Faqja zyrtare kqz.al do të hapë të shtunën seksionin e regjistrimit të emigrantëve për të votuar nga jashtë vendit. Çdo emigrant që më 11 maj ka të drejtën për të votuar, duhet të regjistrohet online, në mënyrë që marrë pjesë në procesin e parë zgjedhor në vend, ku merr pjesë edhe diaspora.
Regjistrimi kërkon një pajisje elektronike, të çfarëdoshme, që mjafton të ketë internet dhe një kamera. Si fillim, emigranti duhet të krijojë një llogari në sistem, duke përdorur një numër telefoni, ose një email, si dhe të dhënat personale, nga ditëlindja, vendlindja, numri personal.
Llogaria krijohet vetëm duke treguar zgjedhësi fytyrën e tij të gjallë përpara kamerës, për të shmangur votimet familjare apo përmes personave të tjerë.
Pasi krijon llogarinë, votuesi duhet të dërgojë një kërkesë po në këtë sistem, ku i duhet një dokument identifikimi shqiptar. Në momentin e regjistrimit, pasaporta ose karta pranohen edhe nëse ju ka skaduar afati.
Dokument tjetër me rëndësi, është një vërtetim se personi banon aty ku thotë. KQZ pranon dokumente të shumëllojshme, nga dokumentet e pronësisë, tek qiramarrjet apo faturat e ujit, gazit, energjisë, apo çdo abonim tjetër, përfshirë dhe dokumentet bankare. Adresa është e rëndësishme që komisioni qendror i zgjedhjeve t’i dërgojë fletën e votimit aty ku ai jeton.
Brenda 5 ditësh, KQZ do ta informojë emigrantin, nëse kërkesa e tij u pranua ose u refuzua. Në rast refuzimi, zgjedhësi do të informohet se çfarë ka bërë gabim, dhe do t’i jepet mundësia të aplikojë përsëri./ S,M