Plator Nesturi
Muajt dhe javët kanë rrjedhur e tashmë situata në patinë më të madhe të opozitës duket më e komplikuar se më parë. Akuza, Foltore, ndarje, kuvende të ndryshme, sulm e porta të blinduara, gaz lotsjellës, primare e çështje vulash, janë pjesë e së shkuarës. E ardhmja sërish ama parashikon lot humbjeje e trishtim për humbje shprese. PD ka hequr shumë në gjithë këto muaj duke u shndërruar në një invalid që e ka lënë njërën këmbë në lufrat e brendshme mes saj. Të gjitha këto energji shkatërrimi kanë rrjedhur pa kursim si një shpërthim vetshkatërrues. E të bën çudi se si mund të shpërdoren kaq shumë këto energji kur mund të përdoreshin për të ndërtuar një parti ndryshe, për të krijuar një forcë moderne me ide dhe lidership të ri. Që arrin të frymëzojë e të rikthejë besimin tek ajo, që mund të jetë alternativë e besueshme qeverisëse dhe jo shëmbëlltyrë e e skenave të luftës plot tym e me viktima të rradhës anash. Zgjedhjet e afërme vendore veçse e nxjerrin më në pah se sa i madh dhe sa pasion ka patur procesi i vetëshkatërrimit të një force politike.
Një force që duket se po humb përfundimisht shansin që të jetë një alernativë qeverisëse qoftë edhe në të ardhmen. Të paktën me këtë prognozë që ka dhe pas asnjë opsion ndryshimi në horizont. Tashmë ndërsa do të përballen me elektoratin do të kenë pak vlerë ditirambet se si sulmohen rivalët si tradhëtarë apo të shitur, pak vlerë do të kenë dhe përfytyrimet e qëndrestarit si Oso Kuka të ngujuar në kullën e vet dhe që I qet pushkë kujdo që i cënon gardhin e partisë që e konsideron pronë të vetën. Ajo kush humbet është vetë PD-ja , që do mbetet si robinjë e rrëmbyer brenda së njëjtës kullë, së bashku me përdhunuesin .
Në një botë të hapur nuk ka vend për të vetizoluarit dhe që vizioni i pamjes nuk u shkon përtej livadhit të deleve të veta. Një shoqëri e hapur nuk mund të ketë si model kalorësin fytyrëvvrenjtur mesjetar që të endet nëpër Shqipëri në kërkim të kohëve të vjetra e të lavdishme për të. Kishoti e kish të mbyll kapitullin pa e nis, ashtu si Berisha nuk mund ta ktheje dot me çikrikun e ndryshkur të shkuarën e vet. Të dy thjesht mund të kenë një vend arkivor, i pari në atë të letërsisë e i dyti në skedarin e historisë. Çfarë ka ikur nuk kthehet dot më. Çështje dialektike. Problemi është se çfarë kusuri ka një parti që të mbahet peng, dhe një shoqëri të mbetet pa opozitë. Çfarë ka ndodhur është mëse e qartë tashmë. Frymëzimi i betejave të dhunshme prej mëse një viti në PD nuk ishin as dallimet politike, as konceptet e ndryshme programatikë e strategjikë të ardhjes në pushtet.
Frymëzimi i vetëm i luftës civile në PD personalizohet me emrin e Berishës dhe në funksion të së ardhmes së tij politike. Në emër të saj situata është inkandeshente në kampin opozitar, me qëndrime diametralisht të kundërta, saqë sot kemi një realitet aq të frakturuar saqë është e vështirë që do të mund ti mblidhen të tëra copat bashkë ndonjëherë. Pro Berishizmi rezultoi në një miopi, nga ku për hir të liderit të tyre shpirtëror kaloi deri në antiamerikanizëm. Çka natyrshëm do të ketë pasoja për ardhmërinë e ish PD-së në betejat e mëtejshme elektorale apo si partner i besueshëm në tryezat me ndërkombëtarët.
Edhe këto zgjedhje do të kalojnë si të kalojnë. Nuk ish e nevojshme të braktisje zgjedhjet si Basha dikur, për të mos qenë factor gare. Dhe kjo ua vështirëson jetën dhe atyre kandidatëve që besuan vërtet se do të përfaqësonin një parti që kapërcen krizat e që mund te bëhet alternativë pushteti. E vetmja alternativë është mbushja e një thesi të shqyer votash si ai i PL, që si dihet destinacioni. Që moti është i ngrysur në pritshmëtitë e kësaj opozite në zgjedhjet e majit, kjo nuk do shumë mend. Jo thjeshtë se këtë e shprehin sondazhet, as pse vetë opozita është e thërmuar me shumë kandidatë alternativë. Cështja është që nuk as busull se ku duhet të gjejë një liman pasi në anije ka rënë gjëma e i kanë rrëzuar direkët. Ajo çka përbën më tepër kureshtje është se çdo të ndodhë pas 14 majit. Çfarë zhvillimesh do të prodhojë një humbje e paralajmëruar dhe ku gjithkush vijoi rrugën ndonëse e dinte se pas saj vinte një greminë.
Do të ketë nerv për të vënë në cep shkaktarët apo sërish do ti nënshtrohen përulësisht fajtorit. E thënë troç. A do jetë një mundësi që PD të shpëtojë nga përqafimi mbytës I Berishës, apo do të kemi një opozitë pa të e pa gajdexhijtë e tij. Shanset se së paku PD mund të shkonte drejt një procesi të dhimshëm por që do çonte paqtimin e brendshëm dhe ribashkimin e saj, u tretën nga mospasja kohë e e Berishës për të menduar realisht për fatin e partisë që dikur ka drejtuar. Ai nuk kish kohë për PD-në, por për fatin e tij përballë Non Gratas. Dhe qëllimi i tij të mos shkëpusë fatin e PS-së nga fati i tij personal. Ndaj dhe sot ka ardhur një ditë që e shumë demokratë, kur hedhin vështrimin pas, nuk arrijnë ta njohin partinë e tyre me atë çfarë përfaqësionte dikur.