Nga Artur Ajazi
Një pjesë e pakonsiderueshme e shqiptarëve,lirimin nga Apeli i Sali Berishës, po i duket sikur “tani fushata do të jetë më agresive nga opozita”. U duket sikur “lirimi i Berishës, do tu japë ca vota më tepër demokratëve në 2025”.
Gabohen. Lirimi i Berishës, dhe pasja e një Berishe përballë Ramës në fushatë, do të jetë rritja me 5 fish e votave që do të marrë Partia Socialiste në 2025.
Askush nuk duhet ta besojë se, lirimi i Berishës, na qenkësh “fitore dhe fat i madh për PD”. Asnjëherë si sot, opozita e pabashkuar e përfaqësuar nga PD-ja, nuk gjendet kaq e denigruar, kaq e pakësuar, kaq e akuzuar nga SPAK.
Lirimi i Berishës nga arresti shtëpiak, dhe premtimi i tij se “do të nis fushatën e fitores”, mbeten fatalitete për një opozitë e cila nuk ka mundur deri sot të shkëputet nga e kaluara. E një opozite e cila edhe sot pas 34 vitesh, mban shpresa tek një Berishë, i mbetur i vetëm dhe pa asnjë përkrahje nderkombetare.
Të besosh sot se “Berisha do ti japë fitoren PD në 2025”, është njëlloj sikur të thuash se “komunistët janë shumicë sot në Shqipëri”. Kjo pasi e vërteta qëndron krejt ndryshe. Politika shqiptare, tanimë ka hyrë në një faze të re integruese, për t’ju përgjigjur kërkesave dhe angazhimeve europianiste që ka nisur të ndërrmarë BE-ja.
Nuk kanë vend më në politikën shqiptare, hijes e së shkuarës, pasi ritmi i rritjes dhe perfeksionimit të kritereve pas hapjes së negociatave, mbetet detyrim i një klase politike të përgjegjshme.
Askush më mirë se shqiptarët, nuk do ti kujtojë me votë PD-së se “koha e Berishës ka ikur, dhe se kjo parti tanimë e ka humbur shansin të kapë trenin e Brukselit”. Të besosh edhe pas 34 vitesh tek Berisha, të besosh tek metodat dhe format e tij bajraktariste të drejtimit të partisë, apo dhe tek premtimi i tij për “fitoren e padiskutueshme në 2025”, është marrëzi dhe mjerim mendor.
Çdo pjesë aktive dhe intelektuale e asaj partie, që mendon për jetëzgjatjen politike, duhet të distancohet nga realiteti që ka mbërthyer PD e sotme. Nuk mund të vazhdojnë pambarimisht, të shkojnë pas një njeriu, që ka konsumuar gjithçka kishte nga karriera e tij politike.
E sotmja i takon brezave të rinj, edhe pse ata e kanë derën e mbyllur në PD. Situata ku gjendet sot Partia Demokratike, premton vetëm qëndrim të gjatë në opozitë.
Edhe pse nuk u besoj shumë exit-poll-eve, mendoj se zgjedhjet e 2025, do të kenë surpriza më të pakëndëshme në kampin opozitar.
Një parti që nuk ka mundur të bashkohet, me një lidership të paaftë për të revizionuar veten dhe strukturat, natyrisht nuk do të ketë as fitore, dhe as renditje pozitive si forcë politike. Ajo ç’ka pritet në zgjedhjet e reja, veç humbjes katastrofike të PD-së, mbetet një rritje e lehtë e partive të vogla, dhe një fitore e padiskutueshme e Partisë Socialiste./ S,M