Nga Fernada Cenko
Rikthimin në një lloj normaliteti në anormalitetin tërësor të politikës në vend, në një kamp e quajnë fitore, në tjetrin as fitore dhe as humbje. Dakordësia PS-Grupi i Rithemelimit të Berishës, tashmë është fakt. Ngritja e dy komisioneve hetimore parlamentare, e drejta për tu përfaqësuar në Komisionin Zgjedhor si dhe njohja e Gazmend Bardhit si kreu i Grupit Parlamentar të PD-së janë arsyet që opozita tashmë ka premtuar rikthim të normalitetit në Parlament, pas 5 muajve kaos. Kaq “pak” mjaftoi që në kampin opozitar të brohorasin për fitore, por në politikë gjithçka është llogari dhe pushtet.
Mazhoranca kërkon që të vendosë në zbatim disa ligje që kërkojnë shumicë të cilësuar, mbi 84 vota. Me Bashën dhe mbështetësit e tij mund të siguroheshin kartonët jeshilë për ligjet, por politikisht duhet pranuar realiteti dhe treguesi është se Grupi i Rithemelimit që drejtohet nga Berisha ka shumicën parlamentare, por edhe votat në elektorat.
Partisë Socialiste në këtë moment i duhen disa vota për të kaluar Amnistinë Penale dhe të finalizojnë Reformën Zgjedhore për ti lënë kohë Komisionit Qendror Zgjedhor që të vijojë punën me zgjedhjet që do të mbahen në 2025.
Ndërsa nga ana tjetër Rithemelimi shkoi në këtë rrugë, pasi nuk arriti tia dilte dot si zhurmuese në Parlament. Megjithatë koha do të zbardh skenaret e të dyja palëve. Lajmi i javës është gjithashtu dërgimi i “21 Janarit” në SPAK për hetim.
Lulzim Basha në atë kohë kur armët e gardës qëlluan dhe vranë katër protestues ishte ministër I Brendshëm dhe një nga njerëzit më të bësuar të kryeministrit të kohës Sali Berisha.
13 vite më vonë për shumë arsye Lulzim Basha dha një intervistë tek Zëri i Amerikës dhe tha se nuk ka dhënë asnjë urdhër për të hapur zjarr ndaj portestuesve. Në mënyrë të tërthortë peshën e përgjegjësisë për humbjen e jetës së katër protestuesve nga armët e gardistëve ia la ish-kryeministrit Sali Berisha.
Megjithatë Berisha tashmë është katërfish i rënduar. Ndodhet në arrest shtëpie me akuzën e “korrupsionit pasiv”; është dy herë i shpallur “non grata” nga SHBA dhe Britania e Madhe; moshën nuk e ka në favor dhe mbi të gjitha drejtësinë nga pas. Mbi situatën politike në vend komentojnë për gazetën “Fjala” analistët Frrok Çupi dhe Lorenc Vangjeli.