Pas Halloween-it, emocionet e festave të fund vitit po bëhen gjithnjë e më të dukshme. Por, a është nëntori koha kur ju duhet të vendosni pemën e Krishtlindjes dhe t’i jepni një atmosferë festive shtëpisë?
Disa thonë se duhet të prisni deri më 24 dhjetor, ose në prag të Krishtlindjes, për të vendosur pemën tuaj. Të tjerë thonë se duhet të prisni deri pas datës 6 nëntor.
Por, ekspertët pajtohen në idenë se vendosja e pemës së Krishtlindjes në nëntor është gjë e mirë dhe një studim thotë se vendosja e hershme e dekorit festiv rrit menjëherë lumturinë.
Sidomos këtë vit, kur kaosi po mbizotëron në gjithë botën, me luftëra e viktima, e gjithë situata rrotull na fton që të “strehohemi” me nxitim në frymën e festave.
“Në një botë të mbushur me stres dhe ankth, njerëzve u pëlqen të afrohen më shumë me gjërat që i bëjnë të lumtur dhe dekorimet e Krishtlindjeve i lidhin njerëzit me kujtimet e fëmijërisë,” thotë psikanalisti Steve McKeown.
Ideja e nostalgjisë që çon drejt lumturisë konfirmohet nga Amy Morin, psikoterapiste dhe autore e një prej librave më të shitur në botë: “13 gjërat që njerëzit e fortë mendërisht nuk i bëjnë”.
“Nostalgjia i lidh njerëzit me të kaluarën e tyre dhe i ndihmon ata të kuptojnë se kush janë. Për shumë njerëz, vendosja e hershme e dekorit të Krishtlindjeve është një mënyrë për t’u rilidhur me fëmijërinë dhe shikimi i pemës së Krishtlindjes mund të sjellë kujtime të kohës kur ne ende besonim te Babagjyshi“- thotë ajo.
Akti i vendosjes së pemës dhe dekorit të Krishtlindjeve, si dhe admirimi i tyre nxit menjëherë hormonin e lumturisë, dopaminë. / S.M