Nënkomisionerja Qendrore e Zgjedhjeve, Lealba Pelinku, ishte e ftuar këtë të hënë në Euronews Albania ku foli në lidhje me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 14 majit.
Pelinku u pyet dhe në lidhje me pretendimet e opozitës për manipulim të votimit elektronik në Kamzë dhe kryerjen e një hetimi ndërkombëtar për pajisjet.
Pelinku theksoi se është në interes të KQZ të kryeht një verifikim i pretendimeve. Ajo shtoi se këtë verifikimin e parashikon dhe Kodi Zgjedhor, ku një pjesë e pajisjeve të votimit elektronit, riprovohen nga KQZ nëse ato kanë funksionuar në rrregull.
“Karshi deklaratave të palëve, Komsioni Qendror i Zgjedhjeve ka detyrimin të bëjë transparencën. Ajo që unë mendoj që garancia që ofron Kodi Zgjedhor në përcaktimet e tij, është verifikimi post zgjedhor. Kjo ka qenë teknologji që është përdorur dhe në dy zgjedhjet e kaluara. Pavarësisht se nuk ka pasur kontestim, KQZ ka detyrimin të kryejë verifikimin post zgjedhor, duke zgjedhur në mënyrë rastësore një përqindje të caktuar të pajisjeve dhe duke i verifikuar. Verfikimi ka rezultuar korrekt.
Por kemi një kontekst të ri, kemi pasur një 10-fishim të qendrave të votimit, ku kjo teknologji është aplikuar. Parë dhe numri i lartë i pretendimeve që kanë ngritur palët në raport me proceset e kaluara, mendoj që KQZ nuk ka rrugë tjetër veçse të bëjë transparencën në lidhje me këto pretendime. Kur flas për transparencë, paanësia e këtij verifikimi, është paanësi që do t’i siguronte integritet procesit të verifikimit”, tha Pelinku.