Shqipëria festoi 111 vitet e shpalljes së Pavarësisë. Në qytetet më kryesore të vendit janë organizuar aktivitete në nder të ditës së flamurit. Ndryshe nga vitet e tjera, Rama dhe Berisha ishin në Vlorë, por larg njëri-tjetrit, mungonte Meta dhe u duk për pak Basha. Kurti “paqtohet përkohësisht” me Ramën.
Shqipëria ka festuar dje 111-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Pavarësisht se kryeqendra e aktiviteteve duhet të ishte Vlora, festimet më shumë janë përqëndruar në Tiranë. Politika shqipatre dhe ajo kosovare kanë zhvilluar ceremonitë në qytetin e Flamurit ku nuk kanë dashur të japin prononcime për publikun e gjerë. Presidenti i Republikës Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolli si dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti kanë qenë bashkë në aktivitetet e organizuara nga bashkia e Vlorës ku në fund vendosën edhe lule pranë monumentit të Ismail Qemalit. Në qytetin e Vlorës për të bërë homazhe ishte edhe Sali Berisha, ku ndryshe nga ata dha edhe një prononcim për median, duke bërë “deklarata lufte politike”, teksa gati u betua se ky do ishte viti i fundit që Rama shfaqet si kryeministër në Vlorë. Kreu i Partisë Demokratike me vulë e logo ishte i pranishëm kalimthi në një paradë të shkurtër i shoqruar nga pak njerëz. Ai shkoi tek kulla e Isa Boletinit. Ndërsa ka munguar Ilir Meta i cili nuk është parë në asnjë ceremoni të organizuar për 111-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë. Pas përfundimit të ceremonisë zyrtare të zhvilluar nga krerët e shtetit shqiptar, në Vlorë ka shkuar edhe Sali Berisha. I pashoqëruar nga deputetë të tij, Berisha ka vendosur kurorë në monumentin e Ismail Qemalit. As në këtë ditë, Berisha nuk i ka kursyer akuzat për kryeministrin Edi Rama. “Unë erdha këtu për t’u betuar para varrit të Ismail bej Vlorës, se Pashiqi shqiptar, që sapo ka vendosur kurorën aty, e ka të fundit, sepse shqiptarët, në Shqipëri, Kosovë dhe kudo që ndodhen, do e paketojnë atë në Beograd, aty ku e ka vendin. Tradhtar si ky, kombi nuk ka pasur ndonjëherë në histori. Dhe ky është një zotim solemn përpara Babait të Pavarësisë se edhe njëherë, Pashiqi nuk do ketë vend në Tiranë, por të shkojë në Beograd te padroni i tij Vuçiç”, tha Berisha. Nga ana tjetër, ai pohoi se nuk pati asnjë ftesë nga qeveria shqiptare për të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare, por shtoi se edhe nëse do e kishte, nuk do të kishte pranuar. “Nuk kisha ftesë, por me Pashiqin te varri i Ismail Qemalit nuk mund të vija kurrë”, shtoi Berisha. Berisha komentoi edhe prezencën e Albin Kurtit krah Edi Ramës, ku deklaroi se “ndonjëherë duhet t’i thuash derrit dajë”.
Reagimi i Kurtit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, teksa ishte i pranishëm dje në qytetin e Vlorës në kuadër të 111-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, mbajti një deklaratë për mediat. Ai u pyet nga gazetarët në lidhje me deklaratat e ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili përdori një shprehje për të përshkruar takimin e Kurtit me Ramën, duke i thënë “I themi derrit, dajë”. Kësaj pyetjeje Kurti u përgjigj duke thënë se nuk është dita për të tilla dallime politike, apo polemika aktuale, ndërsa shtoi se sot duhet të jemi të gjithë bashkë, pasi shqiptarët sipas tij, e kanë të përbashkët gjuhën dhe kulturën, historinë dhe ardhmërinë dhe e tashmja mbushet me kuptim pikërisht në këtë mënyrë. “Nuk është kjo ditë që të flasim për dallimet politike, polemikat aktuale. Sot jemi bashkë. Shqiptarët e kanë të përbashkët, gjuhën dhe kulturën”, u shpreh Albin Kurti.