Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar dje lirimin nga detyra të drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror, Helidon Bendo.
Shkarkimi erdhi pas propozimit nga kryeministri Edi Rama, i cili shkruan se Bendo i kishte kërkuar dorëheqjen “për arsye studimesh”. Vendin e drejtuesit të shërbimit sekret pritet ta marrë Olian Kanushi, i emëruar nëndrejtor pak javë më parë.
Shërbimi Informativ Shtetëror nuk do të ketë më në krye të saj Helidon Bendon. Dje ka ardhur dekreti i kreut të shtëtit i cili pranoi kërkesën e kryeministrit për shkarkimin e Helidon Bendos. Ndonëse ka shumë aludime mbi arsyet e largimit, zyrtarisht kryeministri është shprehur se Bendo i ka dhënë dorëheqjen për arsye personale, pasi kërkon të ndjekë studimet për sigurinë në SHBA. Megjithatë burime të brendshme pranë SHISH shprehen se ka pasur konflikte në muajt e fundit, që pas emërimit si nëndrejtor të Olian Kanushit, ish-këshilltar i kryeministrit. Megjithatë Rama duket se nuk do e lerë “pa punë” me ofrimin e postit të ri që i bëri si këshilltar i Sigurisë, pranë Kryeministrit. Por ky shkarkim u paralajmërua dy orë para se të jepej lajmi nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, ku theksoi se Rama i mbyll dyert në mënyrën më antiligjore, më antikushtetuese Helidon Bendos, duke sqaruar se kreu i Shërbimit Informativ emërohet nga presidenti. Por tha ai, Rama e çoi vetë në shkollë (në SHBA), dhe tani që është kthyer, e lë sikur nuk ka qenë ndonjëherë në shërbim. “Ky është i sëmurë rëndë nga spiuno-fobia. “Merr Helidon Bendon. I mbyll dyert në mënyrën më antiligjore, më antikushtetuese. Kreu i Shërbimit Informativ emërohet nga presidenti. Ky e çoi vetë në shkollë, tani që është kthyer, e lë sikur nuk ka qenë ndonjëherë në shërbim. Ky është i sëmurë rëndë nga spiuno-fobia”, ka thënë Berisha.
Largimi
Helidon Bendo, kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), është shkarkuar nga detyra. Me propozim të kryeministrit Edi Rama, Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar lirimin e Bendos nga detyra. Kryeministri Edi Rama tha se Bendo kishte dhënë dorëheqjen për arsye të vazhdimit të studimeve pasuniversitare në Kolegjin e Studimeve Ndërkombëtare e të Sigurisë, pranë Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes në Shtetet e Bashkuara. “Ai do të angazhohet në vijim si këshilltar i kryeministrit për reformën e institucioneve të sigurisë”, tha Rama në një postim në Facebook. Helidon Bendo ka mbajtur detyrën e zv/Drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror prej gati 18 muajsh deri në momentin që kryeministri Rama e ka propozuar për të qenë në krye të shërbimit duke zëvendësuar Visho Ajazin, të cilit i kishte përfunduar mandati në gusht të këtij viti. Presidenti i asaj kohe, Bujari Nishani, dekretoi emërimin e Helidon Bendos si numri dy i SHISH pa krijuar polemika duke dhënë të kuptohet se ishte një figurë e pranuar nga të gjithë. Para prillit të vitit 2016, Helidon Bendo, ka ushtruar prej 7 vitesh detyrën e Drejtorit të Drejtorisë në Aparatin Qendror të SHISH. Prej 21 vitesh në SHISH, Helidon Bendo, ka mbajtur detyra të ndryshme si: Inspektor terreni, Kryetar Dege, Drejtor Drejtorie në disa Qarqe të vendit dhe Drejtor Drejtorie në AQ. Bendo ka lindur në qytetin e Korçës në 12 maj 1971. Ai është diplomuar në vitin 1993 për matematikë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, dhe ka bërë gjithashtu një master për sigurinë në Georgetoën University në Shtete e Bashkuara të Amerikës. Bendo ka qenë gjithashtu emigrant në Greqi për një periudhë të shkurtër gjatë viteve 1991, 1992 dhe 1993. Helidon Bendo rezulton të ketë kryer edhe një sërë trajnimesh mbi çështje të sigurisë. Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, njoftoi se është emëruar drejtori i ri, Oljan Kanushi. “Nuk kemi ndryshuar kreun e ri të SHISH, kemi emëruar nën drejtorin e SHISH Oljan Kanushi”, tha Çuçi.