Nga Skënder Minxhozi
Prej tre dekadash politika shqiptare ka krijuar tempujt e saj të paprekshëm. Parti politike, politikanë e të afërm të tyre, që të gjithë me imunitet të pakufizuar në kohë dhe në hapësirë.
Kanë ndodhur drama ekonomike si në rastin e fajdeve, tragjedi kombëtare si viti ’97, vrasje politike në sytë e njëzet kamerave siç ndodhi në 21 janar apo skandale të panumërta korrupsioni ku janë akuzuar praktikisht të gjithë ata që kanë pasur në dorë një zyrë të lartë publike. Burgjet sërish mbetën bosh dhe faji mbeti rregullisht jetim.
Në krye të kësaj piramide zyrtarësh të paprekshëm ka qëndruar prej 30 vjetësh i patrazuar dhe kërcënues, hijerëndë dhe shpërfillës, ish-kryeministri Sali Berisha.
Ai kishte krijuar stereotipin e politikanit që nuk përgjigjet për asnjë gërmadhë që le pas shpine, për asnjë gjynah që shkakton rrugës, për asnjë dramë apo skandal sado të madh që krijonte me qeverisjen e tij.
Ja që edhe ky totem politik e kishte pasur një datë skandence: 6 dhjetorin e vitit 2022. Ishte dita kur një i çekuilibruar e goditi me grusht në fytyrë, teksa dilte për të mbajtur një miting në sytë e krerëve të Evropës të mbledhur atë ditë në Tiranë.
Gjesti ekstrem dhe tërësisht i dënueshëm i Gerti Shehut e futi në ankth për një moment të gjithë ambjentin shqiptar. Sepse “totemi” Berisha kujtohej gjerësisht si i paprekshëm nga shtetasit e këtij vendi. Ai grusht nxiu jo vetëm syrin e Doktorit, por rrëzoi edhe paprekshmërinë e tij publike.
Në një tjetër kohë ai djalë i çartur do të kishte pësuar një fund tragjik brenda disa sekondave. Për Berishën ka pasur njerëz në këtë vend që ishin gati të bënin gjithçka, edhe t’i merrnin shpirtin atij që do të guxonte të prekte me dorë liderin e tyre shpirtëror.
Ajo që ndodhi në 6 dhjetor shënoi fundin e imunitetit fizik të Berishës. Një pjesë e mitit u shkërmoq në momentin që Shehu “doli i gjallë” nga duart e turmës, pasi goditi ish-kryeministrin.
Pak më shumë se dhjetë muaj më pas, grushti i dytë erdhi nga SPAK, pas goditjes penale që i bëri të gjithë familjes Berisha.
Arrestimi i dhëndrrit të tij Jamarbër Malltezi dhe akuza ndaj vetë Doktorit në lidhje me procedurat e kthimit të ish-klubit sportiv Partizani në bllok pallatesh, shënon rënien e imunitetit politik e juridik të Sali Berishës. Sërish asgjë nga ato që kanë qenë frika kolektive e shqiptarëve për tridhjetë vite, nuk ndodhi.
Jeta rrodhi e qetë si më parë, fundjava ndoqi monotoninë e vet, madje edhe maratona e Tiranës me rrugët e bllokuara na kujtuan se në këtë botë tashmë ka gjëra më të rëndësishme sesa fati politik e penal i Sali Berishës.
Demistifikimi i Berishës përballë drejtësisë është lajmi më i mirë i mundshëm që mund të marrin shqiptarët e thjeshtë të mësuar me politikanë që bëjnë zullume e nuk dënohen.
Ky akt shënon, nga lartësia e emrit të goditur, fundin de facto të imunitetit politik, si pjesë e ushtrimit të pushtetit.
Duhet të ishte kështu edhe për opozitën shqiptare, një pjesë e të cilës dështoi hapur në leximin e drejtë të kësaj që po ndodh.
Pasi e ndoqën Berishën nga pas në luftën imagjinare me Amerikën, pasi sulmuan selinë e partisë me hunj e lopata në emër të statusit non grata të ish-kryeministrit, një sektor militant i PD vijon edhe sot të futet me zell e verbëri njëherësh, në pyllin prej dyqind faqesh të dosjes së klubit Partizani.
Dalin e sulmojnë SPAK në vend që të sillen politikisht korrekt duke i hapur rrugë hetimeve e duke pritur shtjellimin e të vërtetës në të veetmin vend të mundshëm ku ajo certifikohet: në gjykatë!
Në të parin rast ku opozita u përball me një hetim të hapur nga SPAK, një pjesë e saj reagoi me reflekset e vjetra të politikë që duron ta prekin as me pupël. Dritëshkurtësi dhe frikë bashkë!
Pasi shkaktoi çarjen e parë për arsye personale, Berisha po i bën PD dëmin e dytë të madh: kësaj radhe në emër të një akuze korrupsioni. Hajde e mos beso pastaj se po e përdor partinë si ta kishte një copë apartamenti tek blloku i Partizanit./ S.M