Partia Demokratike zyrtare ka deklaruar se marrëveshjen mes kryeministrit Edi Rama dhe homologes italiane Georgia Meleni, “për ngritjen e kampit të emigrantëve në Lezhë”, do e dërgojë në Gjykatën Kushtetuese. Trajtimi në Shqipëri i emigrantëve që mbërrijnë kryesisht nga Afrika kundërshtohet edhe nga opozita italiane.
Marrëveshja mes kryeministrit Edi Rama dhe homologes italiane Georgia Meloni për ngritjen e një kampi refugjatësh në Gjadër të Lezhës është pritur me kritika nga opozita në vend. Partia Demokratike zyrtare e përfaqësuar nga Basha ka kërkuar interpelancë me kryeministrin Rama në Parlament, por njëkohësisht ka lënë të hapur mundësinë që këtë marrëveshje ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese me pretendimin se është shkelur ligji themeltar i vendit. Nënkryetari i Partisë Demokratike Kreshnik Çollaku përmes një reagimi është shprehur se në emër të PD-së ka depozituar kërkesën për interpelancë urgjente me kryeministrin Rama për marrëveshjen e tij me kryeministren e Italisë, për vendosjen në Shqipëri të mbi 36 mijë emigrantëve nga Afrika e Veriut për çdo vit. Ai u shpreh se për këtë çështje PD do t’i drejtohet edhe Gjykatës Kushtetuese për të vlerësuar përputhshmërinë me ligjet e Kushtetutën e vendit, të marrëveshjeve të tilla me një impakt kaq të gjerë social. Ai tha se ka depozituar në mënyrë urgjente interpelancën me kryeministrin Edi Rama. “Në emër të Partisë Demokratike, depozitova kërkesën për interpelancë urgjente me kryeministrin Rama për marrëveshjen e tij me kryeministren e Italisë, për vendosjen në Shqipëri të mbi 36 mijë emigrantëve nga Afrika e Veriut për çdo vit. Bëjmë me dije se për të njëjtën çështje dhe objekt do t’i drejtohemi dhe Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë për të vlerësuar përputhshmërinë me ligjet e Kushtetutën e vendit, të marrëveshjeve të tilla me një impakt kaq të gjerë social”, është shprehur Çollaku. Marrëveshja ishte befasi pasi u mësua vetëm në momentin e nënshkrimit dhe kryeministri Rama nuk është konsultuar as me anëtarët e kabinetit qeveritar dhe as me deputetët e tij. Gjithsesi mënyra si është parashikuar të funksionojë ky kamp ka disa paqartësi dhe rreziqe të mundëshme. Personat që do të akomodohen në këtë kamp do të jenë emigrantë që kapen në det në brigjet italiane ku pasi të mbahen në Itali gratë, të miturit dhe moshuarit, pjesa tjetër do të dërgohet në kampin që do ngrihet në vendin tonë. Edhe pse menaxhimi brenda kampit do të bëhet nga pala italiane rreziku është se mes emigrantëve të paligjshëm nuk përjashtohet mundësia që të jenë edhe persona me rrezikshmëri të lartë, ose të lidhur me terrorizmin. Edhe në Itali ka pasur qëndrime të shpra sidomos nga opozita dhe e lidhin kryesisht me mënyrën si do funksionojë kampi, duke e quajtur një “Guantenamo të ri”.
Reagimi i Bashës
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar për marrëveshjen e firmosur mes Italisë dhe Shqipërisë për ndërtimin e 2 qendrave ku do të strehohen emigrantë të paligjshëm të ardhur nga Afrika. Basha e cilësoi si një marrëveshje të papranueshme, duke u shprehur se Rama do të përballet me interpelancë në Kuvend sapo të kthehet nga Italia. Ai tha se nuk mundet që një vend të cilit po i largohen të rinjtë dhe profesionistët të hapë dyert për emigrantë të paligjshëm. “Detyra e parë është të vijë të bëjë transparencën kush i ka dhënë mandat të negociojë? Nuk mundesh nga njëra anë të përzësh shqiptarët nga ana tjetër të hapësh kufijtë për emigrantë të paligjshëm. Mbi çfarë baze? Parimi i parë i qeverisjes është transparenca, sepse kështu garantohet që marrëveshje të tij mos të shkelin interesat kombëtare për interesat personale të një politikani në hall kushdoqoftë ky edhe kryeministri. Sapo të kthehet do të përballet me interpelancë në Kuvend, të japë llogari çfarë është kjo marrëveshje që as nuk u debatua. Si mundet që një vendi që po i largohen qytetarët për shkak të keqqeverisjes dhe të hapësh kufijtë për emigrantë të paligjshëm? Kjo është e papranueshme”- shprehet Basha. Këto struktura fillimisht do të presin jo më shumë se 3 mijë persona që do të qëndrojnë aty kohën e nevojshme për të shqyrtuar kërkesat për azil. Do të qarkullojnë në vit deri në 36 mijë persona, natyrisht jo njëkohësisht, pasi kapaciteti maksimal i dy qendrave do të mbetet deri në 3000 persona.
Pikat e marrëveshjes
Agjencia për Media dhe Informim publikoi këtë të martë disa fakte mbi protokollin mes Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për fuqizimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit, nënshkruar dje nga Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni në Romë. Konkretisht neni 3 i kësaj marrëveshje përcakton se Italia merr në përdorim sipërfaqe të territorit shqiptar për ngritjen e strukturave pritëse. Marrëveshja parashikon se Italia ngre tërësisht me shpenzimet e saj, strukturat për qëndrimin e migrantëve (neni 4). Po ashtu, kufiri maksimal do të jetë jo më shumë se 3 mijë persona të strehuar në të njëjtën kohë (neni 4). Italia përballon çdo shpenzim për migrantët e strehuar përfshirë çdo kosto të kujdesit shëndetësor dhe çdo kosto tjetër të parashikuar që mund t’i vijë palës shqiptare (neni 6). Po ashtu, në marrëveshje përcaktohet se afati maksimal i qëndrimit të një emigranti nuk mund të jetë më i madh se koha e nevojshme për procedurat e azilit/mbrojtjes. Në përfundim të procedurave, pala italiane kryen me shpenzimet e saj largimin e migrantëve nga Shqipëria (neni 9). Në daljen e përbashkët për shtypin në Romë me Kryeministren Meloni, Rama u ndal tek borxhi që Shqipëria i ka Italisë, popullit dhe institucioneve italiane për atë që kanë bërë për shqiptarët që nga dita e parë që refugjatët e viteve ’90 arritën në Itali. “Nëse Italia thërret, Shqipëria përgjigjet”, u shpreh ai. Ndërsa Kryeministrja Meloni vlerësoi marrëveshjen se pasuron miqësinë midis dy kombeve në partneritet strategjik me njëri-tjetrin. Meloni shtoi se Shqipëria, jo vetëm që konfirmohet një mike e Italisë, por edhe e BE. “Edhe pse nuk është formalisht pjesë e BE, por është kandidate për hyrjen në BE, sillet, ka një qasje sikur të jetë tashmë një vend i BE”, tha Meloni.