Ky qen, i cili përdoret për të gjetur sende të jashtëligjshme nga Policia Kufitare dhe jo vetëm, kësaj here në këtë simulim të bërë në Golem të Kavajës, gjeti një pistoletë.
Kontrolli u bë sipas të gjitha standardeve të Bashkimit Evropian, manuali i trajnimit, i cili sapo është zhvilluar dhe do t’i jepet Institutit të Përgatitjes së Qenve të Policisë së Shtetit dhe të gjitha njësive policore të qenve në pikat e kalimit kufitar në vend. Për herë të dytë, Prezenca e OSBE në Shqipëri zhvilloi takimin me përfaqësues të këtyre njësive nga Ballkani Perëndimor, Franca dhe Austria. Duke njohur rëndësinë e qenve në zbulimin e kalimit të sendeve të paligjshme me kufi, kreu i Kufirit dhe Migracionit, Saimir Boshnjaku, foli për rezultate të prekshme vetëm për vitin 2023, sidomos në gjetjen e parave të padeklaruara dhe armëve të zjarrit.
“Ne kemi pasur rezultate të prekshme. Për vitin 2023 parandalimi dhe goditja e transportit të vlerave monetare CASH nëpër pikat e kalimit kufitar, ka dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm kontrolli me qen dhe mund të themi se vlera e sekuestruar e parave ka qenë rreth 3 milionë euro, që nuk janë pak”- tha Boshnjaku.
Synimi i OSBE-së është që manuali i trajnimit dhe shkëmbimi i eksperiencave me rajonin dhe vende të BE-së të vijojë më tej.
“Qëllimi i këtij projekti dhe eventi, nuk është vetëm dhënia e eksperiencave më të mira nga ana teorike por edhe nga ana praktike. Doja të theksoja që projekti nuk po suporton vetëm dhënien e disa dokumenteve strategjikë, por në të njëjtën kohë ne po përpiqemi që ti ofrojmë shtetit shqiptar platformat e nevojshme për rritjen e kapaciteteve, duke përfshirë këtu rikonstruktimin e Institutit e qenve, dhënien e disa pajisjeve te specializuara dhe makinave që do të bëjnë transportimin e qenve”- u shpreh Ballço, përfaqësues i prezencës së OSBE në Shqipëri.
Takimi rajonal këtë vit u fokusua në Manualin e Trajnimit të sapo hartuar sipas standardeve ndërkombëtare dhe nevojave të Policisë së Shtetit si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të projektit “Asistencë për autoritetet e Republikës së Shqipërisë për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta”. Manuali do të shërbejë si mjet i rritjes profesionale për të gjithë instruktorët e qenve të policisë, për të dalluar armët e zjarrit, municionet dhe eksplozivët e jashtëligjshme./E.T