Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në takim sportistët e Ekipit Kombëtar të MMA-së, të cilët dolën të dytët në Kampionatin Ballkanik të Arteve Marciale Mikse, i mbajtur në muajin qershor.
Duke qenë se këtë vit Tirana është Qyteti Evropian i Sportit, Veliaj u shprehu mirënjohjen të gjithë lojtarëve që i sollën Shqipërisë medalje të tjera, edhe në një sport jo shumë të njohur dhe praktikuar në vendin tonë.
Ai u shpreh po ashtu, krenar për faktin se turneu i 7-të Ballkanik i MMA-së u zhvillua në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”.
“Më vjen mirë që kemi marrë një ftesë për të qenë mikpritës edhe i Kampionatit Botëror. Nuk do e merrnim dot këtë ftesë nëse Tirana s’do kishte provuar që di të bëjë aktivitete të mëdha dhe të disiplinuara.
Është një vend i sigurt, ku turisti nuk preket, ku ti, edhe në mes të natës mund të ecësh lirshëm. Në momentin që në Tiranë është krijuar ky ekosistem, ku vijnë edhe artistë të mëdhenj, si Enrique Iglesias apo Ricky Martin, e personalitete të mëdha botërore, siç kryeministri ka punuar edhe për procesin e Berlinit, edhe për Samitin e Ballkanit, ku erdhi i gjithë lidershipi i Evropës, atëherë bëhet më kollaj për të fituar të drejtën edhe të një kampionati botëror,” deklaroi më tej Veliaj.
Kreu i Bashkisë tha se deri më tani në Tiranë janë organizuar 600 aktivitete sportive, ndërsa synimi është që ashtu si në vitin e Rinisë, të arrihet në mbi 1000 aktivitete deri në fund të vitit.