Enver Hoxha u detyrua të japë dorëheqje si kryeministër i Shqipërisë në vitin 1954, ndërkohë që iu tërhoq vërejtje se kishte keqmenaxhuar fondet që Bashkimi Sovjetik i kishte dhënë Shqipërisë.
Ky është përfundimi në të cilin del historiani Gjon Boriçi, i cili hulumton lidhur me këtë periudhë të historisë shqiptare, duke iu referuar një letre të dërguar nga vetë lideri sovjetik, Nikita Hrushov, më 28 dhjetor 1953.
Për çështjen në fjalë, pas botimit të disa librave, Boriçi ka shkruar edhe në revistën albanologjike “Albanian Studies” të Akademisë së Shkencave, që botohet në anglisht dhe që i drejtohet audiencës së huaj me shkrimet më të mira albanologjike në vend.
Sipas historianit, Hoxha ishte detyruar të jepte dorëheqjen si pasojë e presionit nga BS, që e konsideronin aspak të përshtatshëm Hoxhën si kryetar qeverie dhe e kritikonin se po investonte keq kreditë dhe ndihmat që kishte marrë nga vendet e kampit socialist, veçanërisht nga BS.
“Është shumë interesante të zbuloje arsyet e vërteta të dorëheqjes së kryeminsitrit të atëhershëm Enver Hoxha, i cili mbajti po prap pozitën sunduese në Shqipëri, por nuk kishte pozitën e kryetarit të qeverisë. Ishte vërtet e rrallë të gjeje edhe letrat që i kanë ardhur nga BS, nga vetë Nikita Hrushov, që ia thotë hapur: nuk di të menaxhosh ekonominë, po keqmenaxhon të gjithë kreditë që ne ju kemi dhënë, po i çoni dëm. Dhe kjo ishte e vërtetë. Shqipëria atëherë pati thuajse një kolaps të rëndë ekonomik, i cili u shmang vetëm nga ndërhyrja shpëtimtare e Republikës Popullore të Kinës që subvencionoi me kredi të tjera dhe që bëri të mundur vijimësin politik të regjimit komunist dhe të vetë Hoxhës.”, – thotë Boriçi për “Report TV”.
Madje më herët, po në vitin 1953, sipas historianit, Hoxha pati një sfidë për mbajtjen e pushtetit me përplasjen që pati me Mehmet Shehun, të cilin ai donte ta eliminonte.
“Nuk ia doli sepse Mehmet Shehu, le të themi kërkoi strehim në thonjëza, për t’u mbrojtur nga ambasada e BS, që dha ‘ok’ që është besnik i kauzës së socializmit dhe Enver Hoxha, kur thoshte BS, nuk guxonte të lëvizje as presjen. Ai thoshte gjithmonë: Ne pa BS nuk mund të rrojmë asnjë minutë dhe kjo fjalë e tij, pastaj, çuditërisht ra poshtë brenda 7-8 vjetësh dhe tregoi fare mirë që jetoi edhe pa BS.
Nuk pati problem më vonë të mbante pushtetin. Edhe pse nuk ishte kryetar i qeverisë ishte në mënyrë të padiskutueshme lideri absolut i vendit dhe këtë e kishin të qartë edhe vendet e kampit socialist dhe vendet e Perëndimit.”, – vijon historiani.
Boriçi sjell në vëmendje bisedën mes një diplomati francez dhe një britaniku lidhur me këtë gjë.
“Meqënëse Shqipëria as nuk ndreqte e as nuk prishte punë në arenën ndërkombëtare, është ajo shprehja që unë e kam gjetur në një arkiv britanik, që kam shkruar në ‘Albanian Studies’ në 2023 e që thotë: Nëse shqiptarët janë të lumtur që të jetojnë me Mehmet Shehun dhe Enver Hoxhën si liderë të tyre, kush jemi ne që t’i pengojmë? Derisa nuk kemi asnjë lloj interesi, as nuk i kemi dhënë kredi, e as nuk kanë detyrime financiare etj., nëse populli shqiptar është i kënaqur me atë udhëheqje pse duhet t’ia heqim atë kënaqësi.”,- thotë ai.
Për sjelljen e këtyre të dhënave me interes historik, Boriçi ka punuar me arkivat shqiptare dhe britanike. I fokusuar më së shumti në epokës e luftës së Ftohtë pas Luftës së II Botërore dhe marrëdhëniet e asaj kohe të Shqipërisë me Republikën Popullore të Kinës, si dhe marrëdhëniet politike të Shqipërisë me BS dhe Jugosllavinë, studiuesi vëren se në lidhje me këtë periudhë duhet të punohet më tepër.
“Për Luftën e Ftohtë ne dimë shumë pak. Arkivat për një kohë të gjatë kanë qenë të paakseushëm, kanë qenë të mbyllur dhe jo në pak raste historia është keqtreguar, është keqshkruar, ka qenë tendencioze dhe kjo sigurisht ka bërë jo pak dëme edhe në mentalitetin e njerëzve, edhe me të vërtetën historike.”, – thekson ai.
Sipas Boriçit, ajo periudhë ka qenë delikate për mbarë botën dhe ka qenë e vetmja periudhë kur Shqipëria nuk ka qenë e vetëizoluar, pasi, edhe pse nuk kishte marrëdhënie me vendet e Perëndimit kishte marrëdhënie me të gjitha shtetet e kampit socialist deri në vitin 1961 kur fillon vetëizolimi i plotë Shqipërisë, duke pasur marrëdhënie vetëm me Kinën./e.t