Mesazhet e Blinken, ‘shuhet’ Berisha, Kurti përuron bustin e Albinit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Jakin Marena 

Vizita e sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken në Tiranë dhe mesazhet që ka ndarë ai me shqiptarët, këndej e andej kufirit, por dhe rajonin, s’kanë kaluar pa tronditje të forta.

Jo vetëm që po vijojnë të citohen mesazhet e tij dhe një ditë pas përfundimit të vizitës, duke zënë ballinat e mediave tona, por efekti i tyre ndjehet akoma më shumë tek ata të cilët në mënyrë direkte apo indirekte u ‘prekën’ nga fshikullimet e qeverisë amerikane, të bëra publike nga kreu i diplomacisë së saj Blinken, gjatë vizitës 8-orëshe në Tiranë.

Ndoshta shumëkush nga ky kontigjent anti-amerikan në Shqipëri dhe në rajon, i kishte besuar ‘barcaletat’ e shpikura vetë ata për konsum politik, për të ngritur teori të tilla konspirative më herët se kryeministrit Edi Rama nuk i kanë dhënë dorën në Uashington, apo për të famshmen tezë “Mcgonigal” që sipas këtyre zërave do të shënonte ‘fundin e Edi Ramës’.

Pasi u ‘vetësygjestionuan’ për muaj e muaj të tërë, duke mbajtur me gajret veten dhe të vetët, herë përmes lajmeve se Blinken s’kishte planifikuar vizitë në Shqipëri, dhe pasi dolën bllof, duke argumentuar se Blinken do vijë me dosjen e madhe kundër Ramës, teksa kanë parë takimit e sekretarit të DASH, kanë qënë me të vërtetë të shokuar, për të mos thënë të ‘traumatizuar”.

Kur janë dëgjuar nga goja e Sekretarit Amerikan të Shtetit vlerësimet se qeveria shqiptare është partneri më i besueshëm dhe më i afërt i SHBA në rajon e më gjërë, kur kanë dëgjuar vlerësime të tilla si, Edi Rama është një udhëheqës i shkëlqyer dhe kryeministër shumë i mirë, partneri më i besueshëm i SHBA dhe aleatëve, lider i Ballkanit Perëndimor, vërtetë ata që prisnin apo bënin sikur prisnin deklarata të tjera, janë traumatizuar. S’kishin parashikuar vlerësime kaq të larta.

Por dhe kur janë dëgjuar vlerësime të tjera pozitive për rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB si bashkëdrejtuese me kompetencë për çështjen më të rëndësishme që ka sot bota, agresionin e paprovokuar të Rusisë ndaj Ukrainës, për qëndrimin e matur të Shqipërisë për krizat rajonale, sidomos për konfliktin mes Serbisë dhe Kosovës, për rritjen ekonomike, dhe deri në detaje të tilla si rritja e turizmit në Shqipëri e kualifikimi i kombëtares shqiptare të futbollit në ‘Euro 2024’, dhe sidomos deklarata që muajin e ardhshëm do të përurohet baza ajrore në Kuçovë apo janë në bisedime për ngritjen e një baze detare ushtarake në Durrës, si dhe mbështetjen e vazhdueshme për Shqipërinë si lidere e rajonit për anëtarësimin në BE, të gjithë atyre që kishin përgatitur veten për të dëgjuar ‘goditje ndaj qeverisë dhe kryeministrit Rama’, iu është ‘tharë pështyma”.

Për të qënë më konkretë, ata që kanë ndjerë më shumë në kurriz mesazhet e Sekretarit Amerikan të Shtetit Blinken kanë qënë liderët e rajonit. Por për të qëndruar në hapësirën mbarë shqiptare, mund të themi se më të mërziturit kanë qënë kreu i Foltores Sali Berisha në Shqipëri dhe kryeministri Albin Kurti në Kosovë.

Sali Berisha, i gjendur nën arrest shtëpiak vetëm disa qindra metra larg selisë së kryeministrisë ku Blinken në konferencën për mediat artikuloi këto vlerësime për kryeministrin Rama, të cilin e cilësoi si partneri i vetëm më i besueshëm i SHBA jo vetëm në Shqipëri por dhe në rajon, duke nënvizuar se Shqipëria është lidere e rajonit, ka qënë më se i mërzitur. Madje siç e dëgjuam dhe i revoltuar, teksa mbante një sy dhe një vesh nga turma 30-40 vetëshe poshtë dritares së shtëpisë së tij, dhe një sy e një vesh nga vizita e Blinken dhe jehona e saj.

Por dhe Albin Kurti, teksa ka dëgjuar nga goja e Sekretarit Amerikan të Shtetit se qeveria e Kosovës duhet t’i rikthehet dialogut me Serbinë, në linjë më të butë ndoshta se sa deklarata e fortë e ambasadorit amerikan në Kosovë, e mbi të gjitha kur Kurti ka dëgjuar nga goja e Blinken se Kosova duhet të kalojë nëpër shtegun e Tiranës për dialogun dhe bashkëpunimin me aleatët, besojmë se do jetë ‘traumatizuar’. Nëse ka ndjesi politikani apo ndjesi njerëzore, themi të paktën. Besoj se askush nuk do të donte nga dje të ishte në vendin e Sali Berishës dhe Albin Kurtit, pas mesazheve që përcolli Sekretari Amerikan i Shtetit, gjatë vizitës në Tiranë.

Se pse e themi këtë, po mundohemi ta shpjegojmë sa më thjeshtë, sipas mendimit tonë, pa përsëritur deklaratat e thëna dhe stërthëna që nga dita e djeshme për vizitën e Blinken.

Në krye të herës, Blinken nuk e takoi Berishën, pasi është firmosur nga Blinken shpallja familjarisht ‘non grata’ nga SHBA për korrupsion madhor, minim të demokracisë e shantazhim të drejtësisë për të mbrojtur familjen e ortakët e korruptuar. Dihej se Berishës nuk i përmendin as emrin jo më ta takojnë, aq më tepër që tashmë është nën arrest shtëpiak për akuzën e korupsionit pasiv, dhe as demokratët nuk marrin mundimin të shkojnë tek rrugica e tij, jo më amerikanët.

Por Sekretari Amerikan i Shtetit nuk takoi asnjë përfaqësues të opozitës. Ndonëse që nga Lulzim Basha, kreu i PD zyrtare e deri tek Ilir Meta, kreu i Partisë së Lirisë ishin me mendje të ngritur se do t’i takonte disa minuta. Blinken nuk takoi as Gaz Bardhin, i cili pas kthimit nga SHBA u kthye definitivisht tek Berisha duke u bërë bashkë me deputetët e tij pjesë e Foltores.

Një injorim total i opozitës, e cila është ndarë në aq copa sa dhe amerikanët i bien shkurt, nuk e llogarisin, ma sa duket se marrin për bazë si alternativë apo faktor në Shqipëri. Pasi grupimi më i madh i saj, Foltorja, është definuar si një grupim politik anti-amerikan dhe anti-Perëndim.

Dhe kjo u pa dhe në mesazhin e Blinken kur u pyet se përse nuk takoi asnjë përfaqësues të opozitës, teksa shpjegoi se kishte takuar “një sërë njerëzish dhe grupesh të ndryshme përveç Kryeministrit, ministrit të Punëve të Jashtme dhe gjithashtu anëtareve të kabinetit qeveritar. Gjithashtu kam patur mundësi të takohem me disa prej personaliteteve kyç të reformës në drejtësi dhe gjithashtu kam patur mundësi të takohem edhe me një grup të jashtëzakonshëm të rinjsh të cilët janë të angazhuar në programet tona të shkëmbimit dhe kur të kthehem në fakt nga darka e cila në fakt i detyrohem, do të kem mundësi të takohem me një segment tjetër të shoqërisë shqiptare dhe të gjithë aktorët e ndryshëm, por mendoj që kam marrë mjaftueshme nga kjo ditë, edhe këtë e kam bërë me shumë kënaqësi”.

Pra jo vetëm tregoi në mënyrë indirekte se duhet parë nga e ardhmja, teksa përmendi të rinjtë e jashtëzakonshëm shqiptarë të angazhuar për demokracinë në Shqipëri, por Blinken takoi pikërisht ata të cilët janë sulmuar dhe akuzuar nga Berisha dhe mbështetësit e tij. Sado i shkurtër, takimi me kreun e SPAK, kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, numrin një të Gjykatës së Lartë dhe kreun e ILD, ishte një mesazh direkt për grupimin më të madh të opozitës se krerët e drejtësisë së re kanë mbështetjen maksimale të SHBA në punën e tyre për hetimin e gjykimin e krimit të organizuar e korrupsionit, për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në këtë vend.

Lexo edhe :  Duan të zhdukin “opozitën” apo duan të zhdukin antishqiptarët?

Sekretari Amerikan i Shtetit takoi pikërisht krerët e drejtësisë së re që janë cilësuar nga Berisha dhe mbështetësit e tij si të shitur tek Rama e deri bandë kriminale apo grup i strukturuar kriminal, duke i inkurajuar që të vijojnë me zbatimin e ligjit për të bërë drejtësi në këtë vend, duke treguar qartë se të gjitha akuzat ndaj tyre janë thjeshtë nga halli që i ka zënë Berishën dhe mbështetësit e tij të cilët kush më pak dhe kush më shumë kanë punë me drejtësinë për zullumet që kanë kryer.

Njëherësh Blinken ka dhënë mesazhin se SHBA nuk mbështet ‘non gratat’ e të akuzuarit për korrupsion dhe krim të organizuar, çka përkthehet në këshillën e kahershme të aleatëve se duke ndjekur të shkuarën (Berishën), opozita s’ka asnjë shans për të ardhur në pushtet.

Por ka dhënë indirekt dhe një mesazh për Bashën, i cili ndonëse deklarohet pro-SHBA dhe Perëndimit, si dembel funksional që është duhet të zgjohet, të lëvizë dhe të bëjë opozitë, pasi koha e ‘qylit’ ka marrë fund. Blinken ka dhënë mesazhin se nëse opozita vijon të operojë si deri më tani, do vazhdojë të injorohet nga aleati ynë më i madh, pasi siç e deklaroi më se njëherë, ka një partneritet të shkëlqyer me Ramën dhe qeverinë shqiptare.

Në fund të herës Blinken ka qënë më se i qartë, këmbëgulim se axhendën e vizitës së tij zyrtare e kanë bërë vetë strukturat amerikane pasi, teksa nuk ka preferuar që këtë lidership opozitar as ta shohë fare me sy, pasi nëse do të donte mund të mbante fjalën në Kuvend. Ishte ditë seancash e enjtja dhe mund të shtyhej për më vonë, për të dëgjuar fjalën e Blinken. Opozita e Berishës nuk besojmë se do thyente karriget apo të hidhte tymuese në këtë seancë. Me sa duket SHBA nuk e duron këtë lloj opozite që i ka ‘mbetur në derë’ Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Dhe Berisha e ka ndjerë këtë, teksa po ditën e vizitës së Blinken ka akuzuar qeverinë amerikane se takoi vetëm përfaqësuesit e një partie politike, ‘monistët’. Duke vënë si gjithnjë në një ‘korsi’ presidentin, kryeministrin e ministrat e tij, por dhe krerët kryesorë të institucioneve të drejtësisë së re. Nga ana tjetër ka hedhur nëpër ekrane anëtarë të kupolës së Foltores, mbështetës të tij në media, për të sulmuar Blinken, qeverinë amerikane dhe për të justifikuar injorimin amerikan ndaj opozitës ‘non grata’ përmes akuzave se shteti amerikan është kapur nga Sorosi. Por duke arritur deri të absurditet, teksa deklarohen se shtetin amerikan e ka kapur Edi Rama. E padëgjuar!

Ndërsa Albin Kurti është në hall akoma më të madh në Kosovë. Mesazhet e Blinken e kanë prekur pikërisht aty ku kryeministri i Kosovës nuk ‘duron’, në çështjen e partneritetit me SHBA dhe lidershipin e rajonit. Teksa i është bërë thirrje për dialog me Serbinë nën mbikqyerjen e BE dhe me mbështetjen e SHBA, Blinken ka qënë i qartë teksa i ka kërkuar Prishtinës zyrtare që të hyjë në shtegun e ndjekur nga Shqipëria për dialog, integrim dhe bashkëpunim rajonal, duke nënvizuar se SHBA, bashkë me Shqipërinë do të punojnë fort që gjithë vendet e rajonit të ecin përpara në të gjitha aspektet.

E thënë shkurt dhe qartë, Blinken ka lënë për të kuptuar se nëse vijon situata siç po shkon tani, Kosova për gjithçka që do të komunikojë me aleatët por dhe për t’u vendour nga aleatët, nëse Kurti vijon me kokëfortësi mospërfilljen e konsultave dhe bashkëpunimit me partnerët, do të kalojë përmes Tiranës zyrtare. Si lidere e rajonit, është nënvizuar disa herë ky vlerësim.

Mesazhi më i fortë i Blinken për Kosovën, lexohej mes rreshtave kjo dhe me kohën e pakët që u vu në dispozicion për këtë çështje në konferencën për shtyp, ka qënë lodhja e partnerëve dhe mërzia për shkak të qëndrimeve e veprimeve të Kurtit për t’u marrë me Kosovën. Nëse Kurti vazhdon në këtë linjë sjellje ndaj partnerëve, problemi i negociatave, diskutimi i të ardhmes, mënyra e mbështetjes dhe e përkujdesjes në të ardhmen për Kosovën, do të jetë ‘barrë’ për Tiranën zyrtare. Që me sa duket dhe për një kohë të gjatë do të jetë me lider Edi Ramën. Me pak fjalë Shqipëria, nëse Kurti vazhdon të luajë mistrecin politik me aleatët, do të jetë në një farë mënyrë ‘kujdestare’ për Kosovën, dhe një ndërmjetëse mes Prishtinës dhe aleatëve të saj.

Këto janë shenjat e para të lodhjes së SHBA, BE e Britanisë me veprimet e Kurtit në përplasjen me aleatët, më e fundit për çështjen e dinarit serb në Kosovë. Por nuk përjashtohet mundësia që situata të precipitojë dhe në veprime të tjera, që nga sanksionimi i lidershipit, rënia e interesit për të mbështetur integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike, ulja e vëllimit të bashkëpunimit në të gjitha fushat me Kosovën e pse jo mund ta ‘pësojë’ dhe baza ushtarake e Ferizajt në Kosovë, e cila dalëngadalë mund të zhvendoset drejt Shqipërisë, si vendi më i sigurtë dhe partneri më i besueshëm i Perëndimit në rajon. Por dhe si lidere e rajonit. “Kartat” janë hapur, SHBA dhe aleatët e tjerë investohen vetëm në vendet e sigurta. Nuk besojmë se për t’i dalë përpara kësaj ndodhie, Albin Kurti mori pjesë në përurimin e ngritjes së bustit të vet po në Llap një ditë më parë. As Enver Hoxha nuk guxoi të ngrinte bust të vetin në të gjallë të tij, Albini po. Ndoshta është shenjë e mirë dhe po shkon në ‘habitatin’ e vet, opozitë.

Prandaj Albin Kurti deri më tani nuk ka thëenë asnjë fjalë për mesazhet e Blinken në Tiranë. E di dhe vetë ai se për një grusht vota më shumë po sakrifikon Kosovën e cila u çlirua, u bë shtet dhe qëndron në këmbë pikërisht sepse u investuan Uashingtoni, Londra e Brukseli. Kurti vetë është i qartë në lojën e tij politike, kërkon me çdo kusht të bëjë të fortin, ‘sovranistin’ për të thithur votat e qytetarëve të Kosovës, kryesisht të zonave rurale dhe diasporës, anipse gjithçka rëndon mbi qytetarët dhe vetë shtetin e Kosovës. Që mbetet pa aleatë.

Koha është që shqiptarët e Kosovës të vendosin vetë për fatin e vet, ose e thënë më qartë, ta ndajnë njëherë e mirë, janë me aleatët që i çliruan, i bënë me shtet dhe që akoma vijojnë t’i mbrojnë, apo janë me ata që për hir të pushtetit po e çojnë këtë vend drej izolimit të plotë dhe ekspozimit ndaj atyre që s’ia kanë dashur kurrë të mirën. Koha do ta vertetojë, megjithëse mund të jetë shumë vonë, pa asnjë mundësi për t’u ringritur e vendosur sërish partneritetin e dikurshëm efektiv me aleatët tanë perëndimorë. Ndërsa Shqipëria e ka bërë zgjedhjen, ka izoluar Berishën duke e lënë jashtë pushtetit sa të jetë ai në krye të grupimit më të madh politik të opozitë.

Të fundit

‘Kush m’i zgjidh hallet e mia, Ilir Meta, LSI-ja’/ Analisti ironizon kreun e PL

Analisti  Arben Meçe në Repoltix komentoi turin e Ilir Metës dhe PL-së duke theksuar se çfarë do të bëjë...

Lufta poshtë brezit për dominimin e opozitës

Nga Ylli Pata Në vigjilje të 25 prillit ja vlen të bëhen realisht bilancet që nuk u bënë kurrë tre vjet më parë për atë...

Intifada e Ilir Metës kundër SPAK

Nga Mero Baze Ka një tërbim të pa frenuar të Ilir Metës kundër kreut të SPAK, Altin Dumani. Përtej fyerjeve personale apo bullizimit të tij,...

Këmbësorin e zë korrenti në autostradën Lezhë-Tiranë/ Përcjellësit e energjisë në tokë

Nje person ka mbetur i vdekur pasi ka rënë në kontakt me energjine elektrike pranë një biznesi në autostradën Lezhë-Tiranë. Mesohet se këmbësori Vladimir Muhja...

“Ambicie të mëdha dhe punë të vogla”/ Të rinjtë kërkojnë jetë luksi në klipet e Noyzit

Duke komentuar mbi një raport mbi indeksin e lumturisë, sociologu Ergy Mërtiri i ftuar në “Open” në News 24, tha se të rinjtë shqiptarët...

Lajme të tjera

Web TV