Nga ROLAND QAFOKU
Me shifrën rreth 40 për qind të pjesmarrjes, zgjedhjet e 14 majit treguan se Shqipëria refuzoi masivisht klasën politike.
Pas këtij rezultati, si mazhoranca socialiste, ashtu edhe opozita e djathtë, duhet të jenë kokë ulur dhe duhet ta lexojnë këtë si një refuzim dhe si një pakënaqësi masive, të hapur që nuk ka ndodhur në asnjë zgjedhje paraardhëse.
Në 60 për qind, populli shqiptar refuzoi të votojë në shumicë si mazhorëncën socialiste, por edhe opozitën e PD-së, duke treguar haptazi se kemi një klasë politike aspak të denjë për të dhënë alternativa dhe për të tërhequr në programet dhe projektet e tyre.
Ky refuzim është njëkohësisht fenomeni më i rëndë dhe më goditës që ka bërë populli shqiptar ndaj kësaj klase politike. Por çfarë tregoi konkretisht ky refuzim?
Së pari, pjesmarrja e ulët në zgjedhjet 14 majit tregoi se pas 10 viteve në pushtet, është ulur ndjeshëm mbështetja ndaj Partisë Socialiste dhe ajo nuk është më forcë e besueshme dhe nuk është më e aftë të motivojë dhe ofrojë alternativa të besueshme për të qeverisur masivisht si pushtetin qendror dhe pushtetin lokal. Mjafton të kujtojmë se në Vlorë, atje ku PS ka mbështetjen më të madhe pjesmarrja ishte 23 për qind gjë që tregon se çfarë refuzimi masiv kanë bërë edhe vetë socialistët për këtë parti.
Së dyti, pjesmarrja e ulët në zgjedhjet e 14 majit tregoi se Partia Demokratike dhe e gjithë opozita është treguar e paaftë për të motivuar masën e njerëzve dhe për të qenë alternativë serioze duke iu kundërvënë pushtetit arrogant socialist. Opozita nuk arriti ta bëjë detyrën e vet edhe në këto zgjedhje duke dështuar totalisht në krijimin e një alternative. Kjo PD dhe kjo opozitë krijoi perceptimin se ajo nuk ndryshon shumë nga politikanët e pushtetit dhe populli nuk mund ta votojë.
Së treti, pjesmarrja e ulët në zgjedhjet e 14 majit tregoi se Partia Socialiste ka krijuar distancë të theksuar me masën e njerëzve. Duke mos marrë pjesë në votim populli shqiptar refuzoi hapur fodullëkun dhe kapadaillëkun e disa politikanëve, burra dhe gra, që të sigurtë në paraqitjen e tyre kanë krijuar antipati në popull dhe më 14 maj morën atë që merituan.
Së katërti, pjesmarrja e ulët në zgjedhjet e 14 majit, tregoi se avantazhi kryesor i Partisë Socialiste nuk janë alternativat e saja por gjendja e mjerueshme ku ndodhet opozita. Është pikërisht kjo gjendje çelsi i fitores së zgjedheve të fundit për pushtetin qendror dhe lokale por edhe një fitore të mundshme të saj edhe më 14 maj.
Së pesti, pjesmarrja e ulët në zgjedhjet e 14 majit tregoi se shqiptarët e pakënaqur me pushtetin dhe politikën e gjejnë zgjidhjen jo më te selitë e partive politike të opozitës, por në “selinë” e Aeroportit të Rinasit. Ikja dhe emigrimi masiv është një arsye kryesore që kësaj pjesmarrje kaq të ulët. Njëkohësisht ajo është një shuplakë ndaj kësaj klase politike që nuk jep zgjidhje fenomeneve nga më të ndryshme që ka vendi.
Së gjashti, pjesmarrja e ulët në zgjedhjet e 14 majit tregoi se rinia është pothuajse e pa interesuar për politikën. Të rinjtë shqiptarë treguan se sa shumë distancë kanë me politikanët dhe sa larg janë nga alternativat që paraqesin politikanët. Refuzimi i rinisë, e asaj moshe nga 18 deri në 30 vjeç është goditja më e rëndë që ka marrë kjo klasë politike.
Së shtati, pjesmarrja e ulët në zgjedhet e 14 majit tregoi se opozita vazhdon të jetë një çështje e madhe kombëtare dhe jo më një problem e individëve që zihen për një vulë dhe për drejtimin e saj. Populli refuzoi masivisht të votojë një opozitë në gjendjen e shpartalluar që ajo ka. Populli refuzoi të votojë një opozitë të copëzur të ndarë dhe plot sherre.
Së teti, pjesmarrja e ulët në zgjedhjet e 14 majit tregoi se teknologjia në Shqipëri mbetet një mallkim që na ndjek përherë. Këto zgjedhje treguan një KQZ të paaftë të menaxhojë një proces zgjedhor duke shkatërruar procesin e identifikimit elektronik në 530 qendra votimi ka një ndikim sado të vogël në pjesmarrjen e ulët. Ata qytetarë që u paraqitën në qendrat e votimit në mëngjes dhe nuk mundën të votonin se pajisja nuk funksionoi, pak shans ka që të ktheheshin sërish për të votur.
KQZ këtë herë duhet të mbajë përgjegjësinë e vetë veçanërisht për mungesën e testimit të pajisjeve. Së nënti, pjesmarrja e ulët në zgjedhjet e 14 majit tregoi se programet e partive dhe premtimet e kandidatëve nuk kanë patur asnjë vlerë dhe nuk janë përçuar te populli. Ato nuk kanë tërhequr dhe nuk kanë ngjallur interes. As ndonjë projekt me nënkalime nuk bëri që masa e njerëzve të tronditeshin pozitivish dhe të nxitonin për të hedhur votën. Së dhjeti, pjesmarrja e ulët në zgjedhjet e 14 majit tregoi se klasa politike shqiptare duhet të riformatohet për të gjeneruar energji të reja, me politikanë rinj dhe të reja dhe jo më me të njëjtët aktorë politikë. Me një pjesmarrje 40 për qind, asnjë politikan shqiptar nuk mud të përdorë më argumentin se mua më voton partia dhe populli.