Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në fjalën e tij në emër të Shqipërisë në selinë e OKB, në Nju-Jork, në “Dialogun për të ardhmen digjitale” se, “teknologjia digjitale me premtimin e saj për progres eksponencial është bekim për vendet në zhvillim”.
“Ne në Shqipëri e kemi parë në jetën reale dhe me përpjekjet përkatëse u bëmë një vend ku 95% e shërbimeve sot ofrohen online e ku sportelet dhe radhët e gjata janë tashmë histori e të shkuarës”, tha Rama.
Nga ana tjetër, shtoi kreu i qeverisë, “ne po shfrytëzojmë përparësitë e modelit të Inteligjencës Artificiale, për të çuar shpejt përpara negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.
Gjithashtu, shtoi Rama, “po shohim në këtë drejtim edhe për ndërtimin e një modeli të ri plotësisht transparent dhe 95% të bazuar tek IA për prokurimet publike”.
Nga ana tjetër, theksoi Kryeministri, sigurisht teknologjia digjitale nuk është vetëm një bekim, po edhe një mallkim, si për shembull, sulmet kibernetike.
“Shqipëria ka qenë viktimë e një sulmi të egër kibernetik nga Irani. Ne e provuam në realitet se sa shumë kjo botë e re e bazuar në teknologji mund të sjellë dëme për vendet dhe për qytetarët”, tha Rama.
Por tek e fundit, shtoi kreu i qeverisë, “nuk ka aspak dyshim se nëse do të jemi në gjendje të krijojmë një sistem, ku bota dhe komuniteti i kombeve të përfitojnë më të mirën nga premtimet e teknologjisë digjitale dhe në të njëjtën kohë, të frenojnë të gjitha efektet e dëmshme që mund të vijnë nga përdorimi dashakeq i saj, kjo botë do të ishte një vend shumë më i mirë”./kb