Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, foli dje për arritjet e institucionit që drejton duke theksuar se “pandëshkueshmëria po tronditet”. Gjithashtu edhe përfaqësues të BE-së dhe SHBA-ve kërkuan vijimin e ndëshkimit në nivele të larta të politikës dhe goditjen e krimit të organizuar.
Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, ka theksuar se Reforma në Drejtësi po bën hapa të rëndësishëm në luftën kundër pandëshkueshmërisë në Shqipëri dhe po krijon një drejtësi më të barabartë për qytetarët. Sipas tij, pandëshkueshmëria po trondit sot duke sjellë një drejtësi më të mirë. “Pandëshkueshmëria po tronditet sot. Rruga na përball çdo ditë me sfida të reja, që as nuk na kanë trembur, e as nuk na kanë stepur.
Një nga përparësitë e SPAK nga 31 dhjetori është edhe administrimi i rolit të komisionerëve publikë. Të gjitha cështjet e papërfunduara të rivlerësimit të magjistratëve, do i kalojnë drejtuesit të SPAK. Deri tani numërohen 40 ankimime. Parashikohet që drejtuesi i SPAK do të ketë një rol të madh të përfaqësimit të këtyre çështjeve përpara Kolegjit të Posaçëm të Apelimit”, tha Dumani. Gjatë një ceremonie që shënoi përfundimin e procesit të vettingut të prokurorëve dhe gjykatësve, Dumani u shpreh se sfidat me të cilat SPAK është përballur nuk e kanë trembur institucionin, duke vënë theksin te prioriteti për të goditur çështjet më të ndjeshme që prekin interesin e qytetarëve.
“Reforma në Drejtësi ishte një proces transformues që hapi rrugën për një demokraci më të fortë dhe për integrimin e vendit në Bashkimin Europian,” deklaroi Dumani. Ai theksoi se me përfundimin e procesit të vettingut, SPAK do të marrë nën administrim të gjitha çështjet e papërfunduara të rivlerësimit të magjistratëve.
Kjo nismë, sipas tij, do të ketë një ndikim të madh në forcimin e institucioneve të drejtësisë dhe krijimin e një sistemi më transparent e të besueshëm. Nancy VanHorn, e ngarkuara me punë e SHBA-së në Tiranë, i bëri thirrje SPAK-ut të përqendrohet te çështjet më sensitive të korrupsionit, duke mbajtur përgjegjës ata që kanë abuzuar me pushtetin, pa marrë parasysh përkatësitë politike.
“I është bërë shumë rezistencë reformës në drejtësi, por ajo duhet të vazhdojë. Zyrtarët e korruptuar po mbahen përgjegjës dhe kjo është një fitore për qytetarët shqiptarë,” tha VanHorn. Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, e quajti procesin e vettingut një sukses që ka kontribuar drejtpërdrejt në hapjen e negociatave për anëtarësim.
Ai paralajmëroi se puna duhet të vazhdojë, duke u siguruar që çdo ankesë dhe proces të përfundojë brenda afatit të vitit 2026. Ambasadori vlerësoi punën e këtyre 7 viteve, duke e cilësuar si një arritje të madhe. “Ky nuk ka qenë një proces i lehtë. Profesionalizimi që ju treguat në këtë udhtim më lejoni që të përgezoj komisinerët për kontrinutin e tyre që të sigurohej pavarësia e sistemit të drejtësisë për të risjell besimin e publikut tek institucionet e drejtësisë.
Ajo që keni bërë deri tani është një nga disa gjëra dhe keni dhënë një kontribut të madh edhe për çeljen e grupkaputullit të parë të negociatave me BE. Puna që është bërë deri tani nuk duhet që të humbas dhe pavarësia e institucionet duhet që të ruhet. KLGJ dhe KLP duhet të japin prova konkrete dhe të ruajnë standardet e organeve të vetingut. Një aspekt tjetër për të cilin i jemi referuar ne është rëndësia që kanë institucionet e vetingut që duhet ti referojnë çështjet prokurorisë dhe SPAK.
Në mbyllje mendoj se ajo që keni bërë në këto 7 vite është në arritje dhe një punë e madhe, dhe ka bërë atë që e ka sjell Shqipërinë më pranë BE dhe anëtarësimit. Gjyqësori duhet të jetë i pavarur dhe të ruhet integriteti i tij, në mënyrë që çdo qytetarë të ketë qasje në drejtësi”, tha ai.
SPAK, përkundër sulmeve politike, duket i vendosur për të cuar përpara misionin e tij, duke synuar ndëshkimin e zyrtarëve të korruptuar dhe garantimin e drejtësisë për të gjithë qytetarët. Në këtë takim ishte i ftuar edhe ministri i Drejtësisë Ulsi Manja.