim Basha. PS-së i intereson që të bëjë të madhe edhe atë që vetë nuk e beson. Herë pas here dalin ministra e deputetë duke akuzuar PD-në si një “parti pro ruse”. Dhe të mendosh që janë disa syresh që kur ishin fëmijë, ashtu të padjallëzuar me shallin e pionerierit në qafë, kanë vendosur lule në monumentet e Stalinit apo Leninit. E tirret e tirret kjo histori edhe poshtë në popull… Mes tyre dallojnë shumë ish-oficerë që sot mbajnë veten me bastun, por para viteve 90’ qëllonin me karabinë ku si shënjestër kishin fotografitë e presidentëve amerikanë, kryesisht të Reganit dhe Niksonit. Ata ish-ushtarakë sot thonë: “Rroftë Amerika”-“Poshtë PD-ja Ruse”, “Lart e më lart PS-ja”… Mos ndoshta Rusët e kanë menduar këtë lojë të madhe qëkur u larguan nga baza e Pashalimanit dhe Shqipëria doli nga Traktati i Varshavës? Po, po edhe kjo mund të ndodhë. “Syleshët po e marrin në qafë Perandorinë”…! Po sulmet kibernetike nga Irani? Rusia, Irani dhe Kina janë bërë bashkë për të sulmuar vendet Perëndimore dhe si halë në sy kanë Shqipërinë. “Agresioni është zmbrapsur me sukses” – tha Rama për sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë. “Ata na kanë në grykë të pushkës, po ne i kemi në grykë të topit”. Në fakt ne nuk kemi topa, ka kohë që janë shkrirë për skrap dhe kthyer në hekur për superndërtuesit tanë.
Të djallëzuar periferik
Më e pakëta Basha duhet të skuqet sa herë sheh veten në pasqyrë dhe në sfondin e saj shfaqet foto e tij me ish-presidentin amerikan Donald Trump. Po aq duhet të zverdhet edhe kryetari aktual i PD-së Sali Berisha, i cili e mbrojti Bashën deri në vetëmohim kur ish-ambasadori amerikan Donald Lu i kishte dorëzuar dosjen e dyshimtë të lobimit. Ky lobim prej 650 mijë dollarësh i kushtoi shtrenjt Bashës, jo në vlerë (sepse këtë shumë se kanë hiç problem) por në imazh dhe një damkë që i ngjitet me zor opozitarizmit, veçarisht Partisë Demokratike si subjekt që lindi forcë anti-komuniste perëndimore dhe po venitet si pro lindore. Më 14 nëntor 2017, “Stonington Strategies” raportoi në Departamentin e Drejtësisë se ka marrë dy pagesa nga Partia Demokratike me vlerë totale 500 mijë USD dhe një pagesë të tretë nga “Biniatta Trade LP” në vlerën e 150 mijë USD. Pikërisht pas lobueses “Beniatta Trade LP” dyshohet se fshihen biznesmenë rus të mbështetur nga Putini. Poltikanët tanë janë aq mjeranë në mendje sa arrijnë të paguajnë nga 300-650 mijë dollarë vetëm për të bërë një foto me presidentin amerikan, apo të shkembejnë dy fjalë me ndonjë kongresmen. Kjo ka ndodhur me drejtuesit e çdo partie politike që të udhëhequr nga stomaku dhe jo mendja, gjykojnë se do arrijnë të marrin vota tek qytetarët shqiptarë nëse u tregojnë një foto me presidentin amerikan dhe të krijohet opinioni: “Ai osh njeriu Amerikonve”. Ne votuesve të thjesht që kemi 32 vite që mbajmë në pushtet këta të superpushteshimit na hidhet një “kockë” 500 mijë dollarëshe për ta lëpirë, e më pas pështyrë sho-shoqin, ndërsa këta të pushtetshmit qeshin dhe ikin për të pushuar në vilat më shumë se 500 mijë dollarëshe diku aty në periferi të kryeqytetit. E gjithë kjo situatë zgjidhet aq lehtë sa nuk do hiç mend e kalem: Të funksionojë drejtësia. Basha të hetohet e në daltë i përfshirë duhet dënuar në bazë të ligjit për pastrim parash, ose të ndryshohet ligji me konsensus që të shtohet një nen për dënimin e “politikanëve naivë”. Këtu Basha e ka vërtetë pisk…