Elisa Spiropali, Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, i është përgjigjur deklaratave të kryetarit të Rithemelimit, Sali Berisha.
Ish Kryeministri Berisha, pas përfundimit të seancës së sotme në Kuvend, aludoi se ekziston një video, që ndikoi në mos zgjedhjen e Spiropalit si Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, në vend të Olta Xhaçkës.
“O Sali, sa herë që ti leh më kujtohet ajo shprehje e Popullit për ata që kur janë me një këmbë në varr, ndotin në derën e xhamisë. Të kuptoj o Sali.
Ta kuptoj mirë hallin që ke. S’është kollaj me të dalë e liga me Shkodrën që në 33 vite e ke bërë të vuajë një mijë të zeza”, u shpreh Spiropali.
“Shkodra është kocka që të ka mbetur në fyt, dhe nuk e kalon dot poshtë as me kockat që të hedhin si shpërblim.
Prandaj bërtet e çirresh si lugat. Të largosh frikën tënde. Por e ke kot. I je futur detit më këmbë. S’ke tjetër fat veçse të zhytesh e të mbytesh si e meriton në detin e dreqnive që i kurdise vet”, tha ajo.
“O Sali, shih gjej ndonjë kurë për ankthet e tua, se për mua edhe 100 vjet të rrëmosh nëpër skuta e nëpër zgëqe, noc rrokun do gjesh. Se çfarë ministre do jem unë, atë nuk e ke në dorë ti o Sali. Unë, o Sali, do vazhdoj të jem ajo që jam. Ajo që të vjen hakut ty. Ka ikur koha jote.”, nënvizoi Spiropali.
“Ti o Sali, s’bën dot më Gërdec tjetër, të tjera vrasje në bulevard, a të tjera të zeza që mund të dalin vetëm nga mendja jote e çkurdisur pa kthim, nga truri yt i sëmurë pa shërim. Dëgjo o Sali, më zuri ky taksirat mua.
Nuk do të të ndahem asnjë çast derisa të t’i nxjerr sheshit të gjitha të palarat dhe djallëzitë”, u shpreh ministrja Spiropali.
“Selam o Sali! Në seancën e radhës. Jo të Foltores tënde.
Të Foltores time. Ku nuk do të lë kusur pa të marrë, huq pa ta goditur, gënjeshtër pa ta nxjerrë në shesh”, përfundoi Spiropali.
Berisha më herët deklaroi se Elisa Spiropali ishte e përzgjedhura e Kryeministrit Rama për Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, por për shkak të ekzistencës të një video, Rama zgjodhi diplomatin Igli Hasani në atë pozicion.
“Largohet Olta Xhaçka, e cila e pasi bëri burrin investitor strategjik në shkelmim të Kushtetutës, u vërsul e papërmbajtur drejt pronave të ushtrisë dhe nuk ka lënë pronë pa vjedhur dhe përvetësuar me klanin e saj.
Por zëvendësohet Olta Xhaçka në qeveri me një diplomat, i cili bën një gabim fatal të jetës së tij, mbasi ishte zgjidhja e minutës së fundit. Të gjitha përgatitjet dhe ceremonitë për të zënë vendin e ministrit të jashtëm i kishte bërë Spiropali.
Por një video thuhet se doli në rastet e fundit në të cilën Spiropali bënte mbledhje me Bajrët dhe Pëllumb Gjokën dhe bandat e tjera të Shkodrës afër qendrës detyroi, thonë Ramën ta anulojë emërimin e saj, ju garantoj se sapo të më bjerë në dorë ajo video do ta bëj publike pa asnjë diskutim”, u shpreh Berisha.
“Por që u pa se si nxinte Elisa në asanmble, ajo ra në sy nga të gjithë, sikur t’i kishte rënë një mortje e madhe, në një kohë kur në fakt iu bënë pluhur ëndrrat për t’u bërë ministre e jashtme, vetëm në minutën e fundit nga një video që thuhet se qarkullon”, tha Berisha./ S.M