Sindroma e “qumështit me rubinet” – vështrim 33 vjeçar me 33 fjali

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Eduard Zaloshnja

Një ish-partizan me origjinë nga familje bejlerësh më ka treguar dikur një histori të tij personale, që e kujtoj sa herë dëgjoj premtime politikanësh shqiptarë.

Në dimrin e egër të vitit 1943, pasi i shpëtoi një operacioni të rreptë të forcave naziste, partizani i sipërpërmendur (ende adoleshent atëherë) shkoi në shtëpi i drobitur e i mbërdhihur.

E ëma e pyeti se pse i ishte futur asaj rruge plot rreziqe e vuajtje, ndërkohë që familja e tij i kishte të gjitha të mirat. Ai iu përgjigj: “Kur të fitojmë ne, do të jenë të gjithë mirë – madje edhe qumështi do t’u vijë me rubinet në shtëpi atëherë”

Dy dekada më vonë, pasi ish-shokët e luftës e kishin degdisur ish-partizanin në Burgun e Burrelit dhe ai mezi ia dilte të ushqente familjen pas daljes nga burgu, e ëma i tha një ditë: “Jo vetëm që ai qumështi yt nuk na erdhi në shtëpi me rubinet, por duke ndejtur sot në rradhë për qumësht, një mistrec më rrëmbeu edhe njëqind-lekëshin që po mbaja në dorë…”

Vetëm dy dekada e gjysmë pas atij episodi, në treg nuk kishte më as rubineta e as qumësht…

Episodi i mësipërm më është kujtuar në mars 1991, kur Gramoz Pashko nxori nga xhepi një copë letër në një meting në Berat, dhe tha se ajo copë letër ishte çeku i bardhë që ia kishte dhënë Amerika, për të sjellë mirëqenie pas ardhjes së PD-së në pushtet. Thjesht fjalët “qumësht me rubinet” u zëvendësuan me fjalët “çek i bardhë”…

Pas episodit të “çekut të bardhë”, pothuaj të gjitha ndërmarrjet industriale e bujqësore u mbylllën, kooperativat u shpërbënë, e për rrjedhojë, papunësia dhe emigracioni u rritën në mënyrë të tejskajshme. Ata që mbetën në Shqipëri mbijetuan falë ndihmave humanitare të operacionit italian “Pelikan” dhe falë valutës e pakove që filluan të dërgonin emigrantët e rinj.

Pasi Berisha mori frenat e pushtetit, “qumështi me rubinet” mori formën e “modelit tajvanez”, që sipas Berishës do të sillte prosperitet, nëse të gjithë do të merrnin inisiativën për të hapur biznese të vogla. Në praktikë ky model përkthehej në zaptimin e çfardolloj trualli nga më të fortët, për ndërtimin pa leje të kioskave, kafeneve, restoranteve etj. etj. Simboli më domethënës i “modelit tajvanez” ishte në atë kohë grumbulli i rrëmujshëm i lokaleve pa leje përrreth atij që njihej gjerësisht si “Tajvani” (në Parkun Rinia të Tiranës).

Më pas, “qumështi me rubinet” mori formën e garancisë publike se firmat e fuqishme private të asaj kohe qarkullonin vetëm “para të pastra” (eventualisht, ato firma rezultuan të ishin thjesht skema piramidale).

Teksa Berisha përbetohej publikisht për pastërtinë e parave të atyre firmave, shqiptarët e thjeshtë shisnin shtëpi e katandi për të investuar në to, ndërkohë që kafenetë e restorantet ishin të mbushura plot me njerëz që rronin e gëzonin me interesat e larta të firmave piramidale.

Lexo edhe :  Kërkojnë qeveri teknike apo bashki teknike?

Dhe kur “qumështi” i firmave piramidale shteroi, shqiptarët e zhgënjyer iu turrën institucioneve shtetërore dhe depove ushtarake, duke shkaktuar një katrahurë me rreth 3 mijë viktima. Pas katrahurës, Berisha u detyrua ta dorzojë pushtetin, dhe në krye të tij erdhi Fatos Nano.

Ky i fundit pati një tjetër version të “qumështit me rubinet” – do t’u kthejmë shqiptarëve 100% të parave që investuan në firmat piramidale, premtoi Nano. Në fakt, me kalimin e viteve, edhe ato pak prona që iu konfiskuan firmave piramidale u shitën andej-këndej, ndërsa shqiptarët e thjeshtë morën pothuaj 0% të parave që investuan në firmat piramidale…

Kur Berisha u rikthye në pushtet, u tregua më i matur me premtimet e tij. Po sidoqoftë, nja dy “qumështa me rubinet” i premtoi – autostradën moderne Durrës-Morinë dhe portin gjigand të Vlorës, që sipas tij, do të ishte më i madhi në Ballkan dhe në gjithë Europën Lindore…

Nga autostrada moderne e premtuar atëherë, edhe sot pas 15 vjetësh, vetëm dy segmente mund të quhen segmente moderne: Thumanë-Milot dhe Rrëshen-Kalimash. Nga Durrësi në Vorë, kemi edhe sot një autostradë të të rënduar të standardeve ulta.

Nga Vora në Thumanë, kemi edhe sot një superstradë të keqe, që gjithmonë bllokohet nga trafiku i dendur. Nga Miloti në Rrëshen kemi edhe sot vetëm një superstradë (pra, jo autostradë). Nga Kalimashi në Morinë kemi një autostradë, ku edhe sot punohet për ndërtimin e urës së madhe të Kukësist dhe të baypass-it të tij.

Ndërsa premtimi i Berishës për portin gjigand të Vlorës thjesht u harrua. (Sa për moton e tij të qeverisjes me duar të pastra, krismën ia kemi dëgjuar dikur në Gërdec dhe tymin po ia shohim tani nëpër letrat e privatizimit të Klubit Partizani.)

Ndryshe nga paraardhësit, Edi Rama nuk ka përdorur versionin e rubinetit në premtimet e tij – ai përdor musllukun digjital. Nga ky muslluk lëshon çdo ditë pika “qumështi”, që marrin formën e videove 2D apo 3D – për rrugë që po ndërtohen, por që mezi po mbarohen; për aeroporte që ndërtohen, por që nuk frekuentohen (Kukësi); për inceneratorë që ndërtohen, por që me to vartësit i korruptohen; etj., etj…

Pas 33 vite premtimesh të politikanëve tanë, ja cilat janë disa nga rezultatet kryesore:

·         2 milionë shtetas shqiptarë jane aktualisht në emigracion (1.5 milion ishin qysh më 2011).

·         60% e familjeve në Shqipëri nuk kanë mundësi financiare që të shkojnë me pushime të paktën 1 javë në vit.

·         40% e popullsisë së Shqipërisë jeton me më pak se 5 dollarë të ardhura për frymë në ditë.

·         23% e popullsisë së Shqipërisë jeton me më pak se 2 dollarë të ardhura për frymë në ditë.

·         70% e të rinjve shqiptarë duan të emigrojnë.  /    S.M

Të fundit

Dalin analizat për mandarinat e importuara nga Shqipëria, ja rezultatet

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka pranuar sot rezultatet e analizave laboratorike për mostrat e dyshuara për mbetje...

Moti i keq në vend/ Mbeten pa energji elektrike Kukësi dhe Gramshi

Moti i keq në vend ka shkaktuar probleme me energjinë elektrike. Sipas informacioneve bashkia Kukës ka mbetur pa energji elektrike. Mendohet që të jenë stakuar...

Presidenti i zgjedhur Trump përsërit thirrjen për të blerë Groenlandën

Presidenti i zgjedhur ka përsëritur kërkesën që bëri gjatë mandatit të parë që Shtetet e Bashkuara të blejnë Groenlandën nga Danimarka. Kërkesa zgjeron listën...

Do përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2025! Kush është ‘Shkodra Elektronike’?

Kënga ‘Zjerm’ e kënduar nga ‘Shkodra Elektronike’ është shpallur fituese e edicionit të 63-të të Festivalit të Këngës dhe do të përfaqësojë Shqipërinë në...

Kategoritë dhe shuma / Zbardhet akti normativ, shpërblime edhe për administratën

Nuk do të jenë vetëm pensionistët, ata që përfitojnë shpërblim në fundvit, por edhe disa kategori punonjësish që janë pjesë e administratës publike. Qeveria ka...

Lajme të tjera

Web TV