Jimmy Donaldson, i njohur si MrBeast, influenceri më i madh i YouTube me gjysmë miliardë fansa dhe një perandori globale biznesi, tani po përballet me një sfidë të madhe.
Një padi prej 54 faqesh është ngritur nga pesë konkurrente femra nga shfaqja e tij e ardhshme e realitetit Prime Video Beast Games, duke akuzuar kompaninë e tij të prodhimit, MrB2024 dhe Amazon për nxitjen e një mjedisi toksik në xhirime. Konkurrentet pretendojnë se kanë duruar një kulturë të mizogjinisë, seksizmit dhe keqtrajtimit, me akuza se kanë qenë të paushqyera, të lodhura, duke punuar në kushte të pasigurta.
Beast Games, i shpallur si konkursi më i madh i realitetit ndonjëherë me një çmim prej 5 milionë dollarësh dhe 1000 garues, tani është në krizë. Dokumenti ligjor, ndonëse i redaktuar shumë, detajon ngarkesën fizike dhe emocionale me të cilin thuhet se u përballën pjesëmarrësit.
Disa pretenduan se kaluan mbi 20 orë pa ushqim, duke sjellë shtrime në spital, ndërsa të tjera se nuk i morën mjekimet në kohë. Këto pretendime janë në qendër të imazhit të krijuar me kujdes të MrBeast si një nga “djemtë e mirë” të internetit.
Ndërsa padia është polemika e fundit që rrethon MrBeast, ai i ka kaluar skandalet e shkuara relativisht i padëmtuar. Në fillim të këtij viti, ish-bashkëprezantuesi i tij u akuzua për manipulimin e një adoleshenteje, gjë që MrBeast e dënoi, megjithëse akuzat mbeten të paverifikuara.
Për më tepër, sipërmarrjet e tij filantropike, të tilla si ndërtimi i puseve në Afrikë dhe financimi i operacioneve, janë përballur me akuza për shfrytëzim. Megjithatë, baza e tij e fansave vetëm sa është rritur. Në qershor, ai fitoi mjaft abonentë duke e bërë kanalin e tij më të madhin në YouTube, duke shtuar pesë milionë ndjekës të tjerë në vetëm 30 ditë.
Pavarësisht famës së tij në rritje, marka e MrBeast, e cila përfshin industri të ndryshme, duke përfshirë produktet ushqimore, përballet me rreziqe të reja. Ekspertët e marketingut thonë se padia e fundit mund të njollosë reputacionin e tij.
Megjithëse MrBeast ende nuk ka komentuar mbi akuzat, e ardhmja e markës së tij mund të varet nga mënyra se si ai përgjigjet.
Hapat e tij të ardhshëm do të ndiqen nga afër, pasi fansat presin anën e tij të asaj që mbetet një histori e ndërlikuar dhe e vazhdueshme./ S.M