Nga LEONARD KARAJ
Politika zien nga skandali i ish-agjentit të FBI-së, Çarls McGonigal. Opozita po pretendon se ka fakte, që ky i fundit është i lidhur me qeverinë Rama, madje se ka edhe video erotike ku përfshihen njerëz të Ramës. Ndërkohë kemi një kërkesë nga opozita për interpelancë me Ramën, së cilës ky i fundit nuk i përgjigjet prej tre javësh, duke e braktisur Parlamentin. Në sinkron me këtë situatë ka përjashtime të njëpasnjëshme të deputetëve të opozitës nga seancat plenare. Sa e rëndon gjithë kjo panoramë pozicionin e Ramës?
Në një vend normal të Europës, apo edhe gjetkë, Kryeministri do të kishte dhënë menjëherë dorëheqjen. Asnjë sekondë më shumë, asnjë sekondë më pak. Nuk do ishte fare e nevojshme që të bëheshin analiza apo të priteshin fakte konkrete, sikundër ka ndodhur në rastin e z.Rama. Fare. Në çdo shtet Europian, merrni cilindo shtet, qoftë edhe më të dobëtin ekonomikisht apo politikisht (duke përjashtuar vende diktatoriale si Rusia, Bjellorusia, apo deri diku edhe Turqia), qeveria do kishte rënë dhe kryeministri në fjalë jo thjesht do ishte dorëhequr, por me shumë gjasa do të shpallte kapitullimin e tij politik. Shikoni, ish-kryeministri i Francës, Nikolas Sarkozi është prej 6 vitesh nën thundrën e drejtësisë dhe rrezikon seriozisht burgun vetëm se një media shkroi se fushata a tij elektorale mund të ishte financuar edhe nga Libia e Gedafit.
Ose Boris Xhonson dhe Liz Trast u larguan njëri pas tjetrit nga drejtimi i qeverisë britanike, për faktin se nuk po realizonin dot premtimet që dhanë në fushatë elektorale. Apo ish-kancelari Shrëder u dëbua edhe nga partia vetëm se pati dyshime për lidhje të tij me Gazprom. Tani, imagjinoni pak sikur kjo gjëmë, pra që mbarë mediat botërore (Neë York Times, Ëashington Post, BBC, CNN, Fox Neës, Ëashington Eximiner, Bussines Insider, Bild, VOA, Mother Jones, etj, etj), të akuzonin për lidhje të dyshimta të këtyre udhëheqësve të këtyre shteteve me njërin nga tre njerëzit më të pushtetshëm në botë, sikundër konsiderohet Shefi i kundërzbulimit të FBI-së. E kuptoni se për çfarë skandali po flasim?! Një nga ato skandale të përmasave epokale, gati apokaliptike, që zor se kanë ndodhur (të paktën deri tani nuk janë bërë publike) as në kulmin e “Luftës së Ftohtë”. Mjafton fakti që në aktakuzën e drejtësisë amerikane, emri i Kryeministrit të Shqipërisë përmendet plot 14 herë. Mjafton kaq. Nuk ke nevojë që të hulumtosh më tej. Dhe më e trishtueshmja në këtë mes qëndron në faktin se prej tre javësh, lukuni mediatike, sahanlëpirës të Edi Ramës, janë lëshuar si hienat në çdo studio televizive dhe jo vetëm, në mbrojtje apo ç’bërje të këtij skandali, duke u mundur që ta konsiderojnë si një flluskë. Jo, nuk mund të jetë kaq e thjeshtë! z.McGonigal, gjatë viteve 2017-2019 ka udhëtuar disa herë edhe në vende të tjera të Ballkanit (Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni), por në asnjë rresht të aktakuzës së drejtësisë amerikane nuk përmendet asnjë politikan tjetër përveç Ramës. Dhe kjo është një dhënë pak të thuash e pakundërshtueshme. Ndaj për mendimin tim, ky skandal shënon përfundimisht “funeralin politik” të Ramës. Edhe pse me shumë gjasa Rama nuk do të dalë si dëshmitar përpara Jurisë së Madhe, pasi ai mbrohet nga imuniteti diplomatik, të paktën deri në 2025-ën (gjyqi në SHBA, me shumë gjasa do të përfundojë brenda këtij viti dhe Rama mbrohet kësisoj nga imuniteti diplomatik), dy gjëra janë thuajse të sigurta:
1-Rama nuk shkel dot më si kryeministër apo si politikan në Shtëpinë e Bardhë.
2-Me shumë gjasa, pas 2025-ës, kur nuk do të jetë më kryeministër, edhe sikur PS-jë të fitojë sërish zgjedhjet parlamentare, ai do të jetë “non-grata” i radhës nga SHBA-të.
Berisha nuk po ndalet me protesta, pasi thirri dy të parat i ka kërkuar demokratëve që të protestjnë para parlamentit çdo të enjte, ndërsa në tre mars do protestojë dhe para gjykatës. Në 3 mars është edhe protesta kombëtare. A mendon se protestat në Shqipëri janë zgjidhje për rrotacion qeverie.
Protestat janë një instrument të cilin opozita do duhet ta shfrytëzojë në maksimum për të rritur shpresën tek qytetarët dhe për të vënë në presion qeverinë dhe ndërkombëtarët. Por në kushtet ku ndodhet sot kjo opozitë, me një drejtues “non-grata: si Berisha dhe me disa të ashtuquajtur opozitarë të linjës bashiste, të shitur dhe blerë disa herë nga Rama, ky aksion duket se nuk ngjiz sa dhe si duhet. Sa i përket rrotacionit, ai vjen vetëm nëpërmjet votës dhe këtë gjë na e ka vulosur më së miri e shkuara e largët dhe afërt gjithashtu.
Kemi një lideri opozite të shpallur non grata në SHBA, nga ana tjetër kryeministri Rama ështe në një pozitë të vështirë në dyshimim e mpleksjes me zyrtarin e lartë të FBI të proceduar për lidhje me oligarkët rusë dhe korrupsion. Një vit më parë Rama sulmonte Berishën me kartën Amerike, sot Berisha sulmon Ramën me të njëjtën formë. Përse kjo situatë dhe sa e penalizon vendin?
“Karma is a bitch”! Kjo i ka ndodhur sot Ramës, një politikan i cili më shumë sesa për të drejtuar vendin duke u mundur të rrisë mirëqenien e shqiptarëve është mundur që të sulmojë duke dobësuar në maksimum opozitën. Dhe ç’është e vërteta, deri përpara këtij skandali, ia kishte arritur qëllimit, në mënyrën më të qenësishme të mundshme. Nuk kishte shqiptar (përveç militantëve, që i shohin gjërat bardh a zi), që nuk e kishte në majë të gjuhës shprehjen: “Rama është i keq, por nuk kemi kujt t’ia japim votën”. Por, duhet thënë se që prej prillit 1998 kur Edi Rama u përfshi në politikë duke pranuar pozicionin e Ministrit të Kulturës, nuk besoj se ka pasur ditë më të zeza për të si politikan. Dhe sigurisht në gjithë këtë zallamahi, këtë këtë korrupsion të frikshëm, ata që humbasin jashtë shqiptarët, është Shqipëria, e cila edhe pas 32 vitesh nuk po arrin që të shkëputet nga një klasë politike e degjeneruar deri në palcë.
Kjo situatë a paralajmëron nisjen e një fundi politik të tre dekadave të fundit, si në formë qeverisëse ashtu edhe në emra, apo jemi ende shpejt? Ka një të vërtetë që SHBA vendosi sanksione me shpalljen “non grata” të disa individëve, por në asnjë rast nuk i ka dëmtuar rëndë personazhet. Atë që SHBA nuk e arriti me vendime politike, a mund ta arrijë me institucionet e drejtësisë këtu tek ne, veçanërisht me SPAK, apo edhe ky institucion është i frikësuar nga elita politike në mazhorancë dhe opozitë?
Sigurisht që unë besoj fort se pas këtij skalndali politika e SHBA-së do të kthejë sytë seriozisht nga Shqipëria dhe nuk do të niset vetëm nga raportet që vijnë nga ambasada e tyre, të cilat tregojnë se nën drejtimin e Donald Lusë dhe Juri Kim, kanë qenë më e pakta të dyshimta, për të mos thënë të pavërteta dhe tejet kompromentuese. Unë besoj se në muajt në vijim dhe sidomos në rast se në 2024 në SHBA do të ketë një ndryshim kursi politik, pra që në pushtet të rikthehen republikanët, sikudnër parashikohet, me shumë gjasa do të kemi një revolicion politik edhe në vendet e ballkanit, përfshi Shqipërinë. Kasta a vjetër, me politikanë të anatemuar fort gjatë këtyre viteve duhet të lënë vendin me hir apo pahir të rinjve. Dhe Shqipëria këtë lloj revolucioni e ka jo thjesht të nevojshëm, por të domosdoshëm.