Taksisti Uljan Kolgjegja jo pak herë e ka shprehur hapur adhurimin që ka ndaj dy kushërinjve Martinaj, Brilantit dhe Ervisit, por sot ka folur për herë të parë për atë që e lidh me familjen nga Laçi. Në një intervistë të dhënë për emisionin “Shqipëria Live”, taksisti ka treguar se e parandjen që Ervis Martinaj është gjallë dhe mirë, ndërsa shton se nëse provohet që ka vdekur, edhe ai vetë nuk ka më jetë. Po ashtu, ka dhënë edhe detaje lidhur me gjendjen e familjarëve të Martinajt duke i cilësuar si shumë të mërzitur me lajmet që dalin për fatin e 40-vjeçarit. E teksa fliste për ta, “i shpëton” goja dhe thotë se Brilant Martinajn e kanë vrarë 3 persona, që do të marrin dënimin e merituar nga ligji sepse i prenë në mes ëndrrat një të riu.
“Brilantin e kam pasur si vëllanë e vogël. Visin e kam mbretin tim. Pa Visin nuk kam frymë. Atë ditë që do vdesë Visi, atë ditë do jem edhe unë në botën tjetër. Kam parandjenjë që Visi do jetë mirë. Brilantin e kam vëlla të vogël. Sa kam mbushur 18 vjeç e kam çuar me taksi në Europë, në Amsterdam. Atë që i kanë bërë për Brilantin…Zoti vonon por nuk harron. E takoja shpesh. Herën e fundit folëm për punët tona, nuk thuhen ato gjëra. Gjëra çunat. Ka pasur shumë qejf muzikën, ndiqte muzikën. Mbaronte pas Stresit. Ishte i muzikës. Vëllai im. Për Visin, pa atë nuk kam frymë. Nuk vendos as familjen time para tij. Ta dijnë mirë. Është parandjenja ime që nuk e ka gjetur gjë. Komunikoj javë për javë. Iki tek Brilanti, shkoj edhe tek ata. Mediat nxjerrin gjëra, kuptoje vetë si janë bërë. Unë u jap kurajo. Unë Visin e kam bërë tatu tek dora para 2 viteve. Brilanti thoshte ma bëj edhe mua tatuazh. Këmbëngultë gjithmonë, edhe ka qenë prezent edhe Stresi. Do e bëj portret Brilantin. Unë nuk e kam bërë për klientët këtë gjë. Nuk flasin për fotot që kam vendosur unë. Ata që i kanë prerë ëndrrën e Brilantit kanë bërë shumë gabim. Zoti vonon por nuk harron, për ata të tre e kam. Do marrin dënimin që meritojnë. Dënimin e marrin nga shteti. E vendos ligji. Normale që e vendos ligji. Luani ecën vetë. Është mbreti im, Visi. Nuk preket Visi, le ta harrojnë të gjithë,”-tha në fjalën e tij taksisti.
Ervis Martinaj ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Por, në 9 gusht, ai u zhduk pa gjurmë. Alarmin e ngritën familjarët e Martinajt dhe tashmë prokuroria po heton për rrëmbim personi dhe inskenim. Lidhur me këtë çështje, ka pasur edhe reagime nga kryeministri Edi Rama. Ai paralajmëroi edhe zhvillime, duke u shprehur se Policia e ka një përgjigje, por shumë shpejt do dalë me prova. Deri më tani, sipas publikimeve të dokumenteve në media, Prokuroria ka dalë në përfundimin se i shumëkërkuari Ervis Martinaj është ‘shitur’ nga një vajzë dhe më pas është ekzekutuar. Zyrtarisht nuk ka ende asnjë version.