Tmerri i radhës tek mjekësia “pa para”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

“Vdis pa ngjallu”, është një shprehje që në rastin konkret do shqyrtojmë, nuk është se merr kuptim tërësor, por përsëri mbetet domethënëse.

Ti mendon për mjekët dhe sistemin mjekësor, kur të zë halli e nuk ke nga ia mban. Dhe meqenëse ke paguar sigurimet shoqërore dhe ato mjekësore shkon të kërkosh zgjidhje sipas protokollit. Dhe protokolli është ca i lodhshëm, por gjithsesi nuk të lë pa gjë. Personeli i Qendrës Shëndetësore të lagjes, – që janë për diagnostikimin fillestar, – të përcjellin për tek Poliklinika e Specialiteteve, për një vizitë të thelluar ose për një diagnostikim me aparaturë, gjë që nuk e kanë klinikat e lagjeve. Dhe po për analiza të thelluara, “lagjja” të dërgon tek “specialiteti”, sepse laboratori i tyre është i thjeshtë e nuk i plotëson dot të gjitha të dhënat. Dhe ti fillon të bësh cirk. Janë pikërisht “specialitetet” që ose të rekomandojnë të trajtohesh në kushte ambulatore ose të dërgojnë në spital.

Mirëpo Tirana ka 10 Qendra Shëndetësore. Tre prej tyre kanë marrë emrin “Specialitete”. Shtatë të tjera janë qendra të thjeshta shëndetësore me patolog, pediatër, kardiolog, laborator analizash dhe kirurg, por që në rast mungese ky i fundit zëvendësohet nga ndihmësmjeket që bëjnë injeksionet e mjekojnë plagët. Nëse do të kërkosh ndihmën e endokrinologut, urologut, reumatologut, neurologut, dermatologut, okulistit, fizioterapistit etj, duhet të shkosh tek Specialitetet.

Prej shumë vitesh numri i Poliklinikave të Specialiteteve ka mbetur i pandryshueshëm. Janë të njëjtat poliklinika që u ngritën në kohën e shtetit komunist. Në demokraci u hapën klinika private boll. Por ato shtetërore mbetën aq sa ishin. Nuk po flas se çfarë përmbajtje kanë brenda, sepse padyshim janë zëvendësuar laboratorët e vjetër dhe aparaturat e vjetra. Por janë të njëjtat godina, të njëjtat dhoma dhe po aq mjekë, ndihmësmjekë e personel ndihmës. Në mos po kanë firuar edhe ata. Dhe vendi ka mbetur bosh e nuk ka kush të të ndihmojë të hedhësh hallin.

Këtu të ofrohet privati. I shpejtë dhe efikas.

Por jo të gjithë kanë mundësi të shkojnë te privati, ku një vizitë kap vlerën e një të tretës së pensionit. Pastaj derisa sigurimet shoqërore janë paguar, duhet kërkuar dhe shërbimi. Sepse nuk ke pse të paguash dy herë për mjekësinë: edhe te shteti edhe te privati. Ose të gjendet një zgjidhje tjetër. Fjala vjen: nuk paguhen paratë në shtet, ato kursehen dhe në një ditë të keqe përdoren tek privati. Matematika është e thjeshtë. Mirëpo kjo nuk ndodh. Kështu që njerëzit janë të shtrënguar të mbajnë radhë te shteti.

Sipas statistikave, 10 poliklinikat e Tiranës para viteve ’90 shërbenin për rreth 250 mijë banorë që kishte asokohe kryeqyteti. Tre Klinikat e Specialiteteve ku kryesonte Poliklinika Qendrore, ndanin nga 80 apo 85 mijë banorë. Sot, pretendohet që Tirana po i afrohet 1 milion banorëve, dhe bashkë me rrethinat mendohet se e kapërcen këtë shifër. Pra është katërfishuar. Pamja bëhet edhe më qesharake kur në këtë Tiranë masive që vazhdon të mbipopullohet vazhdojnë të jenë vetëm 3 klinika Specialitetesh ku Poliklinikës Qendrore ia kanë hequr titullin, sepse me sa duket zinte shumë vend. Kjo Poliklinikë tanimë është kthyer në Poliklinika e Specialiteteve Nr. 3.

Lexo edhe :  Me shumë të papritura dhe një eliminim të dyfishtë, ja çfarë pritet të ndodh sot në BBV

Një tjetër poliklinikë e cila në gjuhën e përditshme quhet “Iraniani” tanimë është Qendra Shëndetësore e Specialiteteve Nr. 1.

Dhe poliklinika e Lagjes 9, tanimë është Qendra Shëndetësore e Specialiteteve Nr. 2.

Me një llogari të thjeshtë i bie që një poliklinikë të jetë në funksion të rreth 300 mijë banorëve.

Këtu nuk flasim për qendra shëndetësore që mbushin vetëm recetat e pensionistëve dhe mjekët nuk arrijnë të bëjnë as vizita pasi më shumë janë kthyer në nëpunës shëndetësie. Këtu flasim për klinika diagnostikuese dhe laboratorë analizash.

Të vijmë tek thembra e Akilit.

Radha te klinika nr 2 që jemi mësuar ta quajmë “9-ta”, është e tmerrshme. Sidomos për analiza. Tek endokrinogu dhe tek kardiologu, për shkak se ka shumë pacientë, ka zallamahi të vazhdueshme. Po të jesh ca në moshë të bie të fikët në mes të korridorit. Po të jesh në marrëdhënie pune duhet të marrësh leje te shefi. Sepse do të jesh gjithë ditën e ditës në klinikë jallah të mbarosh punë.

Këtu nuk po flasim as për korrupsion, as për mitmarrje, as për cilësinë e mjekut e të personelit në përgjithësi. Këtu ngrihet pyetja: a mundet një qytet me 1 milion banorë të ketë po aq klinika sa dhe para viteve ’90, të shekullit të kaluar, kur Tirana ishe katër herë më e vogël?

Radha në poliklinikat e shtetit është një tmerr i vërtetë, sepse ankohesh nga një sëmundje por sëmuresh edhe nga një tjetër. Del nga klinika me dy diagnoza. Kësaj i thonë ta realizosh e ta tejkalosh planin.

Ata që kanë punuar nëpër botë, – domethënë në vendet e Evropës dhe ato të Amerikës, – dhe janë ndeshur me sistemin mjekësor, me siguri do të thonë se edhe në Perëndim, vizitat e planifikuara ku pacienti kërkon ndihmën e institucionit sepse ka paguar detyrimet, është po aq burokratike dhe e ngadaltë, sa radha të vjen edhe pas tre muajsh. Por në Poliklinikat e Specialiteteve tona, për disa analiza specifike radha të vjen fiks pas 6 muajsh. Këtu shprehja “Vdis pa ngjallu” merr vërtet kuptim.

Atëherë na duhet të ngrejmë një pyetje tjetër: Si i bëhet? Cila është zgjidhja? Sepse në vonesë të institucionit ku ti ke paguar sigurimet, je i detyruar të shpejtosh për tek një klinikë private, ku përsëri je i detyruar të paguash për shëndetin tënd. Madje goxha më shtrenjtë. Dhe ke paguar dy herë ndërkohë.

Puna është të paguash një herë, se pakkush e ka luksin të hedhë para kot.

Të fundit

Zbulohet faktori i ri që rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës, ja për kë bëhet fjalë

Nëse do ta përfytyronit trupin tuaj si një makinë, zemra do të ishte motori. Zemra, një organ muskulor që ndahet...

Njohja e pensioneve me Italinë, nga e hëna drafti diskutohet në komisione parlamentare!

Marrëveshja me Italinë për njohjen e pensioneve të mbi 500 mijë shqiptarëve do të diskutohet nga e hëna në  komisionet parlamentare. Drafti parashikohet të prezantohet...

Puka dhe Tropoja bëhen bashkë dhe dhurojnë një mbrëmje të paharruar në “Gëzuar me ju”

Në programin “Gëzuar me ju” ishin të ftuar këngëtarët e njohur të muzikës popullore Perlat Sheqeri, me origjinë nga Puka, dhe Arif Dushaj, nga...

Thuajse të gjithë po e lexojnë gabim takimin e Ramës!

Nga Alban Daci Disa e quajnë takim elektoral me patronazhitë që ndoshta është edhe e vërtetë! Disa thonë se Rama e mbushi stadiumin me autobuzë nga...

Shkëmbimet tregtare / Ja ç’po ndodh me eksportet e vendit tonë në 5 vitet e fundit

Mallrat “Made In Albania” që shiten në Greqi janë dyfishur përgjatë 5 viteve të fundit. Të dhënat e Instat tregojnë se gjatë vitit 2023...

Lajme të tjera

Web TV