Ministri fjalim në sesionin e 55 të Këshillit të të drejtave të njeriut
Teksa Shqipëria për pak ditë do të organizojë Samitin për Ukrainën, ministri i Punëve të Jashtme Igli Hasani, në sesionin e 55 të Këshillit të të drejtave të njeriut, bëri thirje të merren masa për të dënuar krimet e luftës nga Rusia.
“Autorët e këtyre krimeve duhet të mbajnë përgjegjësi. Ne mbështesim plotësisht mandatin e Komisionit Hetimor dhe si anëtar i Këshillit të të Drejtave të Njeriut do të punojmë fort, së bashku me partnerët, aleatët dhe vendet të njëmendta drejt arritjes së objektivit për të vënë para drejtësisë autorët.”
Edhe samiti në Tiranë, në datë 28 Shkurt do të ketë këtë fokus.
“Më 28 Shkurt do të presim në Tiranë, Samitin Ukrainë-Evropa Juglindore, për të mbështetur Ukrainën dhe për të denoncuar këtë agresion të paligjshëm dhe krimet që ka sjellë ai, sepse duke vepruar kështu, ne në fakt po luftojmë për të drejtat e njeriut dhe sistemin e bazuar në rregulla.”
Si anëtare e këtij Këshilli, Shqipëria u zotua të bëjë gjithçka që është në fuqinë e saj për t’i ardhur në ndihmë Ukrainës dhe për t’i rikthyer të drejtat popullit të saj./O.S