Një incident i rëndë ka ndodhur në një festival Krishtlindjesh në qytetin Ibadan në jug- perëndim të Nigerisë. Rreth 35 fëmijë kanë humbur jetën teksa turma ‘ e pabindur’ rendi drejt hyrjes së festivalit tek i cili ishin premtuar shpërblime me para dhe ushqime për pjesëmarrësit.
Sipas burimeve, turma kaotike pati përplasje gjatë kohës kur po hynin në festival, ndërkohë që numri i të pranishëmve llogaritej në rreth 5000 fëmijë.
Policia ka bërë me dije se janë arrestuar tetë persona të cilët besohet se janë organizatorët e eventit, ndërkohë që i kanë kërkuar prindërve të kërkojnë në spitale për të gjetur fëmijët e tyre.
Bilanci i viktimave u rëndua pasi mes 6 të plagosurve, fatkeqësisht 4 nuk mundën t’i shpëtonin lëndimeve të marra.
Disa prindër të prekur nga ngjarja e rëndë i thanë gazetarëve se kishin shkuar me fëmijët e tyre në vendin e “Festivalit të Fundvitit të Krishtlindjeve” që në orën 05:00 të mëngjesit, pesë orë para fillimit të ngjarjes. Ata shpresonin të merrnin disa para dhe ushqim, pasi organizatorët kishin premtuar të shpërndanin rreth 2.50- 3 $ për 5,000 fëmijë, si dhe të ofronin ushqim falas për pjesëmarrësit.
Nigeria po kalon krizën më të keqe ekonomike të një brezi, gjë që shpjegon pse mbi 10,000 njerëz thuhet se kishin marrë pjesë në ngjarje. /e.t