Meloni është bërë një personazh me shumë rëndësi, pasi pëlqehet nga Donald Trump…
Në kulmin e debateve sa i takon dështimit të paktit për refugjatët, kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një vizitë në Itali ditën e hënë.
Sipas mediave italiane, vizita e tij lidhet me prezantimin e Giro d’Italia. Këtë vit në fakt gara e çiklizmit do të nisë më 9 maj nga Shqipëria. Durrës-Tiranë do të jetë gara e parë nga tre etapat shqiptare, duke përfunduar në Vlorë. Itinerari do të zbulohet në tërësi të hënën në Romë.
Sipas “Agenzia Nova”, për momentin nuk ka asnjë konfirmim për një takim mes Ramës dhe kryeministres italiane, Giorgia Meloni.
Sipas saj, në fakt ka shumë për të diskutuar mes tyre, pasi pakti për emigrantët nuk po avancon dhe qendrat në Gjadër kanë mbetur bosh.
Por do të shohim nëse kryeministrja italiane do të rezervojë një takim për liderin shqiptar, i cili është lënë pak pas dore këto kohë. Meloni është bërë një personazh me shumë rëndësi, pasi pëlqehet nga Donald Trump. Po ashtu gëzon simpatinë e Elon Musk, krahu i djathtë i presidentit amerikan.
Sa i takon refugjatëve, pakti mes tyre rezultoi një dështim. Aktualisht po pritet vendimi që do të marrë Gjykata Europiane e Drejtësisë, pasi ajo do ta ndajë “shapin nga sheqeri” nëse kampi i Gjadrit do të jetë apo jo funksional.
Vetë Rama ka dashur të lajë duart, duke thënë se ai e bëri të vetën dhe nuk mban përgjegjësi për atë që do të bëjë Italia. Por pakti u firmos mes të dy ve dhe të dy kanë përgjegjësi. / S,M