Aplikacioni kinez i rrjeteve sociale RedNote është bërë aplikacioni më i shkarkuar në App Store të Apple në SHBA ditët e fundit, përpara një ndalimi të mundshëm të TikTok në SHBA. Revanshi i këtij aplikacioni vjen në një kohë kur kompania ByteDance, që ka në pronësi TikTok, po përballet me perspektivën e një ndalimi të përhershëm të platformës popullore në Shtetet e Bashkuara të dielën, kur vendimi qeveritar do të hyjë në fuqi.
Ligji, i nënshkruar nga presidenti amerikan Joe Biden prillin e kaluar, kërkon që TikTok të ndërpresë lidhjet me kompaninë e tij mëmë me bazë në Kinë, ByteDance, deri në mes të janarit ose aplikacioni do të ndalohet. Masa nga SHBA erdhi si rezultat i shqetësimeve midis disa politikanëve amerikanë se ByteDance po ndante të dhënat e përdoruesve të TikTok me qeverinë kineze, pavarësisht garancive të përsëritura të kompanisë se nuk ishte kështu.
RedNote, i njohur si Xiaohongshu në Kinë, është një aplikacion i rrjeteve sociale tani i disponueshëm në anglisht. Është një aplikacion i krijuar në vitin 2013 nga kompania me bazë në Shangai, Xingyin Information Technology dhe është jashtëzakonisht popullor në vendet që flasin gjuhën mandarine dhe kineze, me mbi 300 milionë përdorues aktivë mujorë, sipas Bloomberg. Edhe pse është rritur në mënyrë të qëndrueshme gjatë viteve, rritja më e madhe e popullaritetit të saj u regjistrua gjatë pandemisë.
Ndërsa u ofron përdoruesve video dhe imazhe të shkurtra përmes një algoritmi si TikTok, postimet me tekst dhe veçoritë e blerjeve luajnë gjithashtu një rol qendror. Ndërfaqja e aplikacionit ndryshon nga ajo e TikTok, pasi video nuk fillon të luhet automatikisht me hapjen e aplikacionit dhe përdoruesit duhet së pari të identifikohen për ta përdorur atë.
Në Kinë, Xiaohongshu është aplikacioni i zgjedhur për ata që kërkojnë rekomandime mbi temat e njohura të bukurisë, modës, udhëtimit dhe ushqimit./ S.M