Sulmet terroriste të 11 Shtatorit 2001 në Nju-Jork, Uashington dhe Pensilvani, e bënë edhe më urgjente kapjen e udhëheqësit saudit të terroristëve, Osama bin Laden. Kërkimi kishte filluar në vitet ‘90 të shekullit 20…
…Pikërisht në 2 maj të vitit 2011 Osama bin Laden vritet nga forcat speciale amerikane gjatë një operacioni në vend-strehimin e tij të fundit në Pakistan. Udhëheqësi famëkeq 54-vjeçar i Al-Kaedës, rrjeti terrorist i ekstremistëve islamikë, kishte qenë objektivi i një kërkimi ndërkombëtar prej gati një dekade.
Operacioni nisi rreth orës 1 të mëngjesit sipas kohës lokale, kur 23 marinsa zbarkuan nga 2 helikopterë Black Haëk në kompleksin që gjendej në Abutabad, një qendër turistike dhe ushtarake në veri të kryeqytetit Pakistanez, Islamabad. Një nga helikopterët u rrëzua mbi kompleks, por asnjë nga persona në bord nuk u lëndua.
Gjatë sulmit që zgjati rreth 40 minuta, 5 persona, përfshirë bin Ladenin dhe një nga djemtë e tij të rritur, u vranë me armë zjarri nga marinsat. Asnjë prej trupave amerikane nuk u lëndua. Më pas, trupi i bin Ladenit u dërgua me helikopter në Afganistan për identifikim zyrtar, dhe më pas u varros në një vendndodhje të fshehtë në Detin Arabik, më pak se 24 orë pas vdekjes së tij, në përputhje me praktikën islame.
Vetëm pas orës 11:30 të paradites së 2 majit me orën lokale, presidenti i SHBA-së Barak Obama, i cili e vëzhgoi operacionin në kohë reale me anë të xhirimeve nga një avion që fluturonte lart mbi Abutabad, mbajti një fjalim televiziv nga Shtëpia e Bardhë, duke njoftuar vdekjen e Bin Ladenit.
“Drejtësia është vënë në vend”- tha presidenti. Pasi dëgjuan lajmin, turma të gëzuara u mblodhën jashtë Shtëpisë së Bardhë dhe në sheshin Times Square të Nju Jorkut, si dhe në Ground Zero, aty ku dikur ngriheshin dy kullat e Qendrës Botërore të Tregtisë.
Bazuar në dosjet kompjuterike dhe dëshmitë e tjera të mbledhura nga marinsat gjatë operacionit, u konstatua më vonë se Bin Ladeni po bënte plane për të vrarë presidentin Obama, dhe për të kryer një seri sulmesh kundër Amerikës, duke përfshirë një sulm në përvjetorin e 11 Shtatorit, sulmi më i madh terrorist i ndodhur ndonjëherë në SHBA-së, dhe që shkaktoi gati 3000 të vdekur.
Menjëherë pas sulmit të vitit 2001, presidenti i atëhershëm Xhorxh W. Bush, deklaroi se Bin Laden, i lindur në një familje të pasur në Arabinë Saudite më 1957, dhe që e kishte përdorur trashëgiminë e tij prej dhjetëra miliona dollarësh për të ndihmuar në krijimin e Al-Kaedës dhe për të financuar aktivitetet e saj, do të kapej i vdekur apo i gjallë.
Në dhjetor të atij viti, pas sulmit në Afganistan dhe rrëzimit të regjimit të talebanëve, forcat
e mbështetura nga amerikanët ishin shumë pranë afër kapjes së bin Ladenit në një kompleks shpellash në rajonin e Tora Bora. Megjithatë, ai u arratis dhe do të vazhdonte t’u shpëtonte autoriteteve amerikane për gati 1 dekadë.