Letërsia, ringu i rëndë ku ndeshen peshat e lehta

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Tetori është muaji i letërsisë, nëntori muaji i panairit të librit. Hajde ç’vete hajde. Luks i madh për botën shqiptare të letrave. Dy muaj ku letërsia dhe letrarët ngrihen lart, në majën e Olimpit, e për të shkuar në zenith,… por me lugën bosh, si gjithmonë. Se kur ngjitesh shumë lart do mendosh dhe si do ulesh poshtë, me shkallë apo me ashensor. Por kur nuk i bën mirë llogaritë, ka gjasa t’i biesh shkurt e të hidhesh me kokë.

Portalet gumëzhijnë nga lajme gjithfarësh, ku çuditërisht në qendër është veç libri. Bota po vërtitet rreth librit. Aleluja. E si qershia përmbi tortë qëndron libri artistik.

Libri? Çne libri?

Sondazhet kanë nisur. Kush lexon më shumë. Kur përballemi me statistikat e shteteve të tjera evropiane dalim për faqe të zezë, por brenda llojit jemi mirë, mbahemi. Përderisa ka ende librari, dhe jo të gjitha janë kthyer në qoftore, prodhohen libra të rinj dhe ka edhe dy panaire, një në Tiranë e një në Prishtinë, kemi shpresa akoma.

Lajmet kanë mbërthyer tregun mediatik. Kopertina librash fluturojnë, dalin në çdo cep. Citate autorësh të mëdhenj i bllokojnë ekranet.

Kjo është njëra anë e fasadës. Tjetra nuk ka të bëjë më me lexuesit e thjeshtë që mundohen të lexojnë ndonjë faqe, dhe plot të tjerë e kanë si hobi të bëjnë një foto me një libër në dorë ku në sy të bjerë sa më shumë një kopertinë e ilustruar mirë: O një çift duke u puthur, o një femër nazelie duke ecur nëpër shi, o një burrë shpatullkërrusur duke u menduar aq thellësisht sa….

Megjithatë kjo punë nuk ka vetëm dy faqe, por gjashtë të tilla, po aq sa dhe “kubi i Rubikut”.

Hap rrjetet sociale. Nisin lajmërimet: autorë pa fund kanë hedhur në treg librat e tyre.

Mizëri librash.

Kësaj i them jetë kulturore unë o të keqen. Edhe në kohën e “xhaxhit”, kur punohej me normë e çdo rreth kishte degën e vetë të Lidhjes së Shkrimtarëve nuk prodhohej kaq shumë letërsi. Tani në demokraci, ku letërsia nuk mban dot as veten e vet, rivaliteti për prodhim, silazhim e ambalazhim, ka kapur majat.

Më rezulton që në faqen time të facebookut, më shumë më dalin shkrimtarë të rinj, ca të mesëm e më pak të vjetër, që në tërësinë e tyre janë shumë më tepër se ata që deklarojnë me gojën plot se vetëm konsumojnë letërsi.

Lexo edhe :  Pse Berishës i duhen më shumë aleatët se “demokratët”?

Jo byrazer, ne jemi popull prodhimtar. Duam të çajmë tregjet. Do ta hamë Evropën me kulturë. Që të habiten e t’u vijë turp që nuk na pranuan në BE. Se ne vërtet jemi ca hollë nga xhepat, por kokën e kemi plot. Flet puna vetë: çdo shqiptar e ka bërë një libër në këtë jetë. Mjaft që di shkrim e këndim. Por thjesht, meqenëse nuk ka kujt t’ia shesë, është futur në modën e shkëmbimit reciprok.

-Po plakat i pranojnë atje me reciprok, mor djalë. Se dua ta ç’këmbej me një pelë të re?

Ja këtij i them pazar unë. Si pazari i Korçës një herë e një kohë:

-Më jep një roman të të jap dy libra me poezi.

-Ik or tutje, unë romanin tim e shkëmbej vetëm me filozofi.

Ja kështu është katandisur edhe libri në Shqipëri. Si Shabani që nuk ndahej nga Kanani.

-Vlash, të keqen nëna, mos i ngordh të gjitha, Çoja zotit Lam se ai i do të gjalla. Nuk kemi kokërr kripe në shtëpi.

Dhe ikte Vlashi të shkëmbente ngjalat e zënë në kënetë, herë me kripë, e herë me ndonjë grusht misër. Se pare s’kish gjëkundi…

-Pare…?! Po unë s’jam bankë mor djalë.

Dhe pas gjithë kësaj performance mbresëlënëse, nisin ftesat: Ju pres për autografe. Bukur shumë.  Dhe kësaj i thonë të në mbushet mendja si autor i madh aq sa fotografia jote bashkë me autografin duhet shitur, se bën para me to. Në fund fare gjithë ankth presin çmimet e Ministrisë së linjës, kur sapo të mbyllë siparin të fillojnë nga thumbat: Isha për çmim kombëtar, por ma futën ata të jurisë…

Ec mo…

Po letërsia në vetvete është një sport i peshave të rënda. Nuk është për skilipecë. Mirëpo ç’e do kur të gënjen mendja. Ke lindur prematurë, por vetja të duket si Xho Frejzer kur ndeshej me Kasus Klein.

Tetori dhe nëntori janë muajt e librit në Shqipëri. Luks i tepërt. Për më tepër në një vend ku letërsia nuk mban dot veten e vet e jo më të zotin. Mos dëgjoni se ç’thonë statistikat e zyrave. Se po të jetë për to, ne dalim vendi që shet më shumë libra në botë.

E megjithatë, gara mes shkrimtarësh është fort revanshiste.

Të fundit

A do të ishte bota më paqësore nëse më shumë gra do të drejtonin

Gazetarja e Sky News, Victoria Seabrook i ka kushtuar një artikull Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Nëse bota ka ndjerë më...

Ishte më i votuari në Primare, Nallbati: S’e bëj dot servilin me Berishën

Deputeti i Partisë Demokratike, Bledjon Nallbati, ka folur mbi raportin e tij me kreun e PD-së, Sali Berisha, gjatë një interviste në emisionin “Kjo...

Para ose pas zgjedhjeve, në fund prapë do shkojmë për Pazar!

Nga Ben Andoni Nuk ka vit më strapacues për shqiptarët e zakonshëm sesa kur mbahen zgjedhjet e përgjithshme, ashtu si njësoj pothuaj ngjet edhe me...

Jozi bën deklaratën e fortë, Loredana ia kthen: Do thosha burrë por ti…

Që prej ditës që Jozi është rikthyer në shtëpinë e Big Brother VIP me anë të zgjedhjes së Gjestit nga zarfi i valixhes së...

Prej katër javësh në spital, Papa Françesku në gjendje të qëndrueshme

Papa Françesku është nën kujdesin e mjekëve dhe po pushon sipas Vatikanit. Gjendja e tij është e qëndrueshme dhe ndodhet i shtruar në spitalin...

Lajme të tjera

Web TV