“Koalicioni me Metën i vuri kapakun besimit tim te Berisha”, kështu u shpreh themeluesja e Partisë Konservatore, Evi Kokalari dje në një intervistë televizive.
Ajo tha se priste që Berisha të dëgjonte mendimet e demokratëve pasi të gjithë ishin në mbështetje të tij, por askush nuk e donte një koalicion me Ilir Metën.
E megjithatë, sipas Kokalarit momenti kur ajo vërtet e humbi tërësisht besimin te Sali Berisha ishte kur ai ftoi në zyrë menjëherë pas forumit rinor, Besart Xhaferin, duke treguar kështu se ai ishte dakord që Xhaferi të vendosej në krye të forumit, ndërkohë që sipas Kokalarit, ajo dhe të tjerë nga strukturat e PD nuk u dëgjuan fare në lidhje me ankimet që kishin për kreun e ri të forumit rinor.
-Sa i takon frymës së re që do të sjellësh në Shqipëri, si do të bëhet lëvizja konservatore një parti?
Bëhet në momentin që ne kemi kandidatët që unë dua të gjej. Po mendoj se mënyra më e mirë është që të gjej 40 kandidatë shumë të zotë dhe do të jetë një kombinim i intelektualëve nga diaspora dhe Shqipëria dhe do ketë edhe të rinj duke filluar nga mosha 24 vjeç.
-Në bazë të çfarë kriteresh bëhet përzgjedhja e tyre?
Në fakt nuk është se po i marrim në intervistë, por unë do të ulem dhe do të flas me ta nga afër, ti njoh dhe më vonë duhet që të arrihet që të gjenden dy kandidatë për një zonë të caktuar, atëherë mund të kemi primaret vitin tjetër dhe të kemi një mënyrë tjetër zgjedhje kush është më i miri.
Por, duhen njerëz që kanë një intelekt ndryshe dhe që duan të ndryshojnë diçka në këtë vend. Unë kam qenë për pak vite në PD, por nuk kam qenë zyrtarisht pjesë e saj, nuk kam qenë në kryesi dhe as anëtare. Por u dorëzova ndaj Berishës sepse me iku besimi.
-A mundet ndonjë figurë e Rithemelimit që të bëhet pjesë e kësaj lëvizje?
Derën e kanë të hapur por që varet se kush. Ka figura nga Rithemelimi që kanë pasur influencën sorsiane dhe që kanë bërë dëme dhe manipuluan Këshillin Kombëtare dhe kanë qenë në bashkëpunim me Belind Këlliçin për të marr këshillin dhe këta nuk do t’i pranoja kurrë. Pastaj nga ata të kryesisë mendoj se shqiptarët janë lodhur nga figura që kanë kaq vite në politik.
-Ishte koalicioni me kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta që të bëri të humbje besimin tek Sali Berisha apo ishte ndonjë vendim tjetër që ai mori?
Koalicioni i vuri kapakun dhe sidomos kur ata humbën vulën në gjykatë dhe ky nuk dëgjoi demokratët, pasi asnjë demokratë nuk donte që të ishte në koalicion me Ilir Metën.
Por, momenti kur unë e humba besimin komplet ishte kur ai ka dal një mëngjes pas garës së forumit rinor dhe ftoi Besart Xhaferrin në zyrë ndërkohë që pjesa tjetër po çonin ankimet ai e mbylli.
I thash që bëjë negociata me Alibeajn dhe ai tha nuk bëj negociata me Ramën se e shihte Alibeajn si Edi Rama dhe unë i thash ca ndryshimi ka, ju jeni në krevat me Ilir Metën. Dhe aty thash ky po bënë lojë me neve dhe nuk mund ta lejoja veten të isha pjesë e një loje.
-Ju keni qenë gjithmonë e drejtpërdrejtë dhe në fjalën tuaj në prezantimin e lëvizjes dhe thatë që ju falënderoj që keni ardhur edhe pse jam e vetëdijshme që mund të keni pasur kërcënime për të mos qenë këtu, kush ka kërcënuar?
Kërcënimet kanë filluar shumë kohë më parë atëherë kur unë thash që ndoshta është momenti i krijimi i një partie të re. Tani nga kush ka ardhur, unë nuk e besoj më që këto gjëra janë bërë nga njerëz rreth e rrotull Berishës dhe ky i fundit nuk e di.
Gjatë 6 mujorit të fushatës së tyre shumë kanë dal si urdhra më kanë thënë nga deputetja Albana Vokshi.
-Ti personalisht si Evi Kokalari nuk je kërcënuar asnjëherë nga askush?
Jo unë jo.
-Kur thoni se kjo ishte hallka që më ndau nga Partia Demokratike për të menduar për të hapur diçka të re, dikush do thoshte pse duke qenë mirë e bukur në Amerikë vjen dhe hap një lëvizje të re në Shqipëri?
Unë mund të vazhdoj të jem mirë e bukur në Amerikë dhe arsyeja që po e bëjë këtë se në këto vite që kam qenë këtu jam lidhur me shumë njerëz që duan një ndryshim që unë mendova se do të vinte nëpërmjet Berishës, por që fakti që ai nuk e bëri dhe kur kam parë lojërat që janë bërë me koalicionin thashë që ata bëjnë lojëra.
Kanë 32 vite që bëjnë rotacion të pushtetit dhe mendova si të futem që të prish çfarë kanë ata.
-Në fakt këtë e ka tentuar Jozefina topalli, Astrit Patozi dhe shumë të tjerë këtë që po bëni ju?
Këta janë të gjithë pjesë e 32 vjeçarit. Jozefina mori 5 mijë vota në total dhe po të kishte ndenjur me grupin e PD kur ata u ndan them se ajo do kishte shanse më të mëdha për të fituar më tepër, ajo doli veç dhe e pamë nëpërmjet votës sa vota mori.
Kur thash do e filloj këtë lëvizje e vetmja kërkesë është mos u ngatërro me asnjë nga që janë të së shkuarës dhe kanë vite në politikë.
-Çfarë marrëdhënie keni ju me kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj?
Asnjë marrëdhënie madje as e kam takuar ndonjëherë. Mua po më dalin në krahë të gjithë të majtët sepse kanë parë luftën time me Berishën dhe kanë parë mënyrën se si grupi Berishës më është kundërvënë.
-Çfarë ka Evi Kokalari me Lëvizjen Socialiste për Integrim që e ka kaq problem?
Meta ka bindje socialiste, Rama nuk mendoj se ka bindje socialiste, por them se e mori PS sepse atë mundësi kishte, kurse Metën dhe Monikën unë i shoh njerëz me bindje politike. Unë kam qenë naive dhe ne kemi qenë naiv të gjithë dhe nuk i mendonim qëllimet e tij që bënte plane në interes të vet dhe nuk ishin në interes të Partisë Demokratike.
Lëvizja Socialiste për Integrim ka qenë një zar që njëherë ka shkuar nga Partia Demokratike njëherë nga Partia Socialiste. Po ka ardhur një pikë që ai këtë se donte më dhe donte të zgjeronte partinë e tij dhe pasi u hoq Lulzim Basha, Meta ka qenë ai që e ka fryrë Belind Këlliçin. Tani Belindi me disa të tjerë tani po mundohen që të heqin Berishën që të mundohen që ta marrin ata.
-Pse nuk heshte si gjithë të tjerët dhe të rrije me Sali Berishën?
Thjesht dua të kaloj tek gjeni më gjej një Kokalar që e mbylli gojën dhe nuk vuajti. Unë këtë ndryshim do ta bëjë për Shqipërinë, duhet shumë punë dhe kam idenë se mund t’a arrij dhe nuk kam ndërmend që akoma të bëhem kryetare, por dua të nxjerr figura politike me integritet dhe për këtë ka nevojë Shqipëria për figura të reja dhe kjo është e vetmja mënyrë për të bërë përpara në këtë llum politik.