Kryeministri shqiptar udhëtoi në një vizitë zyrtare në Hungari ku u takua me homologun hungarez, Viktor Orban. Të dy vlerësuan marrëdhëniet mes dy vendeve ndërsa u firmosën dy marëveshje mirëkuptimi në fushën e bujqësisë dhe të administratës publike. Javën e ardhshme në Luksemburg Shqipëria do të çelë negociatat për grup kapitullin e parë dhe në këtë rrugëtim ka mbështetjen e presidencës hungarese të Këshillit të BE-së.
Kryeministri Edi Rama pas takimit që pati në Tiranë me Presidentin e Turqisë Tahip Rexheo Erdogan është nisur direct për në Hungari ku është takuar me homologun e Hungarisë, Victor Orban ku gjatë një konference për shtyp të përbashkët përsëriti mbështetjen e vendit të tij për integrimin europian të Ballkanit Perëndimor. “Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë pritur për 15 vite mesatarisht për t’u bërë pjesë e BE, ndërsa Shqipëria ka pritur që prej vitit 2019. Unë në fakt kam folur për këtë edhe në Strasburg sepse mendoj që kura më e mirë për këtë situatë është që BE t’i mirëpresë vendet e Ballkanit Perëndimor në BE, sepse kështu gjaku qarkullon më mirë tek ne në familjen europiane”, tha Orban. Sipas kryeministrit të Hungarisë, Shqipëria duhet të jetë pjesë e BE, dhe sipas tij Shqipëria është me fat sepse presidencën e mban Hungaria. “Shqipëria duhet të ishte pjesë e BE dhe duhet të jetë edhe tani. Por edhe pse po shohim pengesa politike, javën e ardhshme do të kemi konferencën e parë ndërqeveritare dhe do të hapen kapitujt e parë. Dhe më vjen shumë mirë kjo ndodh nën presidencën tonë. Herën e fundit që kemi pasur diskutime të tilla kanë qenë kur ne kemi qenë në presidencë dhe Kroacia u bë anëtare e BE. Dhe që atëherë nuk kemi pasur anëtarësime të tjera në BE”, është shprehur Orban gjatë konferencës për shtyp para gazetarëve pas takimit që ata patën kokë më kokë. Në konferencën mes Ramës dhe Orban në Budapest nuk munguan batutat dhe vlerësimet për njëri tjetrin. Kryeministri hungarez e quajti homologun shqiptar si artist të politikës. Ndërsa Rama duke vlerësuar Hungarinë theksoi se ne përveç turistëve hungarez kemi patur edhe një mbretëreshë hungareze. Rama bëri dhe një batutë sa i takon këpucëve duke i kërkuar ndjesë Orbanit që nuk i është përmbajtur protokollit por ka veshur këpucë të mërzitshme. “Kemi patur në fakt biseda vërtet të thella dhe diskutime për të cilat i jam atij tërësisht mirënjohës. Është vërtet shumë kënaqësi gjithmonë kur kemi në fakt të ftuar që janë artist të politikës sepse na sjellin këndvështrime të reja dhe kjo gjë na ndihmojnë gjithnjë edhe në shkëmbimin e ideve. Pra patëm një privilegj të madh që i ftuari ynë nuk vjen me atë traditën e politikanëve hungarezë, pra nuk është jurist apo ekonomist siç është rasti me ne në Hungari, por me njohuritë e tij ne kemi diskutuar edhe politikën hungareze dhe është vërtet kënaqësi dhe dëshiroj ta falënderoj atë”, u shpreh Orban. Ndërsa Rama është kthyer në kohë duke i kujtuar Orban dhe Hungarisë se mbretëresa Geraldinë ishte nga Hungaria. “Hungaria është vendi nga i cili ne patëm një mbretëreshë, por ne gjithashtu duam që edhe investimet në turizëm të pasojnë dhe që të kemi flamurin hungarez në Shqipëri dhe na pëlqen shumë flamuri hungarez. Nuk e shikojmë atë fare si kërcenim apo sikur do të na pushtojë dhe në fund, por jo më pak nga rëndësia gjithashtu dëshiroj që t’i shpreh mirënjohjen e thellë kryeministrit Orbán për mbështetjen e tij të palëkundur për Ballkanin Perëndimor dhe jo thjesht mbështetje me fjalë, por me vepra. Si edhe dëshiroj ta falënderoj atë që gjithmonë ka thënë që Ballkani Perëndimor është po aq i rëndësishëm për BE-në sa BE-ja për Ballkanin Perëndimor dhe me kërshëri pres që shumë e më shumë gjëra do të bëhen ndërmjet 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Hungarisë edhe po të mos jetë vetëm në lidhje me gjërat që kanë të bëjnë me Procesin e Berlinit apo me planin e rritjes, por edhe në fushën financiare për aspekte që kanë të bëjnë më të nxënit nga historia dhe për ta gjykuar të tashmen duke u përpjekur që të mos na befasojë e ardhmja”, është shpprehur Rama.
Investimet
Kryeministri Edi Rama nga konferenca me kryeministrin Viktor Orban u shpreh se investimet hungareze në Shqipëri janë mbreslënëse, të cilat sipas tij kapin shifrën e 350 milionë eurove. Rama tha se duhet që të ketë një rritje të investimeve në fushën e turizmit. “Ne gjithashtu folëm për investimet dhe i thashë kryeministrit që ne ndihemi të inkurajuar nga fakti që kompanitë hungareze, pra shoqëritë tregtare hungareze po investojnë, por gjithashtu edhe numri i investimeve të drejtpërdrejta të huaja në shifra me euro që vijnë nga Hungaria është i pazakontë duke u krahasuar gjithnjë me vende që janë si Shqipëria në madhësi, pra bëhet fjalë për rreth 350 milionë euro, që është një shifër vërtetë domethënëse për ekonominë tonë dhe është vërtetë mbresëlënës sa i përket performancës së një shteti si Hungaria, gjë që nuk e pret që ta kesh në vendin tënd, pra investime të huaja. Kështu që diskutuam se si mund të arrijmë edhe më shumë në këtë fushë. Turizmi është një objektiv për shembull dhe ne po shikojmë gjithnjë e më shumë qytetarë hungarezë që vijnë në Shqipëri për pushime. Në bregdetin tonë ky numër është rritur sërish në krahasim me vitin e shkuar dhe për momentin ne po shikojmë një rritje të madhe të turizmit në Shqipëri. 10 milionë turistë kishim vjet dhe sivjet shifra do të arrijë 12 milionë ose më shumë, me aeroportin që ka patur rritjen më të madhe në Europë dhe ne dëshirojmë që të kemi jo vetëm turistë hungarezë të cilët sigurisht i mirëpresim dhe meqë ra fjala, Hungaria është vendi nga i cili ne patëm një mbretëreshë, por ne gjithashtu duam që edhe investimet në turizëm të pasojnë dhe që të kemi flamurin hungarez në Shqipëri dhe na pëlqen shumë flamuri hungarez”, tha ai.