Ambasadorja në ikje Yuri Kim ka kohë që i ka mbaruar mandati i saj, ndërsa vijon që të orintojë politikën shqiptare dhe të japë komente ende mbi sistemin e drejtësisë shqiptare. Kim ikën pas përfundimit të mandatit dhe në Shqipëri do të vijë ambasadori tjetër, i cili dje është zgjedhur nga Kongresi Amerikan.
Në Shqipëri do të mbërrijë në javët në vazhdim për të marrë detyrën David J. Kostelancik. Ai ka një karrierë të gjatë në fushën e diplomacisë dhe është njohës shumë i mirë i gjuhës shqipe, pasi ka shërbyer për tre vite në ambasadën amerikane në Tiranë në vitet 1992-1995.
Ndërsa priten jo pa interes qëndrimet e tij, duke i veshur me një dilemë sesi do të sillet, ambasdorja në ikje është tërësisht një rast për tu analizuar pasi ka trazuar jo pak ujërat në elitën politike të vendit por edhe në zhvillimet e tre viteve të fundit në Shqipëri.
Pasi erdhi si zëvendësuese e Donald Lu, Kim u shpreh që në momentet e para se misioni i saj kryesor do të ishte reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe demokratizimi i vendit. Për shkak të zhvillimeve të vrullshme, sidomos në kampin opozitar, Kim gëzoi mbështetjen e mazhorancës, por nuk mund të thuhet kjo për opozitën.
Është nga ambasadoret e rralla që është vënë në shënjstër për qëndrimet e mbajtura. Njohës të politikës në vend dhe analistë e anatemuan si të “njëanshme”, pasi sipas tyre mbajti në jo pak raste qëndrime të hapura pro mazhorancës dhe specifikisht kryeministrit Rama.
Gjithashtu Kim është diplomatja e cila mbajti qëndrime të forta dhe pati përplasje të mëdha me ish-presidentin Ilir Meta dhe me liderin e Partisë Demokratike Sali Berisha. Në një rast të paprecedent, ambasadorja amerikane dhe presidenti i vendit nisën përplasjet në distancë në akuza të forta ndaj njëri-tjetrit, pak javë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021.
Kjo situatë ishte vazhdë e përplasjeve të mëparshme, sidomos për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese ku kreu i shtetit akuzoi qeverinë dhe ambasadoren për ndëryrje të paligjshme në ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë.
Çështja shkoi në Komisionin e Vencias për interpretim dhe në tërësi i dhanë të drejtë kreut të shtetit. Megjithatë “armiqësia” mes Metës dhe Kim u duk sikur u shua pas zgjedhjeve të vitit 2021 dhe përfundimit të mandatit të presidentit Meta në korrik të po atij viti. Roli i ambasadores Kim do të merrte një tjetër drejtim, madje shumëfish më të afishuar edhe ndaj sulmeve.
Pas shpalljes së Sali Berishës përson “non grata” nga SHBA, për akuzën e “korrupsionit masiv” dhe “minimit të demokracisë” në maj të vitit 2022, Kim shkeli shpesh në selinë e PD-së, duke bërë edhe deklaratën e famshme se: “Demokratët të mos hanë bar dhe të shkojnë pas një personi të sanksionuar nga SHBA”.
Ky ishte momenti edhe më i zellshëm kur Berisha nisi sulmet në vetë të parë ndaj ambasadores, duke e kosideruar si individ që ka përfituar asete të paligjshme në Shqipëri me ndihmën e Edi Ramës.
Të paktën këto janë akuza lëshuar nga kreu i demokratëve Sali Berisha. Po ashtu Kim në muajt e fundit nuk ka qenë aq e “lumtur” me kreun e qeverisë Edi Rama, ku qëllimi për të pasur “njeriun e tyre” në SPAK futi në një rivalizim dyshen Rama-Kim.
Edhe pse ishte përfolur se në krye të SPAK do të zgjidhej Edvin Kondili, një prokuror i cilësuar si “i duhuri nga qeveria”, ambasadorja amerikane theu çdo protokoll diplomatik duke qenë vetë e pranishme në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe mendohet se prishi “zgjedhjen e sigurt të Kondilit”, duke përbysur raportin e votave dhe në krye të SPAK u zgjodh “njeriu i amerikanëve” Altin Dumani.
Ambasadorja gjithsesi largohet me një barrë dyshimesh mbi mënyrën sesi u soll në Shqipëri, edhe pse në disa raste zëvendësndihmës sekretari Amerikan i Shtetit Gabriel Escobar ka dalë publikisht në mbrojtje të saj duke e cilësuar si një nga ambasadoret më të mira të SHBA-ve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Kariera e Kostelancik
David J. Kostelancik, është një zyrtar karriere i Shërbimit të Jashtëm të Lartë, ndërsa së fundmi shërbeu si Këshilltar për Politikën e Jashtme të Kryetarit të Shefit të Shtabit të Përbashkët, Gjeneral Mark Milley.
Kostelancik ka shërbyer më parë si Zëvendës Shef i Misionit dhe për dy vjet si “i Ngarkuar me Punë”, në Ambasadën Amerikane në Budapest, Hungari. Detyrat e tjera përfshijnë Drejtorin e Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore Qendrore (mbikëqyrja e angazhimit diplomatik të SHBA-së me të gjitha vendet e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë) dhe Drejtor i Zyrës së Çështjeve Ruse në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike, si dhe Drejtor i Zyrës së Evropës dhe Azisë në Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (përfshirë menaxhimin e programeve të ndihmës për sundimin e ligjit të financuara nga USG në Shqipëri).
Më herët, Kostelancik u dërgua dy herë në Ambasadën Amerikane në Moskë, Rusi. Detyra të tjera jashtë shtetit përfshijnë Misionin e SHBA në OSBE dhe Misionin e SHBA në NATO, Ambasadën e SHBA në Tiranë, Shqipëri dhe Ambasadën e SHBA në Ankara, Turqi.
Kostelancik ka marrë çmimeve të shumta për performancën nga Departamenti i Shtetit. Kostelancik është diplomuar në Universitetin Northëestern në Matematikë dhe Shkenca Politike, si dhe Master nga Universiteti i Miçiganit në Studimin e Rusisë dhe të Evropës Lindore.
Po ashtu ai ka përfunduar Masterin Shkencor nga Kolegji Kombëtar i Luftës në politikën e sigurisë kombëtare.
Ambasadori i ardhshëm i Shqipërisë është njohës shumë i mirë i gjuhës shqipe, ruse dhe asaj turke. David J. Kostelancik është baba i tre djemve të rritur. Njohja e gjuhës shqipe nga ana e Kostelancik, pritet t’i lehtësojë edhe më tepër detyrat si ambasador në Shqipëri.