Një tjetër rrugë në bllokun e pallateve tek “Osman Myderizi”, në Njësinë 5, u asfaltua mbrëmë në Tiranë.
Kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili inspektoi punimet edhe për shtrimin dhe sistemimin e infrastrukturës rrugore në këtë lagje të rëndësishme të qytetit, tha se Njësia 5 është zona ku bashkia ka ndërhyrë më shume, duke qenë se aty vitet e fundit është përqendruar edhe një numër i madh banorësh.
“Njësia 5 është ndoshta njësia ku është vënë më shumë dorë, por sigurisht gjithmonë ka cepa, kthina e ndërtime të bëra ndër vite, që janë legalizuar, ku duhet të punohet edhe me dorë. Për të gjitha këto arsye, tani jemi në fazën ku po ndërhyjmë në nivelin kapilar. Njësia 5 hyn tek ato njësi, e cila në këto dy mandate është prekur cep më cep, duke filluar nga Blloku, deri në Selitë, te shkolla “Murat Toptani” dhe gjithë ndërhyrjet që po bëjmë tani në bllokun e Selitës. Njësia 5 mund të ishte një qytet i dytë pas Tiranës, pra po flasim për një numër të jashtëzakonshëm banorësh”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, Veliaj deklaroi se për Bashkinë e Tiranës këto investime janë të vazhdueshme, pavarësisht nëse është fushatë apo jo.
“Ca njerëz mund të thonë: ‘Jo, po është fushatë’. Por, për ne të gjitha ditët e vitit janë një fushatë pune. Për ca njerez, të gjitha ditët e vitit janë një fushatë mallkimi dhe sharjesh. Kurse ne do bëjmë atë fushatën që bëjmë çdo ditë, që është punë, punë, punë. Ca të tjerë do vazhdojnë me baltë e sharje, por ky nuk është problemi ynë. Problemi ynë është që të ecim përpara. Në disa vende do ecim me mbjellje pemësh, siç është ajo që po bëjmë me këtë fushatën pozitive, ku duam që qyteti të jetë xixë, të mos ketë fare postera, hedhurina e gjithë këto mbetjet, pra gjithë ndotja që na vjen nga fushata me sharje dhe me shpenzime të mëdha. Ne duam të ulim ndotjen me postera e banderola”, nënvizoi kryebashkiaku.
Ai vlerësoi skuadrat që punojnë në terren, të cilat sipas tij janë në krye të detyrës çdo ditë të vitit: “Dimër, verë, Vit i Ri, Bajram, Pashkë, nuk ka fare rëndësi çfarë dite ka qenë, ne kemi qenë një fushatë konstante e punës. Ndaj, kërkesa ime edhe këto 30 ditë që kalon kjo tollovia dhe zallamahia e debateve politike, është që të vijojmë punën. Qytetarët e dinë se ne jemi këtu edhe në datën 14 Maj, por do jemi këtu edhe në datën 15, 16, edhe 17 Maj, duke bërë të njëjtën punë. Unë besoj se fushata më e mirë është fushata e atyre që punojnë non-stop. Për këtë ju vlerësoj jashtë mase dhe mezi pres që të mbyllni këtë hapësirë këtu, pastaj të kalojmë në një hapësirë tjetër. Unë sa të kem takat e mundësi do vij, rrugës duke u kthyer në shtëpi, disa herë t’ju jap dorën, disa herë t’ju jap një dorë me lopatë, por e rëndësishme është që me këtë frymë të mirë, ta çojmë Tiranën përpara. Nuk kthehemi dot më mbrapa, as tek zaptimi, as te degjenerimi që i ndodhi pronës publike, nuk kthehemi dot mbrapa as tek ajo Tirana që digjej e shkatërrohej për parti e për seli, nuk kthehemi dot as tek kali me atë spray blu e as tek trami imagjinar. Ne duhet të vazhdojmë përpara dhe nëse vazhdojmë përpara me punë, atëherë ditët më të mira Tirana jonë i ka drejt”, e mbylli Veliaj fjalën e tij.