Muaji gusht ka shënuar ecurinë më të mirë historike të turizmit deri tani. Të dhënat e fundit të INSTAT flasin për një rritje të ndjeshme si të vizitorëve në strukturat turisike ashtu dhe të netëqëndrimeve në strukturat turistike.
Zonat e Durrësit, Lezhës e Shkodrës rezultojnë që kanë mbajtur peshën më të lartë të vizitorëve të huaj dhe rritjen më të lartë gjithashtu.
Ato kanë pritur gati 41% të netëqëndrimeve të turistëve, përkundrejt 31% në qendrës (Tiranë e Elbasan) dhe 29% në jug (Berat; Fier; Gjirokastër; Korçë; Vlorë). Edhe netëqëndrimet e të huajve në Durrës Lezhë e Shkodër, pothuajse janë dyfishuar, ndërsa në jug e qendër rritja ishte rreth 40%.
Sipas INSTAT, numri i vizitorëve gjithsej është rritur me 64,4 %, në krahasim me Gusht 2022, ku ai i rezidentëve u rrit me 65.6% dhe i jo-rezidentëve me 63.7%.
Në të njëjtën linjë kanë ecur dhe netë-qëndrimet në strukturat akomoduese. Numri i netë qëndrimeve gjithsej është rritur me 58,5 %, në krahasim me Gusht 2022. Të njëjtën ecuri ndjekin edhe dy treguesit e mëposhtëm:
– numri i netë qëndrimeve nga rezident është rritur me 64,5 %;
– numri i netë qëndrimeve nga jo-rezident është rritur me 55,7 %.
Rritje e vizitorëve dhe netëqëndrimeve
Gjatë muajit Gusht 2023, është shënuar rritje e numrit të vizitorëve gjithsej me 64,4 %, krahasuar me Gusht 2022.
Numri i vizitorëve jo-rezident të cilët janë akomoduar në Rajonin e Veriut ka shënuar rritjen më të lartë me 2 herë. Sipas INSTAT, në rajonin e veriut përfshihen Dibër; Durrës; Kukës; Lezhë; Shkodër, ku efektin kryesor duket se e kanë dhënë zonat e Durrësit Shëngjinit e Velipojës.
Në Zonat Bregdetare ky tregues është rritur me 77,1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Numri i vizitorëve jo-rezident të cilët janë akomoduar në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritje me 58,2 %.
Edhe për netë qëndrimet kryesor rajoni i veriut. Sipas INSTAT, Gjatë muajit Gusht 2023, numri i netë qëndrimeve gjithsej është rritur me 58,5 % në krahasim me muajin Gusht 2022. Numri i netë qëndrimeve të vizitorëve jo-rezident të cilët janë akomoduar në Rajonin e Veriut ka shënuar rritjen më të lartë me 91,2 %.
Në Zonat Bregdetare ky tregues është rritur me 52,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.
Numri i netë qëndrimeve të vizitorëve jo-rezident të cilët janë akomoduar në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritje me 54,7 %.
1 milionë netëqëndrime të të huajve në gusht, kryesojnë Durrësi, Shëngjini e Velipoja, më dobët jugu
Numri i netëqëndrimeve të të huajve ishte pak mbi 1 milionë në gusht, pjesa më e madhe e të cilëve (40%) ishin në rajonin e veriut, që shënoi dhe rritjen më të madhe me 92%, në 410 mijë netëqëndrime.
I dyti ishte rajoni i qendrës (Elbasan;Tiranë), me 30% të totalit, ose 308 mijë netëqëndrime.
Në krahasim me gushtin e një viti më parë, rritja është 37%.
I treti ishte Jugu (Berat; Fier; Gjirokastër; Korçë; Vlorë), me 29% të totalit. Gjithsej u shënuan 295 netëqëndrime me një rritje prej gati 40%.
Rritet norma neto e shfrytëzimit të dhomave
Normat neto të shfrytëzimit, të dhomave dhe të shtretërve, janë dy tregues të cilët masin përqindjen e shfrytëzimit të kapaciteteve akomoduese, dhoma e shtretër të disponueshëm për vizitorë. Gjatë këtij muaji, norma e shfrytëzimit të dhomave të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 55,3 %, kundrejt 44,3 % që ishte në muajin Gusht 2022.
Norma e shfrytëzimit të shtretërve të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 64,9 %, kundrejt 45,8 % që ishte në muajin Gusht 2022./ Marrë nga Monitor/ S.M