Nga Leonard Veizi
QSUT nuk është në ditët e saj më të mira. Dhe kjo është një gjë që dihet tashmë. Madje ka vite që nuk është në ditë të mira në fakt. Por padyshim, që me pak mundim e me nerva të tendosura, aty mbaron punë, sipas rregullit, pa paguar asnjë faturë. Mirëpo meqenëse QSUT-ja nuk është në ditët e saj më të mira dhe jo rrallë bie dhe në ditë fort të këqija, në ndihmë të saj vijnë simotrat private.
Sot alternativat janë të shumta. Kush të le të biesh në tokë?!
E gjitha performanca e spitalit shtetëror me siglën e çmuar “QSUT”, më erdhi në mend teksa dëgjoja moderatorin e një emisioni televiziv i cili ndërsa i bënte reklamë një spitali privat, këmbëngulte rreth adresës, e që njerëzit ta kuptonin mirë e të mos ngatërroheshin e të shkonin në ndonjë derë tjetër, saktësonte: Përballë QSUT-së. Domethënë, spitali privat përballë spitalit shtetëror. Në përfundim: nuk ka vlerë të thuhet emri i rrugës, por pika e referimit më e dukshme për këdo. Dhe a ka më të dukshme dhe më të njohur për çdo njeri në Shqipëri se sa QSUT-ja?
Edhe nga fshati më i humbur të vish, e s’ke qenë kurrë në Tiranë, QSUT-në e gjen me sy mbyllur. Ose me nuhatje më mirë të themi. Të çon halli vet deri atje. S’ka nevojë për kallauzë.
Reklama në fjalë ka dy anë të medaljes: E para se kërkon myshterinj. E dyta në njëfarë mënyrë kjo është dhe një thirrje: Mos shkoni në QSUT se do ktheni patkonjtë nga dielli, shkoni te spitali privat se do dilni prej andej shëndoshë e mirë si kokrra e mollës.
Një në dorë.
Se kur dy spitale janë ngritur pranë njëra-tjetrit, kjo nuk do të thotë bashkëjetesë paqësore. Kjo ka të bëjë me rivalitet mes tyre, kush të tërheqë sa më shumë pacientë e klientë bashkë.
Lek or vëlla, lek se o bo keq.
Dy në dorë.
Në të vërtetë sfida është e hapur për spitalin shtetëror. Sepse ai ka qenë aty prej shumë e shumë vitesh. Ahu… që në kohën e Partisë. Madje dhe ca më parë. Dhe vetëm vitet e fundit sulmi ndaj tij është bërë i paprecedentë. Ka prej tyre që do të donin ta shembnin spitalin shtetëror, se u prish mjaft punë.
Tre në dorë… e nuk po vazhdoj më.
Të gjithë ne e kemi pasur nga një hall që na ka lidhur me spitalin. Ata që kanë probleme po e po, por dhe ata që janë mirë me shëndetin. Se një vizitë e një qokë tek një mik a i afërt do ta bësh se s’bën. Dhe nuk është e vështirë të verifikosh se si spitali shtetëror është i rrethuar nga të katër anët nga spitale, klinika diagnostikuese, laboratorë analizash dhe farmaci private. Në këtë mënyrë spitali është futur në një darë të hekurt nga konkurrentët.
Se kur nuk mbaron dot punë te shtetërori, se helbete ashtu i ka hallet… tak-fak të vjen në ndihmë privati. Nuk të lë të bësh as 100 metra në këmbë se të sjell ambulancën në pikë të vrapit me fenelina e sinjale akustike të ndezur sa të të duket se po hipën në avion. Dhe faturën e këtij shërbimi e ke sa zbret.
Ku ka sot xhaba vëlla! Faturën me gjithë TVSH. Se kanë dalë për kontroll ata të tatimeve
Në fakt aty ka dhe farmaci dhe laborator analizash por dhe spitale që e rivalizojnë qendrën më të madhe spitalore në vend. Kur nuk ka ndonjë medikament, farmacia e spitalit të thotë. “Çap një vrap deri te privati se mbaron punë shpejt”. Të gjithë bëjnë kështu. Të dërgojnë edhe për analiza, kur nuk ka reagentë. Të çojnë dhe për diagnostikime kur prishet aparatura.
– Mbahu o burrë…
Përballë, djathtas-majtas e nga pas QSUT-së mbahet e rrethuar nga klinikat private. Por më dinjitozët janë ato që i qëndrojnë përkarshi. Ballë përballë.
-Ah të kishim një mitroloz në konakun përkarshi!
-Nuk mund të kalohet oborri o mullixhi!
QSUT-ja, si institucion shteti mbahet e rrethuar nga një mori institucionesh private të mjekësisë. Si në një darë të hekurt. Nuk guxon të dalësh nga porta e saj se përfundon te porta tjetër, s’ke nga ia mban. Dhe t’i kesh parametrat në vizë të drejtë do të ta nxjerrin ndonjë kleçkë që të të mbajnë varur. Si puna e gozhdës së Nastradinit.
-Unë them të asgjesojmë të kësaj ane, pastaj mbi urë dhe asgjesojmë të tjerët.
-Jo byrazer, në urë të fshin ai matanë. Ku do futesh?!
Epo rivaliteti i fuqishëm i ka këto gjëra. Se kështu është katandisur mjekësa jonë. Aq sa nuk i ke besë as shtetit e as privatit.
Dhe kështu, si padashur m’u kujtua intervista televizive e një politikaneje jo pa peshë, – por që bashkëshortin e ka më me peshë, – e cila tregonte për përvojën e saj të kurimit në një spital të Austrisë, ku kishte rastisur me një tjetër burrë shteti shqiptar, që zanatin e dikurshëm e ka pasur mjek kardiolog. Kjo ekspoze përkon dhe më keq në këto ditë të vështira sepse tregonte katërcipërisht se këta të dy politikanë të lartë, si dhe shumë të tjerë më të ulët, kur u dhemb koka e kanë nevojë për një aspirinë, marrin rrugën spitalore të botës se nuk i besojnë as QSUT-së dhe as klinikave private në vend. Dhe më e bukura është se as ish-mjeku që ka punuar vite me radhë në Spitalin Shtetëror nuk u beson kolegëve të tij.
Ja këtu fillon e mbaron shteti.
-Hajde ç’vete hajde, ngrihet i biri ia dhjet të atit!
Dhe tani ankohemi se gjermani po na merr mjekë e ndihmësmjekë e po na i degdis. Jo në kampe përqendrimi, se mos ngatërrohemi, nëpër spitale e me rroga të mira, të kuptohemi.
-Po ju ç’prisni, ëëëë… ikni dhe ju bashkë me atë të madhin dhe le të këndojë qyqja në këtë shtëpi!
QSUT-ja është aty ku ka qenë. Veç në territorin e saj të vjetër mbahet e ngujuar, si në shtetrrethim.