Kryeministri, Edi Rama, shtroi mbrëmjen e djeshme me rastin e festave të fundvitit një darkë me përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.
Gjatë mbrëmjes festive, Rama mbajti një fjalim ku diskutoi për projektet e përbashkëta që do të realizohen së shpejti me vendet mike partnere me Shqipërinë.
Nuk munguan komente për tensionet në veri të Kosovës. Rama tha se dialogu është e vetmja rrugë zgjedhje për dy vendet. Kryeministri u shpreh i shqetësuar për situatën në Kosovë.
“Nuk është një fundvit i mirë për procesin e normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë. Rritja e tensioneve në veri të Kosovës është, jo vetëm e padobishme, por thellësisht shqetësuese. Është e pabesueshme që na duhet të merremi vazhdimisht me shfaqjen e barrikadave, prapakthime në procesin e normalizimit dhe ekipe zjarrfikësish të SHBA dhe BE që vrapojnë të shpëtojnë makinerinë e dialogut nga flakët e një retorike të rënduar politike. Së fundmi, dëgjuam deri për kërkesa të bëra NATO-s për të dërguar trupa serbe në veri të Kosovës, për të mbrojtur serbët etnikë. E kuptoj që kjo mund të jetë një tjetër shashkë speciale e retorikës politike, por është po kaq surreale sa do të ishte nëse Kosova do t’i kërkonte NATO-s të dërgonte trupa shqiptare në Serbinë jugore për të mbrojtur shqiptarët etnikë. E gjitha kjo është tejet larg asaj për të cilën kemi nevojë. Kemi hyrë në dekadën e tretë qysh kur Kosova u lirua një herë e përgjithmonë nga Beogradi. Ajo nuk do të jetë kurrë më nën ligjin e Beogradit.
Ne kemi nevojë vetëm tre gjëra: Dialog, dialog, dialog. Pjesa tjetër është thjeshtë politikë e keqe. E di më së miri se është më e lehtë ta thuash se ta bësh një gjë të tillë, por çdo rrugë e shkurtër që merret përtej dialogut të vështirë, madje të dhimbshëm midis Serbisë dhe Kosovës, jo vetëm për ato të dyja, po për të gjithë rajonin, shpie në një territor shumë të rrezikshëm. Nuk e zgjodhëm ne të jetonim në këtë lagje sekëlldisëse të Europës, që quhet Ballkan, madje nëse do të mundeshim do ta kishim zëvendësuar njëri-tjetrin me fqinj të tjerë. Por së pari, nuk ka asnjë vend tjetër në këtë planet ku ta transferojmë vendin tone dhe së dyti, secili prej fqinjëve tanë është këtu për të qëndruar. Kështu që më mirë të mësojmë, e të mësojmë shpejt të jetojmë me njëri-tjetrin, të punojmë me njëri-tjetrin, të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe më mirë ta kuptojmë pa humbur më shumë dekada, se duhet ta bëjmë këtë, sepse është gjëja më e mirë që mund të bëjmë për t’i shërbyer pikërisht interesit tonë. Na duhet ta mbajmë murtajën e luftës ruse larg këtij rajoni dhe ndërkohë që do të mbetemi gjithnjë, me vendosmëri, krah Republikës së Kosovës çdo here që e drejta e saj sovrane për tu qeverisur nga autoritetet e veta do vihet në pikëpyetje në çfarëdolloj forme.
Por po kështu, nuk kemi asnjë dyshim se ndërtimi i urave të bashkëpunimit me Serbinë, jo vetëm është gjëja e duhur për t’u bërë, por është diçka që i shërben pikërisht interesave tona si vend dhe si komb, e kjo promovon paqen në një rajon ku fantazmat e së shkuarës janë kahera gati që t’i shpallin luftë së ardhmes sonë të përbashkët,” tha Rama.