Çmimet e apartamenteve do të vijojnë të rriten edhe për vitin 2025. Mungesa e fuqisë punëtore, rritja e kostove të ndërtimit, si dhe investimet e reja janë disa nga faktorët që ndikojnë në këtë rritje.
“Në çdo vend që shkon infrastruktura, shkon shkolla, shkon rruga, shkon urbanizimi dhe zona merr një rritje progresive. Unë do të thosha se në çdo vit kemi një rritje, e cila ndikohet nga një sërë elementësh, siç janë fuqia punëtore, lëndët e para dhe kostot e ndërtimit, që ndikojnë në rritjen e çmimeve”, thotë Orgest Beti, agjent imobiliar.
Rritja e çmimeve vihet re në zona që, të paktën dy vite më parë, konsideroheshin si periferike. Kjo për shkak të investimeve që janë bërë, duke rritur vlerën e pronës. Ndërtimet e reja, të bëra që nga viti 2024, janë gjithashtu një faktor që ka sjellë një rritje të çmimeve për metër katror.
“Bërja e Unazës së Madhe zhvillon dhe ato zona që deri dje i konsideronim zona informale. Rruga ka një zhvillim shumë të madh për të gjithë komunitetet. Sot, që po flasim, zona ka marrë një rritje prej 10-15% krahasuar me dy vite më parë”, shprehet ai.
Ekspertët thonë se kjo rritje do të vijojë kryesisht në zonat ku po kryhen investime, si zona e Bulevardit të Ri./ S,M