Bulqiza në 75 vite, minierë dhe qytet… !

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

18 shkurti, festa e qytetit minator – dita zyrtare e krijimit të Minierës së Kromit “Todo Manço”

Nga Halil Rama – Mjeshtër i Madh

Shtatëdhjetëepesë vjet më parë, në “Ahishtën e madhe” të Malit të Duriçit, shpërthimi i parë i minave që thërrmonin shkëmbin e gurit me xixa sinjalizoi fillimin e punës për nxjerrjen e mineralit të çmuar të kromit në Bulqizë. 18 shkurti i vitit 1948 shënon kështu krijimin zyrtarisht të minierës më të madhe të kromit në vend. Pikërisht mbi luginën e Vajkalit, e cila në analet e historisë tonë kombëtare ka hyrë si një nga sheshbetejat kryesore kundër pushtuesve turq, të udhëhequra nga Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, miniera e sapokrijuar do ta bënte edhe më të njohur këtë luginë ku do të hidhte shtat qyteti minator në prehër të maleve, nga thellësia e të cilave do të nxirreshin mbi 15 milionë tonë krom. (Në vitin e parë të punës në minierën e Bulqizës u prodhuan 10482 ton mineral kromi). Është kjo sasi tepër e konsiderueshme e mineralit të çmuar, që jo vetëm ka mbajtur peshën kryesore të ekonomisë tonë kombëtare, sidomos në katër dekada të sistemit monist, por edhe minerali me të cilin Shqipëria ka “pushtuar” tregjet e botës…

PAK HISTORI…

Gati një shekull më parë, burri i mençur i Vajkalit Baba Fejza, do t’i porosiste bashkëfshatarët e tij që ta ruajnë të mos ua grabisin gurin e zi me xixa që është më i rëndë se të tjerët dhe që do të vlerësohet shumë vjet më vonë…..Dhe profecia e tij doli. Megjithëse kromi hyri në përdorim industrial relativisht vonë interesimi për të është i hershëm. Vendasit thonë që Italia me Serbinë janë konfliktuar ashpër për vendosjen e kufirit, të cilin Serbia e kërkonte në Qafë të Buallit kurse Italia e kërkonte në Fushë-Bulqizë. Pra, secili shtet kërkonte ta përfshinte në territorin e pushtuar prej tij. Kjo ka ndodhur në vitin 1918.

Në vitet e Luftës së Dytë Botërore italianët filluan prodhimin e kromit sigurisht në sasi shumë të vogla, që i transportonin me mushka. Ndoshta kjo e bëri të detyrueshme ndërtimin e rrugës automobilistike nga Klosi në Bulqizë, e cila u lidh me rrugën automobilistike të Zerqanit, që ishte ndërtuar në vitin 1932. Në këtë kohë italianët kishin instaluar një repart ushtarak në mbrojtje të minierës.

Në vitin 1943 çeta partizane e Dibrës e sulmoi me armë dhe i përzuri italianët dhe që nga ajo kohë punimet për nxjerrjen e kromit u pezulluan, për të rifilluar më 18 shkurt 1948 kur zyrtarisht u krijua miniera e Bulqizës.

75 vjet më parë, në lartësinë 1000 m mbi nivelin e detit, ishin tetë punëtorë nga Rubiku dhe trembëdhjetë punëtorë nga zona e Bulqizës që i dhanë emrin minierës së kromit Bulqizë. Në kronikat e kohës, por edhe në librat studimorë e historikë të autorëve të njohur, si Hamza Gurra, Ymer Keta, Jorgo Kola e Bashkim Lami janë skalitur emrat e minatorëve e specialistëve të parë: Osman Losha, Tosum Spahiu, Myrteza Duriçi, Gjergj Prenga, Sulejman Ruta, Hamit Duriçi, Liman Zogu, Adem Hasa, Gjin Kola, Pal Deda, Riza Duriçi, Din Hoxha, Mexhit Voci, Hysni Duriçi, Mustafa Duriçi, Liman Kola, Baftjar Fida, Ferit Lala, Haxhi Xhari, Abdulla Mehmeti, Ramadan Voci, Isuf Sula, Isuf Hoxha, Mehmet Keta, Dhimitër Kalami, Hamit Beta, Mehmet Kola, Hasan Jashari, Beqir Xhemali, Nazmi Përkola, Bajram Xheka, Tahir Nasuf Spahiu, Faredin Shehu, Mendu Qatja, Kamberr Duriçi, Uke Murrja, Ndue Tusha, Ndue Murrja, Muharrem Stafa, Dodë Preng Gjeta, Llesh Luli e Pjetër Shurbi, si dhe i Drejtori të parë të Ndërmarrjes Miniera e Kromit Bulqizë, Jorgji Traja.

Janë pikërisht këta heronjtë e parë që do të shtronin trasenë nga ku do të ecnin qindra mijëra të tjerë, të cilët në 75 vite do të me prodhimin kryenin mbi 100 mijë km punime minerare.

NË 75 VITE BULQIZA I DHA EKONOMISË KOMBËTARE 3 MILIARDË DOLLARË TË ARDHURA

Shqipëria megjithëse ka një sipërfaqe të vogël, është një nga vendet më të pasura me vendburime dhe shfaqje të kromit. Rezervat e kromit në Shqipëri për 285 vendburimet e vlerësuara, përllogariten në 37 milion ton. Masivi i Bulqizës me një shtrirje prej 374 km2, në raport me gjithë masivet e tjerë ka rezultuar masivi me përqëndrime më të mëdha të trupave minerare në shfrytëzim. Sasia e përgjithshme e mineralit të prodhuar në 75 vite i ka kapërcyer 15 milionë ton. Duke konsideruar vlerën e mineralit të kromit, me një çmim mesatar në vite prej 200 dollarë toni, rezulton që kjo minierë t’i ketë dhënë ekonomisë kombëtare ta ardhura në një vlerë prej rreth 3 000 000 000 (3 miliard) dollarë.

Për 45 vite që nga ajo datë historike e 18 shkurtit 1948. Bulqiza mbajti në kurriz një pjesë të madhe të buxhetit të shtetit. Por shumë pak u bë për vetë Bulqizën. Me moton “kromi çan bllokadën”, pothuajse nomenklatura e kuqe e vuri Bulqizën në epiqendrën e platformës së saj për shfrytëzimin barbar të kësaj pasurie të çmuar nëntokësore. Më e dukshme kjo strategji në vitet 1980-1990 kur vetëm në zonën veriore janë hapur 8 puse vertikalë dhe 8 dishenteri. Përveç këtyre janë hapur 4 puse ndihmës si A’2 i pa përfunduar, 9/5;8/5;10/12;11/14, i cili përdoret për rrugëdalje. Gjithsesi, ai që është vonuar shumë është thellimi i pusit Nr. 7 sipas projektit. Në zonën D janë hapur 3 puse që lidhin punimet nga traverbanku C (1440) deri në Galerinë 1050. Konkretisht: Pusi Nr. 4 që lidh Galerinë A, Galerinë 16(1160) dhe Galerinë 1050; Pusi Nr. 5 që lidh Galerinë C(1440); Galerinë 12(1360); Galerinë B(1280) dhe Galerinë A(1200). Është edhe Pusi Nr.5A që lidh Galerinë 1280(B) me Galerinë 1200(A). Veç këtyre janë hapur shumë fornele ndihmës që kanë shërbyer për transport minerali dhe për rrugë dalje e ajrim.

Në vitet 1983 deri 1990 prodhimi i kromit shqiptar zinte vendin e tretë në botë mbas Afrikës së Jugut dhe ish – Bashkimit Sovjetik, me një prodhim vjetor prej 650 mijë ton deri në 1.1 miljon ton. Miniera ishte burimi kryesor i të ardhurave të qytetit të Bulqizës dhe gjithë fshatrave të Dibrës, ku në çdo vit punonin më shumë se 5000 punonjës, duke marrë parasysh këtu edhe lëvizjet e ndryshme.

Miniera e kromit “Todo Manço” në Bulqizë, që përfshin minierën e Bulqizës dhe një seri vendburimesh të tjerë, si Tërnovë, Selishtë, Livadhi i Dashit, Pylli Zi, Qafë Lame, Qaf Bualli, etj, për gjithë këto 75 vite, ende sot mban peshën kryesore të industrisë së kromit në Shqipëri.

 KA MINIERË, KA QYTET. S’KA MINIERË, S’KA QYTET!

Miniera dhe qyteti janë lidhur në mënyrë të pazgjidhshme: Ka minierë, ka qytet. S’ka minierë, s’ka qytet. Këtë apostulat, të bazuar mbi historinë e qyteteve minerare në botë e ka zbërthyer më së miri Hamza Gurra, një nga inxhinierët dhe drejtuesit e njohur të minierës së kromit dhe të Bashkisë Bulqizë. Sipas tij, Bulqiza e barakave me dërrasa e viteve ’49-’50 u rrit gradualisht bashkë me minierën e saj. Në vitet 50-60 u ndërtuan disa ndërtesa njëkatëshe.

Pas vitit 1960 filloi ndërtimi i ndërtesave dykatëshe dhe vetëm pas vitit ‘75 nisën të ndërtohen godina banimi 3 e deri 5 katëshe. Shumë njerëz këtë e lidhin me nënvleftësimin që i bënte shteti këtij qyteti dhe ish-inxhinieri e drejtuesi Gurra nuk me merr përsipër të vërtetoj të kundërtën por një gjë është e qartë: Në vitet e para perspektiva e Bulqizës ishte krejt e pa sigurtë, kërkim -zbulimi i këtij vendburimi është bërë krahas shfrytëzimit dhe kërkimi nuk ka përfunduar edhe sot as në thellësi dhe as nga krahët. Prandaj dhe qyteti u rrit me zor krahas rritjes së zbulimit të rezervave. Qyteti i Bulqizës me rreth 2000 banorë deri në vitin 1955 u rrit deri në 18000 banorë në vitet 1995-2000. Krahas rritjes së qytetit u formuan edhe ndërmarrjet e institucionet e qytetit. Në vitet e para qyteti nuk kishte ndërmarrje komunale kështu që të gjitha punët komunale i bënte ndërtimi i minierës ose bëheshin me punë vullnetare. Në vitet 1985-87 u ndërtua lagja e re e quajtur “Qyteti i ri” ku u strehuan rreth 1000 familje. Pas viteve 90 kur filloi pluralizmi qyteti u përshtat shumë shpejt me mënyrën kapitaliste të jetesës. Me ndarjen e Bulqizës rreth më vete (deri atëherë në juridiskionin e rrethit Dibër) dhe aktualisht si një nga 61 bashkitë e vendit, u strukturua mjaft shpejt administrata lokale dhe jo vetëm që nuk pati probleme por përkundrazi jetesa u përmirësua mjaft. Në mënyrë të veçantë e përmirësoi jetesën tregu privat. Megjithatë, aktualisht qyteti i Bulqizës vuan plagën e papunësisë dhe të mungesës së infrastrukturës bashkëkohore.

Lexo edhe :  Nëse SPAK-u do të ishte një parti politike, do të ishte absolutisht e para

BULQIZA QYTET-BURG

Nëse më 1954 në Bulqizë u ngrit burgu i të dënuarve ordinerë, fillimisht me 600 të dënuar, ky kamp funksionoi për rreth 30 vjet dhe përfshinte zonat nga dishenteria e galerisë 41 e deri ndër zonën “D”. Katërmbëdhjetë vjet më vonë, më 1968, Bulqizës do t’i shtohej edhe burgu tek vendi ku do të ndërtohej fabrika e pasurimit të kromit. Të burgosurit ndërtuan të gjitha objektet sipas projektit deri sa filloi montimi i makinerive. Saga e të dënuarve vazhdon edhe më tej kur në vitin 1976 Kampi i burgut mori edhe zonën “D”. Madje, pas vitit 1976 kampi ka patur maksimumin e të dënuarve. Një tjetër burg u ngrit më 1985 me të burgosurit që do të ndërtonin Qytetin e Ri në Bulqizë. Një nga mësuesit e shquar të Bulqizës, z.Bashkim Lami, që ka drejtuar me kompetencë e përkushtim institucione kryesore në Bulqizën e pas ’90-tës, në shënimet e tij shkruan se “Ndërtimet vazhduar me ritme të shpejta dhe në vitin 1988 u strehuan banorët e parë në këtë lagje”. Madje sipas tij, “burgu u përdor edhe në objekte të tjera të rëndësishme të zonës së kromeve. Miniera e Batrës dhe e Tërnovës kanë pasur kampe të dënuarish, po kështu ndërtimi i fabrikës së pasurimit dhe ndërtimi i lagjes “Qyteti i ri” është bërë me kampe të dënuarish që janë përdorur vetëm në ndërtimin e këtyre objekteve. Në 28 vite kontributi i të burgosurve ka qenë shumë i rëndësishëm”.

 DISA NGA DREJTORITË E SHËRBIMET NDIHMËSE

Një minierë është pa perspektivë, nëse nuk i paraprihet më zbulimin e rezervave minerare. Këtë mision historik këtu do ta kryente më së miri Ndërmarrja Gjeologjike e Bulqizës, e krijuar që në vitin 1957, duke kryer punime për zbulimet gjeologjike për gjetjen e vendburimeve të mineraleve të dobishme dhe punime shkencore në fushën e gjeologjisë.

Nga studimi tejet shkencor, por edhe skurpuloz i z.Bashkim Lami (BULQIZA NDËR VITE NË 75 VJET, 1948-2018) mësojmë se Drejtori parë i Ndërmarrjes Gjeologjike e Bulqizës ishte Ferit Alla, i cili siguroi mbështetjen e fortë të personelit inxhiniero-teknik që e quante themelin e sukseseve që synonte gjeologjia. Deri në vitet 1990 funksionoi ndërmarrja e furnizimit të punëtorëve që administronte tregtinë, mensat e punëtorëve dhe fjetoret e punëtorëve beqarë, duhet thënë drejt: bëheshin përpjekje por shërbimi ishte shumë i dobët.

Në fillim të viteve ’90, në mbështetje të minierës u krijua edhe parku automobilistik i Bulqizës që kryesisht ishte në shërbim të transportit të punëtorëve të minierës, por edhe të transportit të kromit transit brënda minierës e për në fabrikën e pasurimit dhe të transportit të mineralit për në Durrës.

INFRASTRUKTURA SOCIALKULTURORE

Ndër vite u ngrit gradualisht edhe infrastruktura socialkulturore. Më 1954 u ndërtua në qytet kinemaja me një skenë të vogël dhe me 200 vende, u montuan dy aparate projeksioni për të shfaqur filmat, një sallë lojërash bilardo e një bibliotekë. Tre vjet më vonë (1957) u ndërtua në qytet shkollë e re me 7 klasa, ku u hap shkolla 7-vjeçare e ditës ku vijonin mësimin, fëmijët e Vajkalit e të qytetit të Bulqizës dhe pas 8 vitesh, më 1965 u ndërtua në Bulqizë shkollë e re me 10 dhoma mësimi, poshtë rrugës së qytetit që plotësonte nevojat për vijueshmërinë e mësimit pasi klasat u bënë me nga dy paralele. U ngritën nga mësuesit dhe nxënësit disa terrene sportive, volejbolli, basketbolli e gjimnastike, të cilat shfrytëzoheshin edhe nga rinia e qytetit të Bulqizës. Në shtator 1967 u shkolla e mesme e përgjithshme pa shkëputje nga puna dhe më 1975 edhe shkolla e mesme profesionale e ditës me degën për teknikë miniere, që më pas u shtuan degët, gjeologji e shpim pusesh.

Më 1975 u vu në funksionim kinoklubi i ri me dy kate, që u financua nga ndërmarrja minierës me sallë kinemaje dhe koncertesh me 350 vende, me bibliotekë e sallë leximi, bar-kafe dhe dhoma e anekse të tjera pune, duke u krijuar kështu mundësia që në këto ambiente të gjallëroheshin aktivitetet kulturore e artistike, sesionet shkencore, recensionet, bisedat etj.. Ky pallat është rikonstruktuar dhe vazhdon të jetë si qendër kulturore e vetme e këtij qyteti.
Në vitin 1989 u ndërtua shkolla 8-vjeçare me 4 kate në “Lagjen e Re”, me 24 klasa, 4 kabinete e palestër sportive.

FRAGMENTARIZIMI I MINIERËS NË KOMPANI KONCESIONARE

Bulqiza është një trevë, e cila shtrihet në pjesën verilindore të vendit dhe përfshihet në Qarkun e Dibrës. Jeta në këtë zonë zhvillohet në dy dimensione. Në të vërtetë janë dy Bulqiza, Bulqiza që shtrihet gjeografikisht dhe Bulqiza e nëntokës. Miniera e dikurshme e centralizuar është fragmentarizuar në qindra kompani koncesionare. Sipas Ministrisë së Energjetikës, deri në fund të 2015 kanë qenë aktive gjithsej 264 leje minerare shfrytëzimi për mineral kromi, nga të cilat tre leje janë koncesionare. Këto leje janë të shpërndara në 12 rrethe të vendit dhe në dy brezat e shkëmbinjve ultrabazikë. Numri më i madh i lejeve të shfrytëzimit, mbi 150, ndodhet në bashkinë e Bulqizës. Në vitin 2000 u firmos nga qeveria dhënia me koncesion e puseve të thellësisë të Bulqizës dhe të Fabrikës së Pasurimit të Kromit në Bulqizë dhe në Klos si dhe Uzinat e Ferrokromit në Burrel e Elbasan, për 30 vjet . Pas nëntë vitesh, në korrik të vitit 2009, “DARFO” i shet 100 % të kuotave të kapitalit themeltar të shoqërisë koncesionare “DARFO ALBANIA”, shoqërisë “ACR Holding” dhe pas kësaj, emri i shoqërisë ndryshohet në “Albanian Chrome” me të njëjtin NIPT.

Më 17 janar 2013 “Balfin Group”, me Samir Mane si drejtues i bleu aksionet e kompanisë “Albanian Chrome” (ACR), shoqërisë “DCM DECO-metal GmbH-DCM Beteilinungs GmbH. (BIRN). Por ndërsa premtoi një investim prej 55 milionë Euro për Pusin deri në vitin 2021, pikërisht në dhjetor të këtij viti Minierat në pronësinë e “Balfin Group”, në Bulqizë i kalojnë në zotërim shoqërisë turke “Yildirim International Mining Investments B.V.”

Shtatëdhjetëepesë vjet pas krijimit, miniera e kromit Bulqizë nuk është më një ndërmarrje gjigande, por një sistem i tërë shfrytëzimi që ndahet në më shumë se 130 ndërmarrje private, gjeneruese të punësimit për shumicën e familjeve të zonës. Për këtë arsye ajo ka një rëndësi strategjike dhe duhet sjellë në vëmendje të qeverisë dhe të opinionit publik, pasi përbën një kantier të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare. Kjo edhe për faktin se reformat e derisotme kanë qenë të dhimbshme pasi privatizimet lanë të pa punë pjesëtarë në shumë familje që akoma bëjnë një jetë të vështirë. Me gjithë punët që janë bërë në këto vite pasi në disa aspekte jeta ka ndryshuar dhe është drejt përmirësimit, evidentohen plot probleme që kërkojnë zgjidhje. Problemet sociale janë prezent në komunitet për arësye të organizimit jo transparent dhe për financime që nuk i plotësojnë minimumin jetik për shumë familje. Gjëndja e rëndë ekonomike i shtyn të rinjtë të zgjedhin emigrimin si zgjidhje pasi nuk gjejnë punë. Shfrytëzimi i minierës sot është në një kaos organizimi dhe të moszbatimit të ligjit, me shumë humbje jetësh njerëzore dhe organizim ku nuk sigurohet zbatimi rregullave të sigurimit teknik. Gjithashtu në minierat e Bulqizës e të Martaneshit kërkohet të futen rregulla ligjore që të përfitojnë më shumë i gjithë komuniteti dhe jo vetëm një grup njerëzish që pasurohen duke shkelur të drejtat e punëtorëve.

Të fundit

Vangjel Dule: Kushdo që gjendet me databaze të qytetarëve vihet para përgjegjësisë

Kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule teksa foli për pr.ligji për të dhënat personale tha se kushdo që gjendet me...

“Arrestove Adem Jasharin”/ Balla-Berishës: Po e do kombëtaren, hajde në stadium dhe…

Ministri i Shtetit për Parlamentin, Taulant Balla iu përgjigj kërkesës së kryetarit të Partisë Demokatike Sali Berisha për të miratuar një rezolutë kundër genocidit...

‘Parti Enver, jemi gati kurdoherë’/ Miratohet me kaos Buxheti 2025 në Bashkinë Shkodër

Këshilli i Bashkisë Shkodër ka miratuar buxhetin e vitit 2025 në një mbledhje të tensionuar, ku përveç diskutimeve të ashpra, opozita dhe mazhoranca u...

Zgjedhjet e 11 majit 2025/ Balla: Emigrantët nuk do të paguajnë për postën e votës

Duke u ndalur në procesin zgjedhor të 11 majit 2025, Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla i kërkoi opozitës të bashkojë votat...

Deputeti i PD takim me shqiptarët në SHBA, Nallbati: Shqipëria ka nevojë për ju!

Deputeti i PD, Bledjon Nallbati ka zhvilluar një takim me shqiptarë në Waterbury të SHBA. Në postimin e tij në Facebook, Nallbati falënderoi dhe shprehu...

Lajme të tjera

Web TV