Nga Leonard Veizi
Ai iku nga kjo botë me një trishtim të madh. Tetë vjet para largimit të tij një tjetër jetë ishte ndërprerë në mes. Vdekja e djalit i kishte bërë shumë dëshpëruese ditët e tij. Ai u mbyll në vetvete dhe nuk doli më në publik…
…Shumëkush e ka parë videon e këngës “Sway” një performancë në Teatrin Entropolos, që interpretohet nga Din Martin. Ylli i muzikës amerikane, këngëtar e aktor, shfaqet në videon e regjistruar me një gotë uiski në dorë e majtë dhe një cigare të ndezur në dorën tjetër. Dhe kjo ishte një nga risitë e tij në skenë. Ai kështu do të mbahet mend madje.
Për shumëkënd Din Martin ishte “mbreti i skenës!” Për të tjetër “i paimitueshëm”. Ai paraqiste sharm, sensualitet, talent me mënyrën e performancës e cila përgjithësisht u etiketua si diçka e papërshkrueshme. Zëri i tij ishte në një regjistër unik e magjepsës po aq. Dhe këngën me titull “Sëay” nuk mund ta këndonte kush më bukur se ai, me një “teknikë magjike”:
Të tjerë valltarë mund kërcejnë në dysheme
E dashur, por sytë e mi do të shohin vetëm ty
Se vetëm ju keni teknikën magjike…
Në të vërtetë kënga ishte kompozuar nga meksikani Pablo Beltran Ruiz me titullin orgjinal në versionin spanjisht “Quién será?” por që në anglisht u njoh si “Sway” sepse teksti u rishkrua nga Norman Gimbel. Por ai që në vitin 1954 e bëri këtë këngë një hit ndërkombëtar ishte një tenor i jashtëzakonshëm siç ishte Din Martin.
Fillimi
Din Martin u lind më 7 qershor 1917 në Steubenville, Ohio, të Shteteve të Bashkuara. Babai i tij ishte Gaetano Alfonso Kroçeti, një berber italian që kishte emigruar në Amerikë dhe që ishte martuar me Anxhela (Barra) Kroçeti e lindur në Ohajo. Deri në moshën pesë vjeçare Martin fliste vetëm italisht.
Gjatë rinisë së tij, Martini provoi të punonte në disa profile: në fabrikat e çelikut, shpërndante pije alkoolike, kishte punë në një kazino. Më pas Din Martin hyri në qarkun e klubeve të natës. Martin filloi karrierën e tij në biznesin e shfaqjes në moshën 17-vjeçare. Pasi u shfaq si një këngëtar pop, ai u punësua nga drejtuesi i grupit Semi Uatkins dhe nisi turneun.
Në vitin 1946, ai u lidh me komedianin Xherri Luis. Kjo çoi në një partneritet jashtëzakonisht të suksesshëm. Shumë shpejt të dy u larguan nga Nju Jorku për në Hollivud. Dyshja do të bëhej një nga ekipet vërtet të shkëlqyera të Hollivudit. Ata ishin të pandalshëm. Bashkëpunimi zgjati 11 vjet së bashku, dhe luajtën në 16 filma. Por konfliktet e personalitetit e thyen ekipin.
Vazhdimi
Edhe pa Luis, Din Martin ishte një superstar i vërtetë.
Pas ndarjes së ekipit në vitin 1956, karriera e Din Martin pësoi rënie për një farë kohe, por shumë shpejt ai u bë përsëri yll i skenës. Më pas, ai u bashkua me Frenk Sinatrën dhe Semi Davis Xhunior si dhe me aktorin Piter Lauford dhe komedianin Xho Bishop për të formuar një grup humoristik të quajtur “The rat pack”.
Në vitin 1965, ai fitoi një çmim “Golden Globe”.
Martin ishte një element kryesor në televizion për shumë vite. Shfaqja e tij e ndryshme televizive, “The Dean Martin Show”, filloi një shfaqje tetëvjeçare në 1965 dhe u pasua nga “The Dean Martin Comedy Hour” në vitet 1973–‘74
Edhe pse Martin shpesh dukej se ishte i dehur gjatë shfaqjeve të tij televizive dhe klubeve të natës – një përshtypje e ndihmuar nga mënyra e tij e qetë, gota gjithnjë e pranishme dhe stili i paqartë i të kënduarit – ai dhe miqtë e tij këmbëngulën se ishte pjesë të aktrimit të tij.
Fundi
Në jetën personale Din Martin pati tre martesa nga të cilat kishte tetë fëmijë një prej tyre të adoptuar. Gjatë karrierës artistike ai interpretoi gjithsej në 51 filma. Roli i tij i fundit publik ishte një rikthim në skenë, për një turne koncertesh me Devis dhe Sinatra. Ai foli me dashuri për shokët e tij të “Rat Packers”.
Por në vitet e fundit të jetës ai ra shumë shpirtërisht pasi djali i tij Paul Martin, vdiq në një aksident ajror në marsin e vitit 1987. I shkatërruar nga humbja, Martini i kaloi vitet e fundit në vetmi, jashtë dritës së publikut. Një duhanpirës i rëndë për pjesën më të madhe të jetës së tij.
Martin vdiq në ditën e Krishtlindjes 1995 në moshën 78-vjeçare nga ndërlikimet e kancerit në mushkëri.
Vdekja e këngëtarit Dean Martin i dha fund një karriere të gjatë dhe të larmishme.
Por tanimë, Din Martin konsiderohet si një interpretues legjendar i ekranit dhe skenës.