Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha e quajti ‘akt vandalizmi’ kaosin e shkaktuar nga Partia Demokratike një dite më parë në Kuvendin e Shqipërisë, ku deputetët e opozitës dogjën karriget dhe sulmuan fizikisht disa përfaqësues të mazhorancës.
Hoxha ka reaguar përmes një statusi në Facebook, ku ka theksuar se ngjarja do i referohet SPAK-ut.
Mesazhi i ministrit të Brendshëm
Flakët e zjarrit, pasditen e djeshme, në dyert e Kuvendit të Shqipërisë, që është tempulli më i lartë i një sistemi demokratik, janë akt që përdhos ndjenjat e qytetarëve të këtij vendi. Kuvendi mbetet thelbi i shprehjes së vullnetit dhe besimit të votuesve, ndaj çdo akt vandalizmi brenda apo në dyert e tij, është absolutisht i papranueshëm dhe i ndëshkueshëm ligjërisht.
Pengimi i ushtrimit të funksioneve kushtetuese
Heqja me dhunë e të drejtës së fjalës
Goditja për shkak të detyrës
Rrezikimi i jetës së deputetëve duke i goditur me mjete te forta
Shkatërrimi me zjarr i pronës publike, ishin akte të rënda dhune dhe vandalizmi.
Në Parlament nuk vihet me shishe benzine, por për të ushtruar lirinë e të drejtës së fjalës mbi bazën e mandatit që merr nga zgjedhësit.
Deputetët e Partisë Demokratike nxorrën jashtë sallës së Kuvendit karriget e tyre dhe u vunë zjarrin në shenjë proteste ndaj burgosjes së deputetit Ervin Salianji, dhe, siç u shprehën ata, ndaj shumë akteve të tjera arbitrare të shumicës ndaj opozitës dhe lirive demokratike në vend.
/E.T